Fokus

E çuditshme. Ja pse Vetëvendosje po e përkrahë Qeverinë

Autori: Sylejman Sylejmani 16:05 | 17 January 2019

Kërkesa e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të hiqet taksa prej 100 për qind e vendosur nga Kosova për Serbinë, ka trazuar politikën në Prishtinë.

Në një kohë kur po tentohet një normalizim i raporteve mes dy shteteve, kjo taksë po shihet shumë e dëmshme nga SHBA-ja, shkruan Gazeta inFokus.

Mirëpo, përveç qeverisë pa qëndrim të qartë rreth kësaj çështje është edhe opozita.

-Advertisement-

Natyra Kuçi, zëdhënëse në Partinë Socialdemokrate, në një prononcim për Gazetën inFokus ka thënë se në PSD akoma nuk kanë qëndrim për këtë punë.

“Jo nuk kemi qëndrim, nuk e kemi diskutuar akoma që me dal me një qëndrim zyrtar. Nuk është se është diskutuar diçka e veçantë pas kësaj që ka kërkuar SHBA”, ka thënë shkurt Kuçi për inFokus.

E më Lidhjen Demokratike të Kosovës thotë se qeveria pasi nuk i konsultoi ata, duhet të vendosë vet për këtë çështje.

“Kjo është me vendimmarrje të qeverisë. Ata nuk e kanë konsultuar LDK-në e as SHBA-në, prandaj u takon atyre që të gjejnë rrugëdalje nga kjo situatë e palakmueshme. Po të ishte LDK-ja në qeveri, fillimisht do të konsultoheshim me SHBA-të, BE-në, Gjermaninë e Britaninë së Madhe”, ka thënë për inFokus, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Vendosjen e taksës, si një nga punët e rralla të mira të qeverisë, e ka konsideruar Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo e ka mbështetur qeverinë që të jetë e paluhatshme në këtë vendim.

“Është i natyrshëm ky presion ndërkombëtar kur kemi parasysh presidentin i cili kokë në vete vrapon për pazare me Vuçiqin dhe vendos gjithçka në tavolinë dhe kur kemi po ashtu parasysh një ekip negociator që i bënë amnisti presidentit në aventurën e tij. Pra, joserioziteti i institucioneve të Republikës së Kosovës ka për pasojë cenueshmërinë e lehtë përmes presioneve siç është edhe rasti i taksës. Por, mos të harrojmë se edhe në rastin e Ushtrisë së Kosovës kishim fillimisht kundërshtime të mëdha, por që më pas me vendosmëri u tejkalua gjithçka. Megjithatë taksa ndaj Serbisë më shumë po sulmohet nga brenda koalicionit sesa nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Kurti për inFokus.

Taksa prej 100 për qind për Serbinë, u vendos nga qeveria e Kosovës në fund të nëntorit të vitit të kaluar.

Atë që nga fillimi e ka kundërshtuar Bashkimi Evropian, së fundmi presionet për largimin e saj janë shtuar edhe nga SHBA-të. /Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera