Fokus

Raporti i kuvendit serb flet edhe për “Zajednicën”, a do të ketë ndikim në procesin e dialogut?

Autori: Elvira Haxhiu 15:23 | 21 September 2022

Para disa ditësh deputetët e Kuvendit të Serbisë miratuan një raport për dialogun me Kosovën, i cili nga autoritetet serbe është titulluar “Raporti për procesin e negociatave me ‘institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes’ në Prishtinë”. Për miratimin e këtij raporti, deputetëve serbë iu deshën dy ditë debat, shkruan Gazeta Infokus.

Raporti për dialogun me Kosovën është i shkruar në 50 faqe dhe liston aktivitetet në kuadër të përgatitjes dhe realizimit të negociatave përfshirë këtu Asociacionin e komunave me shumicë serbe, policinë, gjyqësorin, energjinë, odat ekonomike, transportin e mallrave të rrezikshme, si dhe të zhdukurit, që gjenden në kapitullin e fundit.

Agron Hoti, njohës i çështjeve të integrimeve evropiane kalimin e këtij raporti në kuvendin serb po e sheh si rezultat të presionit ndërkombëtar.

-Advertisement-

Në një përgjigje për Gazetën Infokus, Hoti thotë se Serbia e ka kuptuar se zgjidhja e problemit me Kosovën është e pashmangshme dhe se asaj i duhet ta përgatisë opinionin serb për një gjë të tillë.

“Thjeshtë Serbia, me goditjen që po merr Rusia në Ukrainë, e ka kuptuar që rruga e saj do të jetë Perëndimi dhe mbi këtë bazë ajo duhet të tregohet e gatshme për kompromise që i bie se nuk do të mund ta defunksionalizojë Kosovën siç vazhdimisht është orvatur deri me sot”, ka thënë Hoti.

Në kuadër të këtij raporti është listuar edhe Asociacioni i komunave më shumicë serbe.

E për këtë çështje Hoti thotë se Serbia do të këmbëngulë në formimin e këtij asociacioni, mirëpo vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i lejon Asociacionit ndërtimin e një shteti brenda shtetit të Kosovës.

“Sigurisht që Serbia do të këmbëngulë në formimin e Asociacionit, sepse formimin e tij Kosova e ka ratifikuar në Kuvendin e saj. Mirëpo, Kosova e ka vendimin e Gjykatës Kushtetuese që nuk i lejon Asociacionit ndërtimin e një shteti brenda shtetit të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka dy zgjidhje: ose ta shfuqizojë marrëveshjen e Asociacionit ose ta themelojë atë sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, kompromisi do të jetë mes themelimit të Asociacionit sipas projeksioneve serbe”, ka deklaruar ai për Infokus.

Ndërkaq, gjatë prezantimit të raportit për dialogun me Kosovën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Ai gjithashtu tha se duhet të gjendet një zgjidhje realiste për Kosovën.

Ndërsa deputeti i vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi, gjatë prezantimit të tij tha se, Kosova është e pavarur nga Serbia.

Negociatat për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve kanë fillua në vitin 2011 më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe pjesëmarrës në panairin “Gulfood Fair 2024” në Dubai

Të tjera