Lajme

Rasti Thaçi e të tjerët, gjykata miraton kërkesën e mbrojtjes, zgjatë kufirin e fjalëve për dosjet paraprake në 25 mijë fjalë

Autori: Gazeta inFokus 14:02 | 13 October 2022

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, ka aprovuar kërkesat e mbrojtjes në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe me anë të vendimit të tij ka zgjatur kufirin e fjalëve për dosjet paraprake në 25,000 fjalë.

Në vendim thuhet se më 20 maj 2022, gjatë konferencës së dymbëdhjetë të statusit, gjyqtari i procedurës paraprake urdhëroi ekipet e mbrojtjes që të dorëzojnë dosjet e tyre paraprake deri më 21 tetor 2022.

Sipas vendimit, më 10 tetor 2022, mbrojtja për Kadri Veselin, Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin kërkoi që gjyqtari i procedurës paraprake të autorizojë zgjatjen e kufirit prej 20,000 fjalësh për secilën nga dosjet përkatëse të mbrojtjes për 25,000 fjalë.

-Advertisement-

Mbrojtja thuhet se parashtron se ekziston një arsye e mirë për zgjatjen e kërkuar të 5,000 fjalëve për shkak të (i) gjatësisë së dosjes paraprake të SPO-së; (ii) pretendimet e shumta ndaj të cilave Mbrojtja duhet të përgjigjet; dhe (iii) elementet ligjore materiale që duhet të merren parasysh.

Më 11 tetor 2022, bëhet e ditur se ZPS bëri me dije se nuk e kundërshton kërkesën.

Gjyqtari i procedurës paraprake thuhet se konstaton se kërkesa është dorëzuar mjaft përpara afatit për dorëzimin e dosjeve paraprake të mbrojtjes.

“Për sa i përket shfaqjes së shkakut të mirë, gjyqtari i procedurës paraprake vë në dukje arsyet e paraqitura nga Mbrojtja, në veçanti pretendimet e shumta ndaj të cilave mbrojtja duhet të përgjigjet dhe faktin se ZPS-së i është dhënë një zgjatje e kufirit të fjalës për dosjen paraprake dhe se ZPS nuk e kundërshton kërkesën”, thuhet tutje.

Gjithashtu, vendimi thotë se duke pasur parasysh se zgjatja e kufirit të fjalës do të mundësojë depozitimin e një dosje paraprake më të qartë dhe më të plotë, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se nuk do të ketë asnjë paragjykim nga pala kundërshtare ose nga mbrojtësi i viktimave në aprovimin e kërkesës.

“Rrjedhimisht, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se është vërtetuar një shkak i mirë që garanton zgjatjen e kërkuar të kufirit të fjalës dhe e zgjeron kufirin e fjalëve për secilën nga dosjet paraprake të mbrojtjes paraprake në 25,000 fjalë. Për më tepër, gjyqtari i procedurës paraprake e konsideron të përshtatshme që të njëjtën zgjatje – 5000 fjalë shtesë – ta ofrojë edhe për mbrojtjen e Rexhep Selimit”, thotë vendimi.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.

Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.

Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi individualisht penalisht përgjegjës për: pikën 1 persekutim mbi baza politike dhe/ose etnike, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas nenit 13 (1) (h), 16 (1) ( a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 2: burgim, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (e), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; pikën 3 arrestimi dhe paraburgimi i paligjshëm ose arbitrar, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c), 16 (1) (a), dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thuhet në aktakuzë nga ana e prokurorisë.

Në pikën 4, ata ngarkohen me veprën akte tjera çnjerëzore, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (j), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit, kurse në pikën 5 për trajtim mizor, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit.

“Pika 6: torturë, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (f), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të ligji; Pika 7: torturë, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 8: : vrasje, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (a), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 9: vrasje, krim lufte, i dënueshëm sipas neneve 14 (1) (c) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit; Pika 10: zhdukja e detyruar e personave, krim kundër njerëzimit, i dënueshëm sipas neneve 13 (1) (i), 16 (1) (a) dhe 16 (1) (c) të Ligjit”, thotë aktakuza.

Ndryshe, gjykatësi paraprak, më 29 shtator, miratoi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për tërheqjen e pretendimeve për krime ndaj të paktën një viktime në Komunën e Ferizajt.

Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Në aneksin e publikuar sa i përket krimeve që pretendohen se ndodhën në Semetishtë dhe Budakovë, prokuroria ka listuar krimet e luftës si arrestimi dhe ndalimi i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor ose çnjerëzor, torturë, vrasje. Ndërkaq, si krime kundër njerëzimit i ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen, zhdukjen e personave me forcë dhe persekutimin.

Kurse, për krimet që pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimi dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera