Fokus

Në Ranillug, shqiptarit natën ia korrin 5 hektarë misër, dyshon tek serbët

Autori: Halil Berisha 16:27 | 16 July 2019

Naim Demolli si çdo ditë edhe mëngjesin e së hënës doli tek ara e tij në fshatin Tomancë të Ranillugut, që të shoh arën e tij të mbjellur me misër.

Por, për dallim prej herëve tjera, arën nuk e gjeti ashtu siç e la një natë më parë.

Dikush, natën ia kishte korrur një pjesë të madhe të misrit, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

“Unë rregullisht qohna në 6 të mëngjesit, e në ora 9 shkoj te ara. Edhe mëngjesin e së hënës shkova aty me një shok me kqyr misrin. Kur e pash u shokova, qysh e kishin dëmtu”, tregon Demolli për gazetën Infokus.

Ai  duke pas parasysh edhe fjalët që ia thanë kohë më parë banorët e atyshëm që janë të komunitetit serb, ka dyshim të madh që janë po ata që ia bën dëmin.

“Arën prej 33 hektarë e 20 ari e kam privatizu në vitin 2014, por që deri vitin e kaluar kam qenë në Gjykatë për arsye se nuk ma kanë bërë përkthimin. Pastaj, kur është kryer puna me Gjykatën, kom dal dhe e kam livruar arën dhe e kam mbjellë misër këtë vit, por non-stop serbët e atyshëm më kanë hedh mbeturina. Tani misri është rritë diku rreth 1 metër e 30cm. Shpesh ma kanë dëmtuar arën, por jo kaq shumë, tash kanë hy me kosë serbët e fshatit natën dhe i kanë kositë 5 hektarë. Edhe ma herët kam pas kërcënime nga ta se kinse nuk kanë me më lanë aty dhe se kanë me ma djeg arën”, deklaroi Demolli për gazetën inFokus.

Kështu edhe dëmi që iu shkaktua është goxha i madh.

Për rastin, Demolli thotë që lajmëroi edhe policinë, derisa thotë që tash po detyrohet edhe për veprime tjera.

“Nëse e llogarisim dëmin që mu është shkaktuar aty, minimumi dalin 10 mijë euro. Nashta unë tash edhe duhet me u ndje i rrezikuar, por nuk po tutna se e kom ble me ndjersë, ata ndashin edhe le t’më mbysin. Dje kam qëndruar aty deri vonë e kam rujtë, tash duhet me lanë dikënd aty, se janë duke më bërë presion me u largu pasi që jam shqiptar e ata me e pas të veten atë pjesë. Veç kësaj, edhe kur shkova aty dhe e pash arën e dëmtuar, kishte edhe bagëti të serbëve nëpër arën time. Krejt rastin e kom paraqitë në polici dhe komunë”.

Por, telashe për Demollin po i del edhe me komunën e Ranillugut, për tokën në fjalë.

“Veç presionit të banorëve edhe komuna e Ranillugut nuk kanë dasht me ma dhanë fletën poseduese, mi kanë cënu të drejtat e mija, nuk mi japin dokumentet me disa arsye palidhje, jo nuk i ke qit pikat kur e ke mbjell arën e lloj lloj arsye tjera”, rrëfen Demolli për gazetën inFokus.

Megjithatë, pavarësisht krejt këtyre, ai është i vendosur që me çdo mjet ligjor të kërkojë e të mbrojë të drejtën e tij.

Gazeta inFokus, ka provuar të marr përgjigje gjatë ditës nga Komuna e Ranillugut lidhur me pretendimet e Demollit, por askush nga ky institucion nuk ka dhënë shpjegime./gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera