Rashiq konfirmon pjesëmarrjen në diskutimet e SHBA-së për Asociacionin
Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 24 January 2023
Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, konfirmoi se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Pres të jetë një takim i mirë”, tha Rashiq për Radion Evropa e Lirë.
Ai u emërua në pozitën e ministrit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhjetorin e kaluar, kur Goran Rakiq, nga radhët e Listës Serbe, dha dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.
Rashiq tha se qëndrim i tij është se marrëveshjet nuk mund të injorohen. Në këtë kontekst, shtoi ai, duhet të analizohen edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2015, për harmonizimin e Asociacionit me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Për krijimin e këtij asociacioni është rënë dakord në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet në Bruksel.
Dy vjet më vonë, përkatësisht në vitin 2015, palët janë pajtuar për parimet e Asociacionit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më pas se disa prej tyre nuk janë në përputhje me ligjet e Kosovës, megjithëse ka thënë se ato të mund të harmonizohen.
Çështja është bërë pengesë për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa Serbia insiston në formimin e Asociacionit, Kosova refuzon, me arsyetimin se nuk mund të krijojë asociacione njëetnike, që do të binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në muajin dhjetor se, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”.
Ai ka thënë se këta partnerë mund të jenë nga shoqëria civile, grupet multietnike apo institutet, përkatësisht subjekte që mund të ofrojnë ide, mbi bazën e të cilave mund të krijohet Asociacioni, pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, Escobar ka thënë se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”.
REL kërkoi konfirmim nga Ambasada amerikane në Prishtinë të raporteve se më 31 janar, diskutimet për Asociacionin do të organizohen nga vetë kjo ambasadë, por nuk mori përgjigje.
REL pyeti edhe Qeverinë e Kosovës nëse kryeministri Albin Kurti është ftuar në këto bisedime dhe nëse po, a do t’i përgjigjet ftesës, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Në të njëjtat pyetje nuk u përgjigj as Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetje nga Beogradi zyrtar.
A mund ta bindë Rashiq Kurtin që ta pranojë Asociacionin?
Rashiq tha për REL-in se ai, por edhe të tjerë në Qeverinë e Kosovës po përpiqen që Asociacionin e komunave me shumicë serbe ta vendosin para kryeministrit Kurti si çështje teknike dhe jo politike.
Ai nuk dha detaje se cilët janë ata persona të tjerë nga Qeveria e Kosovës që janë të gatshëm të punojnë për formimin e Asocacionit.
“Mendoj se kemi humbur shumë kohë duke mos bërë asgjë. Nuk i kemi bashkuar ato dy dokumente [marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015] ose, thënë më mirë, [nuk kemi paraqitur] ndonjë opsion të dytë ose të tretë përmes punës në nivel teknik”, tha Rashiq.
Sipas tij, janë dy elemente të kontestueshme në lidhje me formimin e Asociacionit: emri dhe statusi juridik.
“Mendoj se emri nuk është aq i rëndësishëm sa është statusi juridik”, tha Rashiq.
Ai shtoi se në pikën e dytë të Marrëveshjes së vitit 2015 shkruan se Asociacioni do të harmonizohet me Kushtetutën e Kosovës. Për këtë arsye, tha Rashiq, nuk sheh ndonjë problem juridiko-teknik rreth formimit të tij.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës mund të hartojë një dokument, që do t’i përmbushte obligimet e marra me Marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit dhe, në të njëjtën kohë, do të ishte në përputhje me ligjet e Kosovës.
Në pikën e Marrëveshjes së Brukselit, të cilës i referohet Rashiq, thuhet se “në bazë të Marrëveshjes së parë, e cila ia njeh karakterin e veçantë [Asociacionit], Qeveria e Kosovës do të miratojë një rregullore që do të zbatohet drejtpërdrejt dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, edhe pse ka konstatuar se disa pika të marrëveshjes nuk janë në përputhje me ligjet e Kosovës, nuk ka rekomanduar që të mos formohet Asociacioni, por ka deklaruar se ai mund të përshtatet me statut apo ndonjë akt juridik.
