Rama i përgjigjet Kurtit: Kosova po humbet avantazhin ndaj Serbisë
Autori: Gazeta inFokus 17:45 | 14 October 2023
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk përjashtoi mundësinë e një takimi mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në samitin e 16 tetorit në Tiranë, në një kohë kur tensionet mes palëve janë të larta.
“Nuk kemi planifikuar diçka të tillë, nuk e parashikoj. Çdo gjë mund të ndodhë sepse në situata të tilla ku të gjithë flasin me njëri-tjetrin, nëse ka një hapësirë ose nëse liderët e Gjermanisë dhe Francës që do të jenë këtu, do të duan të flasin me ta si bashkautorë të planit franko-gjerman që është në tryezë, ndoshta mund të ndodhë,” deklaroi Rama.
Rama u shpreh se historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen, ndryshe nga ai që e ka fituar luftën
“Nuk po përpiqem të bëj të zgjuarin. Jam i sigurt që shumë prej tyre, përfshi vetë ata, mund të jenë më të zgjuar dhe ashtu janë. Por e kam problem t’i bëj njerëzit ose veten për budallenj. Nuk mund të gënjejmë veten. Ajo që ne kemi bërë deri më tani si komunitet shqiptar qoftë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, na ka mësuar shumë qartë se kemi bërë gjithë këto arritje duke u qartësuar se në cilin krah jemi, me kë bashkëpunojmë ngushtësisht dhe cila është mënyra jonë për t’u përmirësuar si faktor shqiptar brenda vendeve tona dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor”.
“Rruga është e shumë qartë: puna e palodhur drejt paqes, prirja drejt së ardhmes dhe të mos mbeturit peng i të shkuarës. Ne nuk i japim leksione miqve dhe aleatëve tanë të mëdhenj si ata duhet ta shohin botën, por kemi një bashkëpunim konstruktiv me ta dhe i qëndrojmë gjithnjë pranë. Kështu ja kemi dalë deri më sot. Çfarë ka këtu për t’u çuditur? Më e rëndësishmja, Serbia e ka humbur luftën. Kosova e ka fituar luftën. Historia ka treguar se kush ka humbur luftën nuk është i interesuar për paqen, ndryshe nga ai që e ka fituar luftën”, u shpreh ai.
Për Ramën, Kosova duhet të këmbëngulte për zbatimin e planit franko-gjerman, për të arritur atë që synon: njohjen përfundimtare.
“Plani franko-gjerman është ujdia më e mirë që Kosova mund të marrë, sepse është njohje de facto. Është propozim tolerant dhe i hap rrugën njohjes nga të tjerët. Përse nuk e nxisin ata? Përse nuk këmbëngulin? Përse Kosova nuk është pala që t’ju kërkojë të gjithëve që ky propozim të bëhet? Në politikë dhe në zgjidhjen e diçkaje që është në interesin tënd, nuk është asnjëherë ide e mirë të fillosh të gërmosh në mendjen e tjetrit. A është tjetri vërtet i interesuar? A e do ai vërtet diçka? Ndoshta jo dhe nëse do të hiqnim fuqitë e mëdha që janë me ne dhe do ta imagjinonim dialogun vetëm mes Serbisë dhe Kosovës, atëherë Serbia ndoshta nuk do të ishte ulur farë në tryezë, por do të kishte bërë diçka krejt të çmendur”.
“Por, realiteti është se kemi mbështetje të fortë që të bëjmë një hap madhor drejt njohjes përfundimtare. Dhe ne nuk po e pranojmë këtë? Përse? Për çfarë arsye? Pyetja nuk është nëse kanë ata interes. Pyetja është a kemi ne interes apo jo? Mendoj se ata e kuptojnë se janë shumë të interesuar që kjo çështje të mbyllet njëherë e mirë. Si bëhet kjo? Duke humbur vëmendjen dhe duke krijuar situata apo duke bërë që të krijohen situata që më pas të bllokojnë, apo duke u përpjekur të qetësosh gjithçka, të japësh një gjë të vogël në këmbim të diçkaje më të madhe? Mendoj se zgjidhja është kjo e dyta. Nuk është shkencë, është logjikë e thjeshtë”, tha ai.
Sipas Kryeministrit të Shqipërisë, nuk ka asgjë të keqe nëse Serbia do të mbështeste financiarisht Bashkësinë e Komunave Serbe.
