Fokus

Shifra alarmante: Kaq qytetarë hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës vetëm këtë verë

Autori: Gazeta inFokus 15:51 | 14 September 2022

Në dy vitet e fundit më shume se 7 mijë e 800 qytetarë kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Vetëm nga janari e deri në nëntor të vitit 2021, 4 mijë e 594 persona hoqën dorë nga shtetësia kosovare, shkruan Gazeta Infokus.

Derisa për tetë muaj e gjysmë të vitit 2022 nga shtetësia e Kosovës u liruan 3 mijë e 237 qytetarë.

-Advertisement-

Sipas shifrave që ka siguruar Gazeta Infokus nga Ministria e Punëve të Brendshme, vetëm për dy muaj e gjysmë, konkretisht që nga 1 korriku e deri më 13 shtator të këtij viti, 1 mijë e 27 qytetarë kanë hequr dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës.

Ani pse sipas disa pretendimeve numri i bashkatdhetarëve që erdhën në Kosovë këtë verë nuk ishte aq i madh, përsëri një numër i konsiderueshëm hoqën dorë nga shtetësia kosovare.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme kanë bërë të ditur edhe shifrën e personave që u liruan nga shtetësia kosovare në gjashtëmujorin e parë të vitit 2022.

“Gjatë periudhës 01.01.2022 – 30.06.2022, nga Shtetësia e Republikës së Kosovës, janë liruar 2210 persona”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Heqja dorë nga shtetësia në shumicën e rasteve ndodhë për shkak se në shumicën e shteteve evropiane nuk lejohet dyshtetësia.

Sipas zyrtarit për media në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës, Behar Haziraj, në vitin 2021, 2 mijë e 359 persona që hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës i takonin gjinisë mashkullore, derisa 2 mijë 235 prej tyre ishin të gjinisë femërore.

“Gjatë periudhës janar – nëntor të vitit 2021, nga Shtetësia e Republikës së Kosovës, janë liruar gjithsej 4 mijë e 594 persona. Prej tyre, meshkuj janë 2 mijë e 359, ndërsa 2 mijë e 235 janë femra. Këto janë të dhëna statistikore të përpunuara deri në muajin nëntor, ndërsa meqë muaji dhjetor nuk ka përfunduar ende, të dhënat për këtë muaj nuk i kemi”, pati thënë Haziraj asokohe./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera