Lajme

Haradinaj me bashkatdhetarët në Vjenë: AAK është adresë për secilin që beson në Kosovën e fortë politikisht dhe ekonomikisht

Autori: Gazeta inFokus 17:13 | 30 October 2022

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj bashkë me deputeten e Kuvendit nga ky subjekt, Time Kadrijaj kanë vazhduar sot takimet me bashkatdhetarë që jetojnë e veprojnë në Austri.

Në një tubim me bashkatdhetarë në Vjenë, Haradinaj ka spjeguar proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, krizën ekonomike dhe atë politike.

“Bashkatdhetarët i dhanë mbështetje të pakursyer vendit në momente shumë të rëndësishme të rezistencës, luftës dhe shtetndërtimit. Në tubimin e sotëm në Vjenë, para bashkatdhetarëve shpjegova proceset në të cilat po kalon vendi, krizën ekonomike dhe energjetike që ka kapluar Kosovën, duke vënë në pah edhe njëherë rolin e tyre në forcimin e konsolidimin e shtetit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

-Advertisement-

Haradinaj ka bërë të ditur se ka takuar edhe biznesmenë shqiptarë në Vjenë.

“Edhe në takimin me biznesmenët shqiptarë në Vjenë, shtrova nevojën që mërgata jonë ta sheh Kosovën edhe si vend ku mund të zhvillojnë biznese dhe të investojnë. Motrat e vëllezërit tanë që jetojnë jashtë vendit, janë edhe partnerët tanë në zhvillim, e Kosova e fortë fuqizon edhe më shumë njerëzit e saj në mbarë botën”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka ndarë medalje për aktivistë të dalluar të AAK-së në Vjenë.

“Gjatë ditës së sotme, kam ndarë gjithashtu medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” për aktivistët e dalluar të Aleancës, e cila është adresë dhe shtëpi e hapur për secilin bashkatdhetar që beson në Kosovën e fortë politikisht dhe ekonomikisht”, ka përfunduar Haradinaj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €

Të tjera