Lajme

Supremja vërteton pezullimin e vendimeve për leje ujore dhe mjedisore për Hidrocentralin “Lepenci 3”

Autori: Gazeta inFokus 10:39 | 03 September 2022

Gjykata Supreme ka vendosur përfundimisht që të mbetet në fuqi pezullimi i vendimeve për leje ujore dhe mjedisore për Hidrocentralin “Lepenci 3” në Kaçanik, deri në vendosjen përfundimtare të rastit sipas padisë, sipas njoftimit të Qendrës për Raste Gjyqësore Strategjike.

Supremja ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga pala e interesuar kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë.

Gjykata e Apelit po ashtu kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e të paditurës – Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe të palës së interesuar të parashtruara ndaj Aktvendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin është aprovuar si i bazuar propozimi për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve të kontestuara.

-Advertisement-

Gjykata Supreme përfundimisht ka aprovuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve për leje ujore dhe mjedisore, të cilat vendime janë kontestuar nga organizatat paditëse GLPS dhe Gjethi, për arsye se procesi që i ka paraprirë lëshimit të Lejes Ujore dhe Lejes Mjedisore për Hidrocentralin “Lepenci 3” në Kaçanik, ka pasur shumë shkelje ligjore, si mos-zbatimi i procedurës së koncesionit, mungesa e debatit publik apo mungesa e njoftimit adekuat të publikut për të dhe degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj.

Pas shqyrtimit të lëndës, gjykata Supreme ka gjetur se kërkesa e palës së interesuar për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor është e pabazuar. Po ashtu, ka theksuar se gjykata e shkallës së dytë ka vepruar drejt kur ka refuzuar si të pabazuara ankesat e të paditurës dhe të palës së paditur. Kjo për arsye se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore të përcaktuara me nenin 22 të Ligjit për konfliktet administrative dhe se vendimet e gjykatave të instancës më të ulët kanë rezultuar nga shkresat e lëndës nga të cilat kanë konstatuar se zbatimi i vendimeve të kontestuara me padi paraqet rrezik të shkaktimit të dëmit në mjedisin jetësor, degradimit potencial të natyrës. Gjykata Supreme ka vlerësuar se e drejta materiale është aplikuar drejtë dhe nuk është shkelur ligji në dëm të palës së interesuar.

“GLPS dhe Gjethi mirëpresin vendimin e gjykatës dhe mbesin të përkushtuar në mbrojtjen e të drejtës së qytetarëve në pjesëmarrje në vendimmarrje, mbrojtjen e natyrës dhe luftimin e shmangies së kërkesave ligjore nga institucionet publike”, thuhet në njoftim.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera