Fokus

EKSKLUZIVE: Dy pacientë në një shtrat në Pediatri: Shkak, keq-menaxhimi i personelit dhe renovimi i stërzgjatur i një reparti

Autori: Ermirë Berisha 12:00 | 26 November 2022

Hyrja në sezonën e virozëve, kur gripet virale janë më shumë prezentë, ka bërë që Klinika e Pediatrisë të mbingarkohet me pacientë, shkruan Gazeta inFokus.

Brenda reparteve të kësaj klinike po vendosen nga dy fëmijë në një shtrat, gjë të cilën e ka konfirmuar edhe vetë drejtoresha e kësaj klinike Doktoresha Violeta Grajçevci – Uka, raporton Gazeta Infokus.

“Gjatë 24 orëve në Klinikën e pediatrisë kontrollohen mbi 250 fëmijë, ndërsa hospitalizohen deri 39 fëmijë që është një mbingarkesë e madhe për Klinikën. Për shkak të kësaj mbingarkese ndodh që edhe dy fëmijë të jenë me një shtrat por që shumë shpejt bëhet seleksionimi i pacientëve të cilët lëshohen në shtëpi dhe vazhdojnë terapinë dhe lirohen shtretërit”, ka thënë për Gazetën Infokus, drejtoresha e Klinikës së Pediatrisë Violeta Grajçevci – Uka.

-Advertisement-

Sipas drejtoreshës, kjo po ndodhë si pasojë e mungesës së reparteve, meqenëse njëri repart ende është në renovim, duke thënë se ky repart së shpejti do të funksionalizohet, por pa treguar kohën e saktë.

Mirëpo Gazeta Infokus nga burimet e veta brenda kësaj klinike, mëson se reparti për të cilin flet drejtoresha Grajçevci – Uka, tashmë ka 6 muaj që është në renovim dhe se ky repart nuk po funksionalizohet për shkak të mungesës së personelit keq-menaxhimit të personelit ekzistues.

Drejtoresha Violeta Grajçevci – Uka, bën apel te prindërit që pasi tashmë është sezoni i virozave, të mos i dërgojnë fëmijët në hapësira me shumë njerëz dhe në ambientet me lodra, pasi që në hapësira të mbyllura mundësia e përhapjes së viruseve është më e madhe.

Burime nga kjo klinikë i kanë treguar Gazetës Infokus, se problem tjetër është edhe përhapja e infeksioneve intrahospitalore, për shkak të mbingarkesës së reparteve dhe vendosjes së dy fëmijëve në një shtrat.

“Ambientet e mbyllura po se po, por ne kemi edhe infeksione intrahospitalore në Klinikën e Pediatrisë dhe kjo duhet të përbëjë shqetësim për menaxhmentin e klinikës. Nuk ka fëmijë që hospitalizohet aty dhe që del pa marrë infeksione intahospitalore dhe fajin këtu e ka menaxhmenti që nuk po menaxhon si duhet me stafin ekzistues, në mënyrë që të hapet reparti që po rri i mbyllur tash e 6 muaj dhe të riorganizohet stafi që edhe ai repart të jetë funksional. Por jo, nuk ka menaxhim të duhur, sepse në Klinikën e Pediatrisë ka staf të privilegjuar dhe ka staf që heqin të zitë e ullirit. Ky është problemi! Disa nga stafi punojnë vetëm paradite si privilegj që ua jep menaxhmenti, e disa të tjerë rropatën nëpër ndërrime, e me nga 12 e 16 pacientë. Kjo është situata reale”, i ka thënë Gazetës Infokus, një burim brenda kësaj klinike.

Gazeta Infokus në ditët në vijim do të bëjë publike edhe probleme tjera në këtë klinikë, e që janë hasur gjatë një hulumtimi disa ditor pikërisht për këtë problematikë në Klinikën e Pediatrisë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC

Të tjera