Fokus

Urat e Lupçit që po ua rrezikojnë jetën llapjanëve (Foto)

Autori: Gazeta inFokus 15:23 | 20 December 2018

Në Lupçin e Poshtëm të Podujevës gjenden disa ura.

Por dy prej tyre mbi lumin Llap janë bërë tmerri i banorëve të këtij fshati e atyre për rreth.

Ura lidh këtë fshat me Majacin, Lupçin e Epërm, Popovën, Zhegrovën është tejet e ngushtë dhe gati e shkatërruar, raporton Gazeta inFokus.

-Advertisement-

Hiç në gjendje më të mirë nuk është as ajo përmes se cilës shkohet në lagjën Pireva.

Banorët e Lupçit të Poshtëm ankohen se komuna nuk ka bërë asgjë për renovimin e këtyre urave.

Madje ata po akuzojnë se ajo me zgjerimin e shtratit të lumit veçse dëmtoi urat nga të cilat Llapin e kalojnë qindra banorë në ditë.

“Urat kryesore në fshatin tonë janë ndërtuar në vitët e 80-ta dhe atë me kontributin e vet banorëve.  E  komuna me fillimin e zgjerimit dhe pastrimit të lumit Llap ka gërryer dheun poshtë tyre duke dëmtuar jashtëzakonisht ato. Për  këtë arsye këto ura një ditë kanë me u shemb krejt”, thotë Sherif Retkoceri, i cili ka punuar në ndërtimin e të tri urave në Lupç të Podujevës dekada më parë.

Për shkak të mungesës së parmakëve në rrezik të madh janë edhe nxënësit të cilët qarkullojnë andej për të shkuar në shkollë.

Në anën tjetër Komuna e drejtuar nga Agim Veliu deri tani nuk ka marr masa për të sanuar telashet në këto ura.

Shefi i Zyrës për Informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi, tha për inFokus se brenda pak ditëve do të merren masa për vendosjen e parmakëve mbrojtës në urat kryesore të fshatit.

“Komuna e Podujevës brenda pak ditësh do të vendosë parmakët mbrojtës në tri ura në fshatin Lupç i Poshtëm, përkatësisht në dy urat kryesore mbi lumin Llap dhe në urën te Lagja e Retkocerëve”, tha Nazmi Elezi.

Ndërsa në vitin tjetër pritet një investim më i madh nga komuna.

“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 do të fillojë ndërtimi i urës së re, te ura kryesore mbi lumin Llap, në rrugën që shpie për fshatrat Lupç i Poshtëm – Majac – Lupç i Epërm – Popovë. Gjithashtu, vitin e ardhshëm do të ndërtohet edhe ura e re te lagja e Retkocerëve”, theksoi Elezi. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera