Fokus

Osmani, Kurti dhe Gërvalla dështuan në zëvendësimin e 12 ambasadorëve të rinj

Autori: Doresa Geci 16:41 | 30 August 2021

Dita e sotme ishte afati i fundit kur ambasadorët rinj do të duhej të zëvendësonin 12 ambasadorët e shkarkuar në maj të këtij viti.

Kështu pati deklaruar, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, muaj më parë, shkruan Gazeta Infokus.

“Kthimi i ambasadorit aktual dhe dërgimi i ambasadorit të ri, duke përfshirë fazën e dorëzimit të ri ka afat deri më 30 gusht”, kishte thënë Gërvalla.

-Advertisement-

Derisa disa nga ambasadorët kanë filluar të kthehen nga vendet ku kanë shërbyer, procedurat e emërimit të ambasadorëve të rijnë nuk dihet se ku kanë mbetur.

Lexo edhe: Kosova rrezikon të mbetet pa ambasadorë në 12 shtete, ngrihen dyshime për “konflikt” mes Kurtit dhe Osmanit

Madje Ambasadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, ka njoftuar se sot është larguar nga posti i tij derisa nuk ka pasur dikë që ta zëvendësoje dhe ta bëjë pranim – dorëzimin e detyrës .

Ditë më parë për Gazetën Infokus, nga MPJ-ja patën deklaruar se janë në fazën finale të emërimit të ambasadorëve të rijnë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), është në fazën e finale të përmbylljes së këtij procesi. Të gjitha detajet lidhur me emërimin e ambasadorëve do të bëhen të ditura për opinionin brenda pak ditësh”, kanë deklaruar nga MPJ për Infokus.

E sipas Emir Abrashit nga Demokracia Plus, moszëvendësimi i ambasadorëve është një papjekuri institucionale.

“Kjo në fakt është tregues i qartë për papjekurinë institucionale të pushtetarëve të rinj, të cilët pa asnjë strategji e pa asnjë plan veprimi ndërmorën një vendim arbitrar, duke i lënë pa krerë misionesh mbi gjysmën e misioneve tona diplomatike nëpër botë. Akoma më shqetësuese se shkarkimi i Ambasadorëve është paaftësia e kësaj Qeveria për t’i emëruar Ambasadorët e rinj, duke i lënë misionet tona diplomatike pa krerë, e duke e ulur nivelin e përfaqësimit të Republikës së Kosovës në nivel të Ngarkuarish me Punë”, ka thënë Abrashi për Infokus.Mungesa e ambasadoreve sipas Abrashit do t’i kushtojë Kosovës në fushën e diplomacisë.

“Tashmë, kur e kemi parasysh edhe faktin që skadojnë moratoriumet e imponuara nga Marrëveshja e Uashingtonit, kjo situatë do të na kushtojë neve si shtetet për faktin se do ta kemi të pamundur t’i bëjmë ballë fushatës së Serbisë për ç’njohje, kurse në anën tjetër, nuk do të arrijmë të sigurojmë mbështetje efektive për anëtarësime në organizata ndërkombëtare. E, nga e kaluara, ne e kemi parasysh se dy zonat më të cënueshme nga fushata e Serbisë për ç’njohje janë Afrika dhe Paqësori – të dyja tashmë pa mbulim me Ambasadorë!”, ka thënë mes tjerash ai.

Abrashi deklaron se shkarkimi i ambasadorëve e vendosin Kosovën në një pozitë të pafavorshme në marrëdhëniet e saj dypalëshe me gjithë këto shtete në të cilat ne kemi Ambasada por jo edhe Ambasadorë.

“ E në këtë listë, janë qendrat kryesore të diplomacisë botërore, si Uashingtoni, Brukseli, Londra, Berlini, Parisi, Tokio, Kanberra, AbuDhabi, Doha, të gjitha misionet tona në Gadishullin Ballkanik, si dhe e vetmja Ambasadë e jona në konstinentin Afrikan, ajo në Dakar”, shtoi ai.

Ndryshe në muajin maj të këtij viti, presidentja Vjosa Osmani pati shkarkuar 12 ambasadoret, në emër të asaj se ata kanë qenë të emëruar politikë.

Një shkarkim i tillë u bë më kërkesë të ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera