Fokus

Rrëfimet e mërgimtarëve: Si po u pamundësohet votimi në Kosovë?

Autori: Gazeta inFokus 15:36 | 01 February 2021

Me 16 janar Komisioni Qendror Zgjedhor filloi të bëjë verifikimin e aplikacioneve që vinin nga diaspora për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Që nga ajo ditë e deri më sot nga 175 mijë persona që kanë aplikuar janë regjistruar dhe verifikuar si votues 101 mijë e 839 persona.

Nga dita kur filloi kjo mënyrë e verifikimit të votave kanë qenë të shumta ankesat nga mërgimtarët për probleme gjatë këtij procesi.

-Advertisement-

Në një prononcim për Gazetën inFokus, A.V me banim në Gjermani ka thënë se është thirrur nga KQZ-ja të dielën në ditë pushimi në orën 21:00.

“Mua më kanë telefonuar në orën 21:00 të dielën, dhe duke qenë se nuk e kam prit që do më thërrasin në vikend dhe aq më pak në atë orë kam qenë në gjumë dhe nuk e kam dëgjuar telefonin. Më pas kur jam zgjuar e kam thirrur diku rreth orës 22:00 dhe më kanë thënë se është vonë dhe nuk janë më në punë por që do ta thërrasin të nesërmen prapë. Të hënën në mëngjes nuk ka pasur ndonjë thirrje tjetër nga KQZ-ja dhe i kam thirr unë vetë dhe e kam bërë verifikimin e aplikacionit. Nuk e di se a më kishin thirr prapë nëse nuk i kisha thirr unë por që koha e thirrjes në ditën e dielë dhe orën 21:00 ka qenë e befasishme” , ka deklaruar ai për Gazetën inFokus.

E ankesa të tillë nga qytetarë për thirrje nga KQZ-ja në orët e vona nuk janë të pakta, shkruan Gazeta inFokus.

L.D banues në Gjermani po ashtu ka thënë se në orën 20:45 të mbrëmjes i ka ardhur një thirrje e humbur nga KQZ-ja, e që ditën tjetër ka provuar ti marrë më shumë se 20 herë deri sa i kanë hapur telefonin për të bërë verifikimin e aplikacionit të tij.

Mirëpo nga KQZ-ja thirrje për diasporën duket të kenë ardhur edhe në orë të hershmë të mëngjesit.

Kështu të paktën ka deklaruar një mërgimtare tjetër.

Sipas saj atë e kanë thirrur në orën 04:00 të mëngjesit, dhe si pasojë e kësaj e ka humbur mundësinë për të votuar.

Ndërsa në  një intervistë dhënë Gazetës inFokus me 13 janar, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi pati deklaruar të kundërtën.

Ai ka thënë se një aplikues nga diaspora do të telefonohej në orarin e punës gjatë ditëve të javës, dhe do të telefonohej deri në tre herë në rast se nuk e hap telefonin.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesin për regjistrimin apo pranimin e aplikacioneve nga jashtë vendit, pra të qytetarëve të cilët duan të regjistrohen për të votuar më pastaj përmes postës. Aplikimet në bazë të vendimit të KQZ-së do të verifikohen pra aplikuesit do të kontaktohen përmes telefonit nga ana e sekretariatit të KQZ-së. Kontaktimi i aplikuesit do të bëhet përmes telefonit në tre faza. Thirrja e parë do të realizohet në orarin e punës sipas kohës lokale në Kosovë. Nëse aplikuesi nuk e hap telefonin atëherë do të bëhen tentime të tjera gjatë orarit të tregut të punës, të shtetit apo vendbanimit nga ku ka aplikuar aplikuesi. Dhe nëse aplikuesi nuk e hap përsëri telefonin sipas pikës që lexova më lartë atëherë do të bëhet tentim edhe pas orarit të rregullt të punës sipas kohës lokale të shtetit dh vendbanimit ku gjendet aplikuesi i shënuar në aplikacion”, ka deklaruar Elezi.

Ndërsa sipas tij kjo do të ishte një mënyrë më efikase e verifikimit e cila është përdorur edhe më herët.

“Kjo mënyrë e verifikimit nuk përdoret për herë të parë nga KQZ-ja pasi edhe në procese të kaluara zgjedhore ka pasur procese të verifikimit të aplikacioneve nga jashtë vendit si një masë për të rritur sigurinë sepse shpeshherë procesi i regjistrimit të votuesve jashtë vendit është cenuar dhe këtë e thonë edhe vendimet e institucioneve përkatëse”, ka deklaruar Elezi.

Vendimi i KQZ-së për verifikimin e votave në këtë mënyrë pra përmes thirrjeve telefonike ngjalli reagime të shumta në kohën kur u bë publik nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

E ishte Organizata Germin ajo që bëri edhe ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me këtë vendim, mirëpo që PZAP-ja vendosi pro Komisionit Qendror Zgjedhor./Gazeta inFokus/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera