Fokus

KUJDES| Kosova në hall me paratë false: Sa raste u raportuan në polici për dy vite?

Autori: Gazeta inFokus 17:04 | 15 October 2022

Problemi me monedhat false në vend ka filluar të shndërrohet në një problem serioz. Plot 1 mijë e 389 raste janë raportuar vetëm në policinë e Kosovës në dy vitet e fundit në vend.

Në të dhënat që Gazeta Infokus ka siguruar nga policia e Kosovës thuhet se vetëm në vitin 2021 policia ka iniciuar dhe trajtuar 866 raste të tilla. Ndërsa sipas këtyre të dhënave në vitin 2022 periudhën janar – shtator janë raportuar në polici 523 raste kur qytetarët janë mashtruar me kartëmonedha false.

Derisa vitin e kaluar ishin monedha 2 euro dhe kartëmonedha 5 euro ato që binin më shumë në duart e qytetarëve si të falsifikuara, mirëpo tani kjo ka ndërruar. Sipas policisë rastet me para false janë të shifrave të ndryshme.

-Advertisement-

‘’Kështu gjatë vitit 2021 policia ka iniciuar dhe trajtuar 866 raste të falsifikimit të parave, kurse per numrin e rasteve te raportuara nga Neni 296* Falsifikimi I Parasë për periudhën kohore Janar-Shtator 2022 janë: Neni 296 Falsifikimi i parasë – 523 raste te raportuara. Vlera dhe kartëmonedhat e falsifikuara janë te ndryshme’’, thuhet në përgjigjen e policisë së Kosovës për Infokus.

E edhe më shqetësuese e bën situatën fakti se qytetarët këto para po i deponojnë edhe në banka.

Vetëm të premten pati dy raste të raportuara njëri nga banka e tjetri në pompë të derivateve, njëri në Prishtinë e tjetri në Komoran.

Sipas raportit të policisë një zyrtar i bankës raportoi se klientë të ndryshëm kanë deponuar në llogaritë e tyre mbi 1 mijë euro të cilat dyshohet të jenë false.

“Ankuesi mashkull kosovar zyrtar i bankës ka informuar se nga klient të ndryshëm janë deponuar 1042.50 euro para në bankënota të ndryshme, të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Monedhat janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.

Ndërsa rasti tjetër një kartmonedhë false 100 euro në një pompë në Komoran.

“Ankuesi mashkull kosovar punëtor në pompën e derivateve ka informuar se një klient ka bërë pagesë me një kartëmonedhë prej 100 € e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Monedha është konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.

Ndërsa po në javën po lëmë pasë të martën një bankë në Pejë raportoi në polici se pas kontrollimit të kartëmonedhave në bankomat hasi në shtatë të tilla që ishin false.

Raste të tjera pati edhe në Gjakovë e në qytete të tjera.

“Është raportuar se gjatë numërimit të parave në bankë është hasur në një kartëmonedhë prej 100€ që dyshohet të jetë e falsifikuar. Rasti është duke u hetuar”, thuhej në raportin e policisë për rastin në komunën e Gjakovës.

Edhe në Shtërpcë disa qytetar pasi kishin ngrënë e kishin pirë në një lokal kishin paguar me kartëmonedhe false 100 euro, dhe punëtoret në lokal kishin njoftuar policinë.

Paratë false duket të jenë shpërndarë gjithandej e më së shumti rastet po raportohen nga bankat dhe lokalet e bizneset në vend. Kartëmonedha më e hasur false sipas raporteve të policisë po del të jetë ajo 100 euro.

Derisa nga policia kanë bërë thirrje që qytetarët të tregohen të kujdesshëm në momentet kur synojnë se mund të jenë pre mashtrimit me kartëmonedha si dhe të raportojnë këto raste.

“Policia e Kosovës kurdo dhe në çfarëdo forme kupton-merr informacion se është kryer një vepër penale, ndërmerr veprimet policore që parashihen për trajtimin e veprimtarisë penale. Policia e Kosovës, në vazhdimësi ka apeluar dhe vazhdon të apeloj te qytetaret ne kujdesin dhe raportimin e rasteve, ku dyshohet ne falsifikim te parave”, kanë thënë për Infokus nga policia e Kosovës.

Ndërsa ditë më parë nga policia e Kosovës kishin thënë se kartëmonedha e cila haset e falsifikuar më së shpeshti është ajo prej 50 eurosh mirëpo duke thënë se nuk posedojnë një statistikë të saktë se sa raste të tillë kanë hasur me këtë kartëmonedhe të falsifikuar. Kjo sepse sipas tyre nuk mund të nxjerrin si statistikë vetëm këtë vlerë të parasë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera