Fokus

Në cila fakultete të UP-së pati konkurrencë të fortë për t’u regjistruar e në cilat nuk aplikoi askush?

Autori: Sylejman Sylejmani 11:09 | 02 October 2018

Me këngë e valle e pika tjera artistike Universiteti i Prishtinës hapi dyert për studentët e rinj këtë fillim tetori.

Por kjo nuk do të thotë se të rinjtë kosovarë janë fortë të interesuar të studiojnë drejtime nga fusha e artit e muzikës, shkruan Gazeta inFokus

Bile për disa drejtime të arteve të bukura nuk shprehi askush interesim për t’u regjistruar.

-Advertisement-

Asnjë i ri nuk u paraqit për t’u regjistruar në drejtimet Fagot, Komo, e Trombon, kurse nga vetëm një person u interesuan për Trumpetë e Saksofon.

 

Interesim i vogël u shfaq edhe për Orientalistikën e programin Konstruksione dhe Mekanizim, ku aplikuan vetëm 22 persona.

Pavarësisht kësaj Universiteti i Prishtinës edhe këtë vit është institucioni publik i cili ka pranuar numrin më të madh të studentëve të rinj.

6382 studentë do ta fillojnë këtë vit jetën e tyre studentore në këtë universitet, shkruan Gazeta inFokus.

Të paplotësuara kanë mbetur plot 2054 vende, nga 15.489 persona që kanë aplikuar.

Sërish, Ekonomiku po del të jetë drejtimi të cilin e pëlqejnë më shumë të rinjtë kosovarë, që pasohet nga Mjekësia, Juridiku e Edukimi.

Për t’u pranuar në Ekonomik, kanë aplikuar plot 2568 persona, ku u pranuan 1263 prej tyre. Megjithatë, edhe përkundër interesimit të madh, në Ekonomik sikurse edhe në të gjitha drejtimet tjera, nuk u arrit të përmbushej numri i paraparë i studentëve.

Këtu mbetën 700 vende të lira.

Në statistikat e siguruara nga Gazeta inFokus, shihet se programi Banka, Financa e Kontabilitet është ai që po josh më së shumti kosovarët.

Këtu aplikuan 971 persona, e u pranuan 440.

Konkurrenca më e fortë në dy afatet u bë për t’u regjistruar në fakultetin e Mjekësisë.

Për një vend të lirë bënë garë 5 presona.

Nga 2213 aplikues, vetëm 425 u pranuan, e të lira mbetën 21 vende, pasi nuk u përmbushën kriteret e kërkuara.

Në këtë drejtim, Mjekësia e Përgjithshme po del të jetë programi më i pëlqyer nga të rinjtë, ku edhe pse ishin paraparë të plotësoheshin 179 vende të lira, u pranuan 182 studentë.

Garë e fortë për t’u pranuar u bë edhe në fakultetin e Edukimit.

Këtu për 319 vende të lira, aplikuan 1584 persona, ku u pranuan vetëm 290 prej tyre, pasi të tjerët nuk përmbushën kriteret.

Konkurrencë e madhe sikur vitet e tjera ishte edhe në fakultetin Filologjik, Filozofik e Juridik.

Të hënën Universiteti i Prishtinës organizoi Ditën e Orientimit, ku studentët e rinj patën mundësi të informohen rreth studimeve në UP. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane

Të tjera