Fokus

A e mbylli Avdullah Hoti Task Forcën që po luftonte korrupsionin pasi po hetohej ai bashkë me zyrtarë të LDK-së?

Autori: Doresa Geci 09:56 | 23 October 2020

Reagime të shumta nga ambasada e huaja e shoqëria civile ka nxitur vendimi i Kryeministri Avdullah Hoti për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion e cila ishte në kuadër të Policisë së Kosovës.

E shuarja e këtij departamenti po shihet si tendencë e kryeministrit Hoti për të ndalur disa hetime rreth aferave korruptive ndaj zyrtarëve të partisë së tij.

Drejtori i Institut Kosovarë për Drejtësi, Ehat Miftaraj konfirmon se dhjetëra zyrtarë të LDK-së kanë qenë duke u hetuar nga Task Forcë Anti-Korrupsion.

-Advertisement-

“Sidoqoftë, për Qeverinë Hoti me këtë qasje nuk është me rëndësi promovimi i sundimit të ligjit në Kosovë, por shkatërrimi i rasteve në proces ku me dhjetëra zyrtarë të lartë të LDK-së dhe AAK-së kanë qenë duke u hetuar nga kjo Taskë Forcë”, ka thënë Miftaraj për Infokus.

Madje, dikush vlerëson se kreu i Qeverisë këtë veprim e mori për ta shpëtuar veten.

Genc Nimoni nga Organizata Çohu po e akuzon Hotin se mbyllja e kësaj Task Force erdhi pasi vet kryeministri Hoti dhe Ministrja e Financave, Hykmete Bjarami po intervistoheshin për rastin e njohur të 53 milionëve të “Bechtel Enkas”.

“Rezultatet veçse patën filluar të vërehen, të disa rasteve që veç filluan arrestimet, dhe të tjerave të cilat kanë qenë në procedim si rasti i njohur i mbi 50 milion Euro për Bechtel Enka, për çka edhe kanë qenë të intervistuar edhe vet Kryeministri i tanishëm dhe një ministre në cilësinë e dëshmitarëve, derisa për një ish-ministër, ka pasur kallëzim penal. E gjithë kjo do t’i kushtojë Republikës së Kosovës dhe qytetarëve dhe do të ndikojë tutje në mungesë të efektivitetit në luftim të korrupsionit si dhe në humbje të besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, shprehet ai.

Nimoni, e sheh shuarjen e këtij departamentit si mungesë të vullnetit të Qeverisë Hoti për ta luftuar korrupsionin.

“Ka disa anë negative të shuarjes së kësaj task-force. Fillimisht kjo dëshmon për pavullnetin e Qeverisë dhe Shtetit për të kontribuar efektivisht në parandalim, luftim dhe hetim të korrupsionit. Anë tjetër negative është pengesat që do të kemi tutje në hetim dhe luftim kualitativ të korrupsionit, në veçanti për rastet që kanë qenë në procedim tani dhe se fundmi, e gjithë kjo do të përkthehet në një mungesë të vullnetit për të luftuar korrupsionin e cila do të ketë pasojat në liberalizim të vizave dhe në stagnim në proceset integruese të Republikës së Kosovës”, ka thënë Nimoni për Gazetën Infokus.

Shpërbërja e task-forcës kunder korrupsionit sipas njohësve të zhvillimeve në vend është bërë pa ndonjë analizë paraprake.

“Në kushte normale, para se të shuhet një task-forcë sikur kjo në fjalë, do të duhej shikuar punën e saj, rezultatet konkrete dhe të kemi një vlerësim paraprak për aktivitetin dhe rezultatet e kësaj task-force, pastaj nëse rekomandimet kishin qenë për shuarje, të veprohet në koordinim me hisedarë të tjerë. Në rastin konkret nuk ka ndodhur kjo dhe rrjedhimisht nuk mendoj se shuarja do të bëhej në këtë formë”, shprehet Nimoni.

Përveq kësaj njohësit e drejtësisë thonë se vendimi për shuarjen e Task Forces kundër korrupsionit është bërë në kundërshtim me dokumentet e hartuar më herët për sundim të ligjit.

“Pa hyrë në atë nëse kjo Task Forcë ka qenë e suksesshme apo jo, një shtet normal, një qeveri normale nuk shuan mekanizma të specializuar në luftimin e korrupsionit dhe krimeve financiare brenda dites, pa asnjë analizë paraprake, pa asnjë konsultim me partnerët ndërkombëtarë që e kanë ndihmuar këtë Task Forcë me miliona Euro. Aq më tepër, kur një vendim i tillë merret në kundërshtim të plotë me dokumentet e Rishikimit Funksional të Sektorit të SUndimit të Ligjit, dokumente që janë hartuar pas një analize të gjatë prej katër viteve nga MD, MPB, KGJK, KPK, Policia e Kosovës, SHBA, BE, Këshilli i Evropës, UNDP, etj”, thotë Ehat Miftaraj.

Poashtu anë negative e shkatërrimit të kësaj taksë force po shihet humbja e investimeve të mëdhë i është bërë kësaj taksë-force dhe trajnimit dhe avancimit të 30 zyrtarëve hetimor në veçanti nga akterë të ShBA-ve dhe BE-së.

Kujtojmë që për shuarjen e kësaj Task Force ka reaguar Ambasadori gjerman në Kosovë, Jörn Rode, i cili ka kritikuar Qeverinë Hoti.
“Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngritë shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive”, shkroi ai në Twiterr.

Ndërkaq vet, kryeministri Avdullah Hoti, në një konferencë për shtyp shuarjen e task-forcës thotë ta ketë bërë për shkak se ishte antikushtetuese.
“Ka qenë antikushtetues. Pushtetet janë të ndara. Përmes këtij vendimi brenda PK janë kritikuar struktura jo ligjore jo në përputhje me ligjin. Ju garantoj që ne do ta kthejmë ligjshmërinë. Unë ju garantoj që jemi të vendosur që të kthejmë ligjshmërinë. Dhe me lejoni të them që nuk keni parë gjë akoma sa i përket vendimeve për kthim të ligjshmërisë”, theksoi Hoti./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt

Të tjera