“Serbia e ka humbur luftën dhe nuk ka vend të imagjinojë një hakmarrje ushtarake. Ka marrë fund kjo gjë! Kosova është njohur nga një komunitet vendesh që nuk do lejonin kurrë kthimin pas. Kurrë! Çfarëdo që të ndodhë! Kjo e para. E dyta, nëse Bashkësia krijohet sipas kuadrit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe është rezultat i një marrëveshjeje që bazohet aty, atëherë nuk do të jetë një hapësirë që të vijnë njerëz të armatosur dhe të thonë se janë anëtarë të asaj Bashkësie. Do të jetë një hapësirë që komunat të kenë vetë-menaxhim, të kenë mbështetje nga Beogradi. Pse jo? Kemi komunat në jug dhe lindje të pakicave greke. Ata do të ishin shumë të lumtur nëse Greqia do t’i mbështeste financiarisht. Pse jo? Është e rëndësishme të shohim nga e ardhmja dhe të bëjmë çdo gjë për ta afruar, sesa të mendojmë gjithnjë vetëm për të shkuarën. E shkuara ka kaluar,” deklaroi Rama.
Rama u përgjigj edhe në pyetjen nëse Bashkimi Europian nuk është treguar i drejtë në qasjen ndaj Kosovës dhe Serbisë.
“Ne patëm një debat të zjarrtë kur BE-ja doli me deklaratë pas sulmit kriminal në veri. Ishte e gjitha për Kosovën. Ata na shpjeguan se e tillë është procedura e BE-së, Këshillit dhe deklarata ishte miratuar nga 27 vendet anëtare para se të ndodhnin ngjarjet, ndaj edhe e publikuan. I thamë se mund ta publikonin bashkë me një tjetër deklaratë që do të dënonte atë që kishte ndodhur, do të dënonte Beogradin për aktin e pajustifikueshëm të shpalljes së ditës së zisë. E pajustifikueshme! Kërkuam masa konkrete edhe ndaj Serbisë, jo thjesht dënim të aktit”.
“Ata thanë se nuk mund të bëhej për shkak të kohës, sepse duhet shumë kohë për të bërë këto deklarata. Atëherë ne i thamë se nuk do të linjëzoheshim. Për herë të parë në 10 vite, ne nuk u linjëzuam me një deklaratë të BE-së. Nuk do thoja se BE-ja është treguar e padrejtë. Do të thoja se fatkeqësisht Kosova i ka dhënë BE-së shumë arsye që të tregohet më e ashpër me ta. Ndërsa Serbia e ka luajtur lojën me më shumë inteligjencë, një lojë e cila vetëm vijon, nuk ka mbaruar”, u shpreh tutje ai.
Të tjera
-
Dyshimet për parregullësi në gradimin e policëve, IPK krijon grup të veçantë hetimor
Pasi u raportua se në konkursin për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në...
-
VMRO dhe VLEN pajtohen për “shtyllat kryesore” të Qeverisë së re
VMRO DPMNE-ja dhe koalicioni i opozitës shqiptare, VLEN, thanë se kanë arritu...
-
Vrἀsja e Roan Brahimit, partnerja e tij rrëfen momentet e ekzekutimit
Partnerja e Roan Brahimit, i cili u vra me armë zjarri në Athinë ditë më parë...
-
Gërvalla pas takimit me përfaqësuesit e CSU-së: Kosova i ka përmbushur kushtet për anëtarësim në KiE
Ministrja e punëve të Jashtme, ka takuar delegacionin nga landi i Bavarisë, p...
-
Përurohet pllaka me emrin e Nënë Terezës në SHBA
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Teksas t...
-
Kurti u përgjigjet atyre që e refuzuan për takim: Mendova se është më së miri të takohemi të gjithë së bashku
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është i interesuar që të tak...
-
Ramiz Lladrovci nga Gryka e Bunës: Kapitenit të sprovuar, zakonisht i bëjnë mirë dallgët
Gjatë fundjavës, Ramiz Lladrovci ka postuar pamje duke lundruar, me motobarkë...
-
Si tentoi gjykatësi Kryeziu ta joshte praktikanten 22-vjeçare për djalin e tij me blerje çantash
Një 22-vjeçare derisa po zhvillonte praktikën në Gjykatën Themelore në Gjilan...
-
Presidenti i Këshillit Evropian kërkon nga Izraeli të mos ndërmarrë operacione tokësore në Rafah
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i ka reaguar qeverisë izrael...
-
Përfundon periudha transitore për dinarin
Sot përfundon periudha transitore e Bankës Qendrore të Kosovës rreth çështjes...
-
Shqipëria pretendon se Rusia ia bombἀrdoi konsullatën në Ukrainë, interesohet për provat
Qeveria shqiptare ka nisur përpjekjet të dokumentojë me prova ligjore, shkatë...
-
SHBA: Izraeli ka gjasë që ka shkelur ligjin ndërkombëtar në Gaza duke përdorur armë amerikane
Administrata e presidentit Joe Biden njoftoi të premten se ishte "e arsyeshme...