Ia huq rëndë zyra e Kurtit: Nuk i’a ka idenë sa të punësuar me aftësi të kufizuar kanë në ministri

Autori: Samire Jaha
15:08 | 20 March 2023
Pas thirrjes së Ministrisë në krye me Hekuran Muratin, për punësim të personave me aftësi të kufizuar në institucione publike e private, përndryshe duhet të paguajnë kontribute në vlerë të pagës minimale, Gazeta Infokus ka gjetur se vetë ekzekutivi nuk është duke e përmbushur kuotën sipas ligjit “1 në 50 persona” të punësuar nga kjo kategori.
Përveç që ka ministri që nuk e kanë asnjë të punësuar me aftësi të kufizuar siç e parasheh ligji, Infokusi ka gjetur edhe një dallim shumë të madh në të dhënat e dërguara nga ministritë dhe zyra e kryeministrit për numrin e të punësuarve.
Në disa raste zyra e kryeministrit ka shumëfishuar numrin e tyre e në disa të tjera e ka zvogëluar atë, dukë lënë të kuptohet që nuk ka fare informacione për numrin e personave me aftësi të kufizuar të punësuar në dikasteret e saj.
Një diferencë goxha e madhe është bërë në ministrinë e Drejtësisë të udhëhequr nga Albulena Haxhiu.
Përderisa nga zyra e kryeministrit kanë thënë për Infokus se në këtë ministri janë 15 të punësuar me aftësi të kufizuar, nga vetë ministria e kanë mohuar duke thënë se kanë vetëm 4 persona të punësuar nga kjo kategori.
“Numri i të punësuarave me aftësi të kufizuara në Ministrinë e Drejtësisë është katër (4), roli dhe detyrat e tyre janë: Zyrtar Ligjor me DBJN, Udhëheqës i Divizionit për Teknologji Informative dhe Shërbime Logjistike, Kryeinspektor në Inspektoratin e MD-së dhe Zyrtare e lartë për Kontabilitet”, përgjigja e ministrisë për Infokus.
“Ministria e Drejtësisë brenda strukturës së MD, ka të punësuar 1880 të punësuar, prej tyre 15 janë persona me aftësi të kufizuara. Rrjedhimisht, MD është duke e zbatuar obligimin përkitazi me dispozitat e lartcekura. Gjithashtu, vlen të ceket se kriteret për punësim sipas Ligjit NR. 08/L-131 për Shërbimin Korrektuese të Kosovës, Neni 39- Kushtet e veçanta për rekrutim për pozitën kadet për zyrtarë korrektues dhe Neni 42 Procedura e testimit”, janë përgjigjur nga zyra e kryeministrit për Infokus.
Derisa një mospërputhje e njëjtë e të dhënave është bërë edhe me ministrinë Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në krye me Faton Pecin.
Nga kjo ministri kanë bërë të ditur se kanë të punësuar vetëm një person me aftësi të kufizuar derisa zyra e kryeministrit këtë shifër e ka rritur në 8.
“Në ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të punësuar persona me aftësi të kufizuara është një (1) zyrtare. E njëjta është e angazhuar me punë dhe detyrë si Zyrtare për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa sa i përket pyetjes së tretë, ju njoftojmë se Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme me procedurë të pranimit ka publikuar edhe dy (2) pozita për personat me aftësi të kufizuara të cilat ende janë në proces”, janë përgjigjur për Infokus.
“Në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nga 360 shërbyes civilë ka të punësuar 8 persona me aftësi të kufizuar dhe rrjedhimisht është duke e zbatuar obligimin”, janë përgjigjur nga zyra e kryeministrit.
Mirëpo në disa raste konkretisht në dy ministri të tjera zyra e kryeministrit e ka zvogëluar numrin, të paktën kjo sipas të dhënave të dërguara nga vetë ministritë.
