Fokus

Reagon VV-ja pas raportimit të Gazetës inFokus se kanë filluar hetimet për Bedri Istrefin

Autori: H. Smajli 10:58 | 16 October 2020

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pasi Gazeta inFokus raportoi ekskluzivisht se Policia e Krimeve Ekonomike ka nisur hetimet për ish shefin ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefi për nënshkrimin e kontratës me kompaninë e Shqipërisë “Advan Tech” për shitjen e shërbimeve të internetit dhe televizionit kabllor.

Zëdhënësi për media, Përparim Kryeziu ka thënë për inFokus se fillimi i hetimeve për ish shefin ekzekutiv të Telekomit është lajm pozitiv mirëpo jo i mjaftueshëm.

Kryeziu ka bërë thirrje që hetimi nga prokuroria të bëhet i pandikuar nga politika.

-Advertisement-

“Është lajm i pozitiv por i pamjaftueshëm që prokuroria po heton ish-kryeshefin Istrefi lidhur me aferën “Advantech”. Sistemi ynë i drejtësisë ka të meta të shumta, dhe përvoja me pandëshkueshmërinë e korrupsionit na bën t’i druhemi dështimit. Andaj bëjmë thirrje për një hetim të plotë dhe një ecuri të drejtë, të pandikuar nga politikanët e korruptuar dhe grupet e krimit të organizuar. Prokuroria ka detyrë kushtetuese e ligjore që të punojë e pavarur, me profesionalizëm dhe brenda afateve, duke pasur parasysh interesin publik dhe të drejtat e viktimës. Nëse organet e drejtësisë nuk e kryejnë punën e vet, procesi mund të dështojë, dhe dështimi i tillë do të ishte krim veç më i rëndë se vepra që mbetet pa u ndëshkuar”, ka thënë ai.

LEXO EDHE: Ekskluzive: Krimet Ekonomike fillojnë hetimet për skandalet e Bedri Istrefit me kompaninë nga Shqipëria në Telekom

Ai ka shtuar se kontratat e tilla të dëmshme për ndërmarrjet publike janë nënshkruar nga zyrtarë të korruptuar që janë të lidhur me politikën dhe me grupe të fuqishme që kontrollojë edhe vendimmarrjen.

“Kontratat e tilla negociohen, nënshkruhen dhe menaxhohen prej zyrtarëve të korruptuar të ndërmarrjeve, kryekëput të lidhur me politikanë dhe grupe të fuqishme që kontrollojnë vendimmarrjen në ndërmarrje e institucione publike për interesat e tyre vetjake, në kundërshtim me interesin publik. Kur vendimmarrja kontrollohet kësisoj, kemi të bëjmë me kapje të shtetit. Kontratat e dëmshme dhe gjendja e rëndë e ndërmarrjeve publike, përfshi Telekomin e Kosovës, janë pasojë e kapjes së shtetit”, ka shtuar ai për Infokus.

Ndërsa sipas tij kontrata si “Advantech” ose “PayKos” janë shembuj të kontratave të dëmshme që kanë mundësuar zhvatjen e ndërmarrjeve publike.

LEXO EDHE: Besa Shatri Berisha përgënjeshtron Bedri Istrefin, Bordi nuk e ka nënshkruar kontratën me “Advan Tech” që i shkakton humbje të mëdha Telekomit

“Si zakonisht, këto kontrata janë të panevojshme ose krejt të pafavorshme, meqë vënë detyrime teknikisht e financiarisht të papërballueshme për ndërmarrjen, nuk mbulojnë koston ose rrezikun, si dhe shpesh çoroditin tregun e konkurrencën e lirë, duke i siguruar palës tjetër fitim e kushte që nuk mund t’i nxjerrë në raport me kompani private. Madje edhe kur kontrata është e mirë, menaxhimi i saj nuk ecën në të mirë të ndërmarrjes”, ka thënë Kryeziu.

Gazeta inFokus raportoi të martën se Policia e krimeve Ekonomikë ka nisur hetimet për ish shefin ekzekutiv të Telekomit, Bedri Istrefin për kontratën me “Advan Tech” e cila 60% të fitimit i jepte kësaj kompanie duke humbur kështu që në start 15% të të hyrave./Gazeta inFokus/

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rakinica e Skenderajt bëhet me rrjet të ri elektrik

Të tjera