Fokus

“Nazim Gërvalla u qëllua dy herë nga mbrapa kur po provonte të ikte” avokati jep detaje të provave

Autori: Gazeta inFokus 16:32 | 10 March 2021

Besim dhe Besart Istrefi të martën janë liruar nga akuza për vrasjen që kishte ndodhur në vitin 2014 në restorantin “Shega” ku kishin mbetur të vdekur Lutfi Saraqi dhe Nazim Gërvalla.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Vesel Ismajli dhe anëtarët Nushe Kuka- Mekaj dhe Naser Foniqi, njëzëri kanë vendosur që Besim dhe Besart Istrefi të lirohen nga akuza, pasi që sipas vlerësimit të gjykatës këtë vepër e kanë kryer në “mbrojtje të nevojshme”.

E në lidhje me këtë në një intervistë për Gazetën inFokus, përfaqësuesi ligjor i familjes Gërvalla, Asdren Gashi ka thënë se Nazim Gërvalla është vrarë nga mbrapa në kohën kur po tentonte të ikte pasi kishin ndaluar të shtënat.

-Advertisement-

“Nazim Gërvalla nuk është akter i ngjarjes aq më pak i sulmit për tu konsideru që një sulm është zbraps në mbrojtje të nevojshme e për tu konsideruar si element i përjashtimit të përgjegjësisë penale, kur kjo absolutisht ka qenë e qartë e ditur sic thotë populli nga aeroplani dhe për atë arsye them nuk e kam të qartë si mund të arsyetohet mbrojtja e nevojshme e aq më pak për Nazim Gërvallën i cili nuk ndërmerr sulm e aq më pak kur plumbin të plagës vdekjeprurëse e ka marrë nga mbrapa, pra plumbi ka hy nga mbrapa në momentin kur ai ka fillu pas pushimit të të shtënave ka fillu me prpvu me dalë jashtë, atëherë ëhstë godit dy herë”, ka deklaruar ai.

Gashi ka thënë se nuk e di se si Gjykata do të arsyetojë këtë vendim pasi nuk është plotësuar asnjëri nga kushtet që të ekzistojë “mbrojtja e nevojshme” në rastin kur është qëlluar dy herë për vdekje, Nazim Gërvalla.

E po ashtu sipas tij të gjithë dëshmitarët e edhe vetë dorasit kanë deklaruar se Gërvalla nuk ka qenë i përfshirë as në sulm dhe as në konflikt.

“Për të ekzistuar mbrojtja e nevojshme duhet që të plotësohen disa kushte. Që sulmi të jetë i aq qasshëm me mbrojtjen, që mbrojtja të jetë e barazvlefshme me sulmin. Ndërsa në këtë rast fare nuk ka ekzistu sulmi, nga Nazim Gërvalla, jo. Kategorikisht jo, andaj si mund të ekzistojë mbrojtja e nevojshme kur fare nuk ka sulm. Dhe provat kryesore në këtë çështje janë deklaratat e të gjithë dëshmitarëve ku asnjëri nga ta nuk thotë se Nazim Gërvalla ka marrë pjesë, në konflikt, fjalosje apo në ndonjë sulm. Pastaj vetë të akuzuarit kanë kanë deklaruar se Nazim Gërvalla ka qenë i ulur në një tavolinë dhe kur kanë filluar të shtënat është largu është fsheh në një qosh të lokalit”, ka shtuar Gashi.

“Me këtë aktgjykim drejtësia nuk është vënë në vend e vërteta nuk ka dalë në shesh dhe satisfaksioni i familjes nuk është arritur”

“Provat vendimtare që Nazim Gërvalla nuk ka qenë në konflikt nuk ka qenë pjesë e fjalosjes, Nazim gërvalla nuk ka pasë armë mos harroni. Jo vetëm që nuk është konfliktu jo vetëm që nuk është fjalos por ai nuk ka pasë armë”, deklaron avokati.

I gjithë ky rast i cili ndodhi para 7 vitesh në lokalin “Shega” në Obiliq filloj nga një mosmarrëveshje e përfundoi me vrasjen e dy personave, shkruan Gazeta inFokus.

Kujtojmë se gjatë vitit 2020 ishin caktuar pesë seanca, ku një prej tyre ishte anuluar, dy ishin shtyrë për arsye të ndryshme ndërsa dy të tjera ishin mbajtur.

Gjatë vitit 2021 janë mbajtur dy seanca, në seancën e mbajtur më 25 janar 2021, të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje ndërsa në atë të 4 marsit ishte dhënë fjala përfundimtare.

Gjatë këtij viti kishin dështuar vazhdimisht seancat për arsye të ndryshme, ndonëse kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli i cili ishte avancuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë vazhdimisht kishte caktuar seancat për këtë rast.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor të vitit 2018, i kishte shpallur fajtorë të akuzuarit Besim dhe Besart Istrefi, për vrasje dhe armëmbajtje pa leje./Gazeta inFokus/ 

Në vazhdim mund të ndiqni intervistën me detaje nga rasti “Shega” dhe vendimin e Gjykatës pas rigjykimit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera