Lajme

​Bislimi: Masat i kanë bërë dëme vendit, por ia ka vlejtur moslëshimi pe për sovranitetin në veri

Autori: Gazeta inFokus 14:24 | 19 June 2024

Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane dhe dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian i kanë bërë dëme Kosovës, mirëpo theksoi se ia ka vlejtur moslëshimi pe për shkak të shtimit të sovranitetit në veri. Ai tha se ka pasur tendencë nga shtetet anëtare të BE-së për koncesione shtesë ndaj Kosovës për largimin e masave ndëshkuese, mirëpo siç tha qeveria s’ka pranuar të shantazhohet.

Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane të mërkurën tha se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian duhet të hiqen sa më shpejtë, mirëpo shtoi se nuk dëshiron të spekulojë nëse do të ndodh ajo në mbledhjen e sotme të Komitetit Politik dhe të Sigurisë (PSC), pavarësisht rekomandimit pozitiv për heqjen e masave të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell.

Bislimi tha se pavarësisht vendosjes së masave ia ka vlejtur insistimi i qeverisë për vendosjen e rendit, ligjit dhe sovranitetit në veri.

-Advertisement-

Sipas tij, Kosova ka paguar çmimin për masa, mirëpo janë paguar të njëjtat pasi terroristi Milan Radojiçiq tashmë është në arrati dhe e gjithë Evropa e konsideron kriminal.

“Dëshmi është bërë. Mirëpo tash në situatën që kemi qenë atëherë ne është dashur të marrim vendim ose me heq dorë nga sovraniteti në veri ose me pagu një çmim për insistimin tonë për sovranitetin në veri. Ne mendojmë se ia ka vlejtur për arsye se situata sot në veri është sikur nata me ditën me situatën para dy-tri viteve. Merre shembull metodat e pagesës, energjinë elektrike, rrugët ilegale, kultivimin e kanabisit, zgjedhjet e Serbisë. Është sikur me ndërtu një shtet tjetër që nga fillimi në atë pjesë. Kjo ia ka vlejtur edhe për pesë herë shumën për të cilin po diskutojmë. Ia ka vlejt mos me lëshuar pe në këtë drejtim. Kërkesa ka qenë me lëshu pe. Kërkesa ka qenë ti me dal në zgjedhje, me fitu edhe mos me shku në zyre, pasi Radojiçiq po dëshiron që t’i mos me shku në zyre. Tash na masat i kemi pagu por Radojciqi është arrati dhe të gjithë Evropa e konsideron kriminel”, tha ai.

Atij i reagoi kryetarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, e cila akuzoi Bislimin se mazhoranca është marrë vesh me Radojiçiqin.

“S’mundesh me kesh Radojiçiqin kur ju merrni vesh me të. Shefja e grupit parlamentar, s’ki nevojë me lavdëru. Fol me emra kush e ka prit, fol me emra”, theksoi ajo.

Llogari dhe përgjegjësi për bisedën më Radojiçiq të shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila kërkoi edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

“Ju duhet të mbani përgjegjësi dhe llogari sepse bisedat e fundit telefonike nuk i kemi bërë ne. A e dinë çfarë do të kishte ndodh me rrethana kur një anëtar i opozitës kishte me bisedu me njeriun i cili është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. S’po flas për një individ të vetëm por për numrin e parë të deputetëve, shefen e grupit parlamentar të LVV-së”, deklaroi Deliu.

Ajo shtoi se Kosovës i është bërë dëm i madh nga masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian.

“Konsideroj se dëmi Kosovës iu është bërë. Kur e them se dëmi i është bërë, flas për 300 milionë euro vlerë të parave të BE-së të cilat kanë qenë të destinuara për projekte kapitale. Natyrisht se ndikimi i tyre kishte me qenë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës, investimet kapitale të cilat kanë qenë shumë të ulëta këtë vit. Po ashtu edhe për një pengesë për investitorët potencial të cilët duan të shohin Kosovën si vend ku mund të investojnë dhe pastaj ne futemi në radhë të shteteve të cilat janë të sanksionuara nga Bashkimi Evropian”, tha ajo.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Time Kadrija, tha se shpreson që nuk do t’i kërkohet ndonjë koncesion shtesë Kosovës për heqjen e masave.

“Shpresoj që nuk po i kërkohet ndonjë koncesion tjetër që të hiqen masat. Sa herë ndodhemi në një situatë të tillë kërkohet ndonjë koncesion tjetër që është në dëm të Kosovës”, tha ajo.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se ka pasur kërkesa jo nga Brukseli zyrtar që kanë kërkuar koncesione shtesë, mirëpo sipas tij Kosova s’ka pranuar të shantazhohet në këtë drejtim.

“Ka pas në vazhdimësi jo nga Brukseli direkt por edhe kërkesa që kanë shkuar përtej arsyes që janë vendosur masat dhe kanë kërkuar koncesione shtesë. Natyrisht Kosova s’ka pranuar të shantazhohet në këtë drejtim”, theksoi Bislimi.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
MYZHDE për krejt!

Të tjera