Lajme

Kuvendi i Shqipërisë mblidhet më 7 korrik mbi gjenocidin në Srebrenicë

Autori: Gazeta inFokus 22:54 | 30 June 2022

Kuvendi i Shqipërisë ka publikuar të enjten më 30 qershor projekt-rezolutën e dorëzuar nga shumica qeverisëse për përkujtimin dhe nderimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë për seancën që do të mbahet më 7 korrik.

Në projekt rezolutën e dorëzuar nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste konfirmohet qëndrimi i Shqipërisë se mohimi i gjenocidit të kryer ndaj popullatës boshnjake nga forcat serbe të Bosnjës përbën shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Nismëtarët pohuan se projekt-rezoluta iu referohet 3 rezolutave të miratuara nga Parlamenti Europian në vitet 2005, 2009 dhe 2015.

-Advertisement-

Ndër të tjera theksohet se dënohet fuqimisht çdo prirje dhe veprim për të mohuar publikisht me qëllim ose jo, gjenocidin e kryer në Srebenicë, fshehjen e motiveve, lëvdimin e autorëve, ideatorëve dhe mbështetësve të këtij gjenocidi.

Gjithashtu konsiderohet e papranueshme e tejet të rrezikshme vazhdimin dhe përshkallëzimin e retorikës politike nacionaliste, nxitjen e urrejtjes etnike si pasojë e mohimit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë, masakrave dhe krimeve të tjera kundër njerëzimit kryer në të gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë nga disa individë, grupime, e aktorë politikë e mediatikë brenda e jashtë rajonit të Ballkanit.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar 11 rezoluta dhe deklarata për ngjarjet në Kosovë, ku në dy prej tyre është përcaktuar qartë dënimi i gjenocidit serb në Kosovë.

Prej shumë vitesh Shqipëria është ndër vendet e pakta që nuk ka miratuar një rezolutë për të dënuar gjenocidin serb në Srebrenicë.

Deputetë të opozitës, mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, u përpoqën pa sukses në mesin e muajit maj të përfshinin në punimet e Kuvendit një projekt-rezolutë për Srebrenicën.

Deputetët socialistët penguan kalimin e saj në seancë plenare, me argumentin se kërkesa nuk po rrëzohej prej temës, por për shkak të propozuesve të saj.

Deputetët socialistë u shprehën se nuk mund të pranonin propozime të tilla nga një person i shpallur non grata nga SHBA si i korruptuar dhe minues i demokracisë, dhe i njohur edhe si thyerësi i embargos ndaj Sllobodan Millosheviqit.

Projekt-rezoluta e dorëzuar sot pritet të miratohet në seancën plenare të 7 korrikut. Kreu i grupit parlamentar të PS, tha se kanë ftuar përfaqësues zyrtar të Bosnje Hercegovinës që të jenë në Kuvend në seancën që mbahet më 7 korrik./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit në Ditën Botërore të Ndërgjegjësimit për Autizmin

Të tjera