Për ministrinë e Financave Punëve dhe Transfere nën udhëheqjen e Hekuran Muratit, kanë thënë se ka të punësuar 15 persona, derisa nga zyra për informim nga kjo ministri kanë treguar se janë 16 të punësuar me aftësi të kufizuar.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve sa i përket zbatimit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), të obligimit të punësimit të personave me aftësi të kufizuara i cili përcaktohet në nenin 12 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, ju njoftojmë se në tërë strukturën e sistemit ministror MFPT ka 570 të punësuar, nga të cilët 15 janë persona me aftësi të kufizuara. Rrjedhimisht, MFPT është duke e zbatuar obligimin përkitazi me dispozitat e lartcekura”, janë përgjigjur për infokus nga zyra e kryeministrit.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka 16 të punësuar me aftësi të kufizuar”, janë përgjigjur nga zyra për informim nga kjo ministri.
Po ashtu një huqje e vogël është bërë edhe në ministrinë e Mehajt, që është edhe dikasteri që mban rekordin me numrin e të punësuarve me aftësi të kufizuar.
Derisa nga kjo ministri kanë thënë se janë 38 të punësuar me aftësi të kufizuar zyra e kryeministrit e ka ulur numrin në 37 të punësuar.
“Në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës aktualisht janë të punësuar 38 nëpunës të cilët janë kategori e nëpunësve me aftësi të kufizuara”, janë përgjigjur nga ministria për Infokus.
“Në Ministrinë e Mbrojtjes nga numri i përgjithshëm prej 124 nëpunësve civil, numri i personave me aftësi te kufizuara, duke përfshirë edhe nëpunësit civil qe kanë statusin e invalidit te luftë janë 17 nëpunës, ndërsa në Forcën e Sigurisë së Kosovës nga numri i përgjithshëm prej 106 nëpunësve civil aktual, numri i personave me nevoja te veçanta, duke përfshirë edhe nëpunësit civil qe kanë statusin e invalidit te luftë janë 20 nëpunës”, janë përgjigjur nga zyra e kryeministrit për Infokus.
Ndryshe ligji për punësimin e personave me aftësi të kufizuara parasheh që në çdo 50 punëtorë së paku një i punësuar duhet të jetë me aftësi të kufizuara./Gazeta Infokus/

Të tjera
-
Shtëpia e Bardhë, thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet
Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten se zëvendës këshilltari amerikan për sigu...
-
Haziri: Osmani t’i ulë tensionet në veri – presidentët historikisht kanë pasur role unifikuese
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i ka kërkuar presidentes së vendit, Vjosa...
-
Shkon mbi 280 numri i viktimave nga përplasja e trenave, qindra të plagosur
Një aksident i rëndë ka ndodhur në Odisha të Indisë, ku një tren pasagjerësh ...
-
Kështu do të mbajë moti sot
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se edhe fundjava do të je...
-
Debati për situatën në veri, çka u tha dje në Kuvend
Në Kuvendin e Kosovës dje është debatuar për veriun e vendit, ku kryeministri...
-
Mungesa e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani, profesionet në të cilat ka më shumë nevojë për punëtorë
Në një ndër gjashtë profesione mungojnë punonjësit e kualifikuar, sipas një s...
-
U raportua i zhdukur, momenti kur shpëtohet 84-vjeçari nga Prishtina që kishte rënë në një gropë
Është gjetur 84-vjeçari, Sinan Duli, i cili ishte raportuar i zhdukur nga fam...
-
Agjenda e Kurtit për sot, merr pjesë në vendosjen e gur themelit të shtëpisë së një familje gorane
Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për agjendën e kryeministrit Albin Kurti, pë...
-
Çitaku e quan Kurtin aventurier: Në këtë shekull nuk ka sovranitet të plotë
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku e ka vlerësuar aventureske qasjen politik...
-
Përplasja e tre trenave në Indi, shkon në 80 numri i viktimave
Të paktën 80 persona kanë vdekur dhe 850 të tjerë janë plagosur pasi tre tren...
-
Kurti: Me Escobarin dhe Lajçakun do të flasim për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të premten se javën e ardhshme ...
-
Kurti: Kosova storie suksesi – Serbia direkt ose indirekt ka përkrahje të regjimeve diktatoriale
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova ka shënuar progres ekonomik d...