Ministri Rashiq tha se, aktualisht, nuk ka informacione për planet e SHBA-së rreth hapave të ardhshëm për formimin e Asociacionit, por shtoi se ai gjithmonë ka qenë i hapur për bashkëpunim.
“Nëse ndodh që ka diçka që ofron mekanizma më të fortë, garanci për asociacionet, natyrisht se do ta konsiderojmë dhe do të kontribuojmë në mënyrë të përgjegjshme”, tha Rashiq.
Në thirrjen e këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për të bërë propozime për formimin e Asociacionit, kryeministri Kurti u përgjigj më 12 janar duke thënë se kjo çështje mund të zgjidhet brenda kornizës së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Ai, po ashtu, tha se komunitetet pakicë në Kosovë kanë privilegje të shumta me planin e Martti Ahtisaarit – dokument në bazë të të cilit Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008.
Qëndrimi i Serbisë
Beogradi zyrtar këmbëngul në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ashtu siç e parasheh marrëveshja e arritur në Bruksel.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpesh thotë se nuk ka qenë e nevojshme të negociohet për të, nëse duhet të përputhet me Kushtetutën e Kosovës.
Në një fjalim drejtuar kombit më 23 janar, ai tha se tani “pason një luftë e madhe për formimin e Asociacionit”.
Asociacioni nuk është i lidhur me planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve
Çështja e formimit të Asociacionit vjen në kohën e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili u është paraqitur të dyja palëve në fund të verës së vitit të kaluar.
Ky propozim mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA-ja.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë për Zërin e Amerikës se formimi i Asociacionit dhe negociatat për propozimin e BE-së “nuk janë plotësisht të lidhura”.
Ai ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “është obligim ekzistues” dhe se “duhet të zbatohet”./Rel
Të tjera
-
Dyshimet për parregullësi në gradimin e policëve, IPK krijon grup të veçantë hetimor
Pasi u raportua se në konkursin për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në...
-
VMRO dhe VLEN pajtohen për “shtyllat kryesore” të Qeverisë së re
VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, thanë se kanë arritu...
-
Vrἀsja e Roan Brahimit, partnerja e tij rrëfen momentet e ekzekutimit
Partnerja e Roan Brahimit, i cili u vra me armë zjarri në Athinë ditë më parë...
-
Gërvalla pas takimit me përfaqësuesit e CSU-së: Kosova i ka përmbushur kushtet për anëtarësim në KiE
Ministrja e punëve të Jashtme, ka takuar delegacionin nga landi i Bavarisë, p...
-
Përurohet pllaka me emrin e Nënë Terezës në SHBA
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Teksas t...
-
Kurti u përgjigjet atyre që e refuzuan për takim: Mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i interesuar që të tak...
-
Ramiz Lladrovci nga Gryka e Bunës: Kapitenit të sprovuar, zakonisht i bëjnë mirë dallgët
Gjatë fundjavës, Ramiz Lladrovci ka postuar pamje duke lundruar, me motobarkë...
-
Si tentoi gjykatësi Kryeziu ta joshte praktikanten 22-vjeçare për djalin e tij me blerje çantash
Një 22-vjeçare derisa po zhvillonte praktikën në Gjykatën Themelore në Gjilan...
-
Presidenti i Këshillit Evropian kërkon nga Izraeli të mos ndërmarrë operacione tokësore në Rafah
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i ka reaguar qeverisë izrael...
-
Përfundon periudha transitore për dinarin
Sot përfundon periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes...
-
Shqipëria pretendon se Rusia ia bombἀrdoi konsullatën në Ukrainë, interesohet për provat
Qeveria shqiptare ka nisur përpjekjet të dokumentojë me prova ligjore, shkatë...
-
SHBA: Izraeli ka gjasë që ka shkelur ligjin ndërkombëtar në Gaza duke përdorur armë amerikane
Administrata e presidentit Joe Biden njoftoi të premten se ishte "e arsyeshme...