Fokus

“Argati i Serbisë” dhe  “Ukshi” bëhen dosta para zgjedhjeve

Autori: Halil Berisha 17:10 | 13 August 2019

Dikur e quante gomarë, tash pajtohen për një qeveri që u kthen shpresën qytetarëve.

Dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të vendit, ka bërë partitë politike që të fillojnë përgatitjet për votat e popullit.

Kështu, në mënyrë që të udhëheqin qeverinë e vendit, flitet e mendohet edhe për koalicione parazgjedhore, shkruan gazeta inFokus.

-Advertisement-

Ajo çka bie në sy, për dallim prej tjerave, është një “flirt” në mes të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ani se, të dy këto, thonë që nuk lëshojnë postin e kryeministrit.

 

Madje, zgjedhjet e qeveria e re ishte pikërisht tema e takimit që të martën zhvilluan dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa.

“Në takim me z. Albin Kurti sot, biseduam për gjendjen në Kosovë, sidomos pas dorëheqjes së Kryeministrit të vendit. U pajtuam se jo vetëm që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje por duhet të rezultojë një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë sonë. Kjo qeveri e re e Kosovës duhet të sillet me përgjegjësi dhe kompetencë në zhvillimin ekonomik, si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, në menaxhimin e arsimit dhe shëndetësisë, në luftën kundër krimit, korrupsionit dhe kapjes së shtetit si dhe në hapjen e rrugës së integrimeve evropiane”, ka shkruar Isa Mustafa pas takimit.

 

Ndërsa, Albin Kurti, statusin e tij e nis duke iu drejtuar si profesor Isa Mustafës, dhe me urime si për punë ashtu edhe shëndet, shkruan gazeta inFokus.

“Ky ishte takimi i parë me Prof. Isa Mustafën pas rizgjedhjes së tij kryetar i LDK-së. I urova punë të mbarë dhe shëndet. Biseduam për situatën politike në vend dhe gjendjen e rëndë ekonomike, për nevojën e daljes nga kriza dhe të vendosjes së shtetit në binarët e zhvillimit. Me 22 gusht dy grupet tona parlamentare do të jenë në përbërje të plotë për ta shpërndarë Kuvendin e për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja demokratike. Konstatuam që tashmë shpresa po rikthehet te qytetarët, për një të ardhme me drejtësi e përparim”.

Por, kaq të dashur e të afërt nuk ishin edhe pak kohë më parë, kur njëri ishte në pushtet, e tjetri në opozitë.

Ndërsa në protestat që Vetëvendosje bënte kundër vendimeve të Qeverisë Mustafa, një prej parollave më të zëshme ishte “Isë Isë, argat i Serbisë”.

Vetëvendosje kishte bërë edhe një aksion tek shtëpia e Isa Mustafës në fshatin Prapashticë të Prishtinës, të cilin e pati dënuar presidenti Hashim Thaçi.

Në këtë rast, Albin Kurti, nuk i referohej Isa Mustafës si profesor, por si pronar i rançit në Prapashticë.

“Për qytetarët e Republikës, liria është pushtet. Për Thaçin, pushteti është liri. Vetëm duke qenë brenda pushtetit ai mbetet jashtë burgut. Nga kjo pozitë ai e pranoi Zajednicën me Serbinë. Dhe, u solidarizua me pronarin e rançit në Prapashticë. Zajednicën e Serbisë në Kosovë e mundëson Zajednica e vëllezërve të Thaçit me djemtë e Isës”, pati thënë Albin Kurti.

E përmendja e djemve të tij, Isa Mustafa nuk e pati pritur hiç mirë, shkruan gazeta inFokus/

Bile, pati krahasuar Albin Kurtin me një kafshë.

“A e di kush, çka ka ky gomari i Zajednices me djemt e mij??? Te drejtohet kah une Ukshi se e ka humbur rrugen”./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!

Të tjera