Fokus

Alarmante| Paratë e Trustit po humbin, askush se merr parasysh një propozim për ruajtjen e tyre

Autori: Sylejman Sylejmani 17:00 | 19 October 2018

Ka pesë muaj që Flamur Keqa, ish-anëtar i Bordit në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, e ka dërguar një propozim në drejtim të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, kryetarëve të komisioneve parlamentare për Buxhet dhe Financa e atij të Zhvillimit Ekonomik, si dhe shefave të grupeve parlamentare në Kuvend.

Kërkesa e Keqës është që Trusti të bëjë garantimin e fondit pensional, raporton Gazeta inFokus.

Në propozimin e detajuar, ai tregon se kriza financiare dhe ekonomike ka ngritur paqartësi tek të ardhurat pensionale të cilat burojnë nga planet e pensioneve të përcaktuara me kontribut.

-Advertisement-

Keqa përveç garantimit të vlerës së tanishme të kontributeve, kërkon që të garantohet edhe një kthim i mjeteve.

“Propozimi ka qenë që përpos garantimit të vlerës nominale të mjeteve të pensionisteve të garantohet edhe një kthim të mjeteve në 2%. Pas mosaprovimit të këtij propozimi në Trust, propozimin për garantimin e fondeve pensionale e kam dërguar në Kuvendin e Kosovës dhe atë në adresë të kryeparlamentarit, sekretarit, shtatë kryetarëve të grupeve parlamentare si dhe komisionin për buxhet dhe financa, si dhe atij për ekonomi”, thotë ai.

Krejt ideja e këtij propozimi, Keqa thekson se është që të parandalohen humbjet që mund t’u shkaktohen pensionistëve, si dhe të mbrohet vlera e mjeteve.

“Nëse një person mbledhë rreth 50 mijë euro kur del në pension, si shkak i ndryshimit te tregjeve financiare dhe investimeve të Trusit, personi që del në pension mund të dëmtohet dhe mos e marrë pjesën të cilën e ka dërgu në Trust”, tregon ish-anëtari i bordit  të Trustit.

Në propozimin e tij ai ka marrë edhe disa shembuj nga shtetet gjithandej botës.

Në Zvicër fondet e pensioneve aktualisht duhet të përmbushin një prag minimal kthimi për 2%.

“Kthimi minimal ka ndryshuar gjatë dekadës së fundit për të pasqyruar kushtet e tregut. Ajo u ul në 3.25 për qind në vitin 2003 dhe në 2.25 për qind në vitin 2004. Ajo u rrit në 2.5 për qind në vitin 2005 dhe 2.75 për qind në vitin 2008 dhe më pas u ul në janar 2009 në 2 për qind”, ka shkruar ai në propozimin e tij.

Por megjithatë, edhe pse kanë kaluar 5 muaj prej kur Keqa e ka dërguar propozimin e tij në Kuvend, akoma askush nuk është marrë me të.

Gazeta inFokus për disa ditë me radhë ka provuar të kontaktojë me kryetarin e komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku, por ai nuk është përgjigjur.

Njëjtë ka vepruar edhe kryetarja e komisionit për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha Shala.

Edhe Trusti, i cila ia refuzoi këtë propozim Keqës kur ky ua prezantojë, nuk ka dhënë arsye për këtë refuzim.

E vet Keqa është i befasuar nga neglizhenca.

“Se kam pritur një neglizhim të tillë. Për këto 5 muaj askush nuk më ka njoftuar se çfarë është bërë me propozimin tim”, thotë ai.

Kujtojmë, se Trusti vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti ka regjistruar 39.5 milionë euro humbje.

Varësisht prej tregjeve ndërkombëtare Trusti ka pasur humbje edhe viteve të kaluara./Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera