Fokus

Alarmon eksperti i sigurisë, çfarë mund të ndodhë nëse mbahen zgjedhjet në veri?

Autori: Gazeta inFokus 12:43 | 13 April 2023

Kanë mbetur saktësisht edhe dhjetë ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të cilat është paraparë të zhvillohen me 23 prill.

Lidhur me këtë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se në prag të zgjedhjeve ka tendencë të qartë që të destabilizohet veriu.

E i pari i Kuvendit e sheh të paarsyeshme që zgjedhjet në veri të shtyhen edhe një herë.

-Advertisement-

Mirëpo, a ka kushte sa i përket sigurisë për mbajtjen e zgjedhjeve në veri?

Sipas ekspertit të sigurisë, Bedri Elezi, duke u bazuar në situatën aktuale të sigurisë në veriun e Mitrovicës, aktivitetet e dhunshme në vitin 2022, si dhe paralajmërimet të institucioneve të sigurisë në vend, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në atë pjesë të Kosovës.

Në një prononcim për Gazetën Infokus, Elezi ka thënë se kjo mund të sjellë incidente dhe eskalim të situatës jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.

“Nëse marrim në konsideratë situatën e sigurisë në veriun e Mitrovicës, pastaj aktivitetet e dhunshme të vitit 2022, si dhe paralajmërimeve të vetë institucioneve të sigurisë së Republikës të Kosovës, atëherë nuk ka kushte të mjaftueshme të sigurisë për organizimin e zgjedhjeve të lira, ngase mund të kemi incidente dhe eskalim të situatës së sigurisë jo vetëm në Kosovë, por në gjithë rajonin”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Elezi thotë se organizimi i zgjedhjeve në një zonë siç e quan ai të nxehtë, do t’i shërbej planeve sekrete të shërbimeve të inteligjencës serbo-ruse.

“Referuar deklaratave të presidentes si dhe institucioneve të sigurisë, se Serbia po përgatitet për aktivitete të dhunshme në territorin e Republikës së Kosovës për mos lejimin e organizimin e jetës shoqërore sipas normativave apo Kushtetutës së Republikës së Kosovës, atëherë organizimi i zgjedhjeve në këtë zonë të nxehtë pikërisht do të i shërbej planeve sekrete të shërbimeve të inteligjencës serbo-ruse”, deklaroi eksperti i sigurisë për Infokus.

Madje ai thotë se Kosova duhet të marrë garanci nga NATO dhe partnerët ndërkombëtarë që Serbia nuk do të përzihet në organizimin shoqëror në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe komunat veriore.

Nëse ndodhë e kundërta sipas Elezit, zgjedhjet në katër komunat veriore nuk duhet të mbahen.

“Në këto rrethana, institucionet e Kosovës përmes garantuesit të sigurisë, përkatësisht garantuesit të territorit të Republikës së Kosovës NATO’s, si dhe partnerëve ndërkombëtarë duhet marrë garanci se Serbia nuk do të përzihet në organizimin shoqëror në Kosovë, përfshi edhe komunat në veriun e Mitrovicës. Në të kundërtën zgjedhjet nuk duhet mbahen”, tha Elezi.

Shtyrja e zgjedhjeve në katër komunat veriore ishte edhe propozim i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të enjten në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

“Unë i bëj thirrje qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në Veri dhe ta marrin një vendim në lidhje me këtë situatë. Cili do të ishte ky vendim, unë besoj shumë që do të ishte shtyrja e zgjedhjeve”, ka thënë i pari i AAK-së para deputetëve.

Kujtojmë se organizimi i zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok erdhi si pasojë e dorëheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për ri regjistrimin e veturave me targa ilegale serbe në RKS, vendim ky që u kundërshtua ashpër nga serbët e Kosovës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës që pritet të mbahen më 23 prill, fillimisht ishin planifikuar që të zhvilloheshin më 18 dhjetor të vitit 2022, mirëpo institucionet e vendit u detyruan t’i shtyjnë ato, për shkak të incidenteve dhe tensioneve në veri./Gazeta Infokus/

 

Përfshirja e policisë në plagosjen e serbit, a pritet të ketë tensionim të situatës në veri?

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera