Fokus

E vërteta për papunësinë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 16:05 | 20 June 2019

Nga janari deri në fund të muajit mars, Kosova kishte 19,255 persona të papunë më pak. Krahasuar me fundin e vitit të kaluar sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës papunësia në Kosovë ka rënë për 4.5 për qind, nga 29.6 për qind.

Bazuar në këto të dhëna të Anketës së Fuqisë punëtore të publikuar dy ditë më parë, në tërë Kosovën të papunë llogariten të jenë 125,717  persona nga 144,972 persona sa ishin në dhjetor të vitit të kaluar, shkruan Gazeta inFokus.

Por, gjatë ditës u raportua ndryshe nga institucione të ndryshme të vendit.

-Advertisement-

Disa që lexuan gabimisht raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, raportuan se në Kosovë mbi 60 për qind e qytetarëve janë të papunë.

Ndërkaq, një pjesë u krenuan me uljen e shkallës së papunësisë, të cilën ia atribuan Qeverisë së Kosovës në krye me Ramush Haradinajn.

Por, nëse lexohet me vëmendje Anketa e Fuqisë Punëtore del se Agjencia e Statistikave të Kosovës për tre muaj ka arritur t’i shpallë të pa aftë për punë hiq më pak se 32,316 qytetarë.

Duket e pabesueshme por në bazë të krahasimeve të shkallës së papunësisë së vitit 2018 dhe tremujorit të këtij viti ulja e papunësisë është vetëm një lojë me shifra, por jo edhe realitet, shkruan Gazeta inFokus.

Por si  ka ndodhur?

Gazeta inFokus ka analizuar dy anketat e fundit të Anketën e Fuqisë Punëtore për të gjetur se krejt çka ka ndodhur është rritja e numrit të qytetarëve në kategorinë jo aktive për punë, që automatikisht i heq nga tregu i punës duke bërë që shkalla e papunësisë të jetë më e ulët, pavarësisht se shkalla e punësimit mbetet e njëjtë.

Nëse i referohemi Anketës së Fuqisë Punëtore për vitin 2018 të publikuar me 2 prill, shkalla e popullsisë në moshë pune të cilët nuk janë ekonomikisht aktiv, ishte 59.1 për qind, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.

Përkthyer në shifra, i bie që 708,170 persona nuk ishin ekonomikisht aktiv, ndërsa shkalla e papunësisë ishte 29.6 për qind, shkruan Gazeta inFokus.

Por, me 18 qershor, kur publikohen rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore, për tremujorin e parë të vitit 2019 del se është rritur shkalla e popullsisë në moshë pune të cilët nuk janë ekonomikisht aktiv, nga 59.1 për qind në 61.3 për qind.

Pra, numri i qytetarëve joaktiv për punë është rritur në 740,486 persona, të cilët nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara dhe/ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh, shkruan Gazeta inFokus.

Kësisoj shkalla e papunësisë ka rënë nga 29.6 për qind në 26.9 për qind dhe vetëm 125,717 persona në tërë Kosovën dalin si të papunë.

Por, si dëshmi se në këtë periudhë nuk ka pasur rritje të punësimit është shkalla e punësimit e e cila është ulur nga, 28.8 për qind në 28.2 për qind, krahasuar me raportimin paraprak. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera