Lajme

Kurti: Për katër vjet krijuam 87 mijë vende të reja pune, buxhetin e rritëm për 1 miliard

Autori: Gazeta inFokus 17:24 | 18 May 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot teksa ka folur për skemën e re të asistencës sociale, ka thënë se s’është e nevojshme që të flitet për situatën me vende të punës në Kosovës, meqë statistikat flasin vetë.

Kurti pretendon se në katër vitet e fundit, në Kosovë janë krijuar 87 mijë vende të reja pune, apo 26 % më shumë sesa kanë qenë në vitin 2019.

Përveç kësaj, kreu i ekzekutivit ka thënë se kanë arritur që të sigurojnë për buxhetin e Kosovës 1 miliard euro më shumë  përgjatë tri viteve qeverisje, që sipas Kurtit është më shumë sesa që është arritur për 10 vitet e kaluara.

-Advertisement-

“Kur morëm mandatin qeverisës premtuam punë dhe drejtësi. Punë që nënkupton zhvillimin ekonomik të vendit dhe drejtësi që nënkupton trajtim të drejtë e të barabartë para ligjit.Për të parën, fjalimet nuk janë të nevojshme! Statistikat e rritjes së vendeve të punës, uljes së shkallës së papunësisë, rritjes së punësimit të grave dhe të rinjve, rritjes ekonomike, rritjes së qarkullimit të bizneseve, e rritjes së të hyrave buxhetore, pasqyrojnë qartazi suksesin e Qeverisë sonë në këtë drejtim”, ka thënë Kurti në fjalën e tij.

“Nga 331,742 vende pune në mbyllje të vitit 2019, në fund të vitit 2023, pra për një periudhë 4 vjeçare, kemi 419,126 vende pune apo mbi 87 mijë vende pune më shumë apo mbi 26 për qind. Më tej, nga një rritje ekonomike prej 1 miliard euro për tri vite gjatë mandateve para qeverisë sonë, kaluam në një rritje ekonomike prej 1 miliard euro në vit me Qeverinë tonë. Nga një rritje e të hyrave buxhetore prej 1 miliard euro për më tepër se 10 vite para nesh, kaluam në një mbledhje të të hyrave buxhetore për 1 miliard euro më shumë për tri vite qeverisje”, ka shtuar tutje.

Sipas tij, një situatë të tillë e “konfirmojnë edhe institucionet ndërkombëtare financiare në raportet e tyre, sikurse Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar e së fundmi edhe raporti i agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit kreditor, Fitch Ratings.

Por punën tonë për zhvillim ekonomik të vendit e cila u përkthye në më shumë vende pune për qytetarët e Republikës dhe më shumë të hyra buxhetore për Kosovën, nuk e ndalëm këtu”, ka potencuar Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet

Të tjera