Fokus

I dha tender kompanisë me çmim dyfish më shtrenjtë, Komuna e Prizrenit insiston që ishte çmimi më i ulët, dokumentet dëshmojnë të kundërtën

Autori: Gazeta inFokus 13:01 | 19 June 2024

Arsyetime të çuditshme kanë Drejtuesit e Komunës së Prizrenit për një tender që dhanë dyfish më të shtrenjtë se sa ofertat që pranuan.

Gazeta Infokus javën e kaluar ka raportuar për një tender për shërbime shëndetësore në komunën e Prizrenit i cili iu dha kompanisë që kishte ofruar çmimin dyfish më të shtrenjtë.

I gjith raportimi është bazuar në dokumente zyrtare. Por megjithatë nga kjo komunë po insistojnë se kompania “C.I.K, ka qenë operatori ekonomik që ka ofruar çmimin më të lirë, pavarësisht se dokumentet e tenderimit e dëshmojnë të kundërtën.

-Advertisement-

Komuna e Prizrenit në krye me Shaqir Totajn, po arsyetohet se grupi i operatorëve ekonomikë që kanë ofruar çmimin më të ulët sipas tyre ka qenë të papërgjegjshëm.

Zyrtarja për dokumentim dhe Informim në komunën e Prizrenit, Adelina Hoxhaj, është përgjigjur shkurt në pyetjet të dërguara nga Gazeta Infokus duke insistuar se tenderi iu dha kompanisë me çmimin më të ulët.

“Sepse ka qenë oferta e përgjegjshme me çmimin më të ulët, sipas komisionit të vlerësimit të ofertave ka qenë i pa pergjegjshëm “Kosova Med Healtheare Sh.P.K. Operatori Ekonomik “CIK” ka qene operatori me ofertën e përgjegjshme me çmimin më të ulët dhe nuk vleresojmë se duhet të anulohet kontrata”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj përsëri është pyetur nga Infokusi se cilat janë arsyet pse operator tjetër është treguar i papërgjegjshëm mirëpo e njëjta deri në publikim e këtij artikulli nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.

Dokumenti i ofertave dëshmon të kundërtën

Mirëpo dokumenti i ofertave që ofruan këto dy kompani të cilin e kishte siguruar Gazeta Infokus thotë të kundërtën.

Aty shihet se kompania “C.I.K”, ka ofruar 10.32 euro për shërbim shëndetësor apo afro 5.44 euro më shtrenjtë se sa grupi i operatorëve ekonomikë që u eliminuan nga gara.

Ndërsa konsorciumi “KosovaMed Healthcare SH.P.K” “nDONA SH.P.K”, për një shërbim shëndetësor kanë ofruar 4.88 euro.

Kontrata mban titullin: “Blerja e shërbimeve shëndetësore për përmbushjen e nevojave për staf shtesë të institucioneve të KPSH-ës”.

Komuna në letrën standarde për tenderuesin e suksesshëm të cilën po ashtu e ka siguruar Gazeta Infokus kishte shkruar se kompania C.I.K ka ofruar çmimin më të ulët.

“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë se ju keni dorëzuar [tenderin ekonomikisht më të favorshëm] [tenderin me çmimin më të ulët të ofertës së përgjegjshme] si përgjigje ndaj [njoftimit të kontratës] [ftesës për të dorëzuar tenderët në procedurën e kufizuar] [ftesës për të dorëzuar tenderët në procedurën konkurruese me negociata] për aktivitetin e prokurimit te lartcekur. Juve ju është dhënë kontrata me çmimin  e saktësuar në tenderin tuaj OPCIONI:  C.I.K, Rr.Rexhep Bislimi, 70000, Ferizaj me çmimin  prej 10.32 euro sipas çmimit të peshuar”, thuhet në letrën standarde që komuna i ka dërguar kompanisë me çmimin më të shtrenjtë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera