Fokus

Dyfytyrësia e qeverisë: Bëjnë thirrje për punësim të personave me aftësi të kufizuar vetë se plotësojnë as kuotën “1 në 50 punëtorë”

Autori: Samire Jaha 11:46 | 20 March 2023

Në muajin që lamë pas, Ministria e Hekuran Muratit, bëri një thirrje publike që punëdhënësit të punësojnë personat më aftësi të kufizuar, “1 në 50 punëtorë” ashtu siç e parasheh ligji, shkruan Gazeta Infokus.

Madje nëse kjo nuk ndodhë dhe institucionet publike dhe private në vend, nuk veprojnë sipas ligjit Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve deklaroi se këta punëdhënës do të obligohen të paguajnë kontribute mujore në shumë të pagës minimale.

Por a do të paguajnë këto kontribute edhe vetë ministritë e qeverisë që mori këtë vendim të cilat jo që nuk plotësojnë kuotën “1 në 50” por ka edhe të tilla që nuk kanë asnjë të punësuar me aftësi të kufizuar?

-Advertisement-

Gazeta Infokus ka siguruar të dhënat për secilën ministri se sa është numri i të punësuarve me aftësi të kufizuara duke qenë se të njëjtit po bëjnë thirrje për respektim të ligjit, mirëpo sipas këtyre shifrave ligjin nuk po e respektojnë as vetë.

Nga gjithsej 15 ministri duke përfshirë zyrën e kryeministrit, numri i personave të punësuar me aftësi të kufizuar është 93.

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në krye me Arbërie Nagavcin dhe Ministria e Ekonomisë, në krye me Artane Rizvanollin, nuk kanë asnjë të punësuar me aftësi të kufizuar. Madje të pyetur nga Gazeta Infokus, nga MASHT-i janë munduar ta fshehin këtë informacion duke mos dhënë përgjigje.

Po e nisim me Ministrinë në krye me Hekuran Muratin e cila edhe bëri thirrjen publike për të kujtuar dhe obliguar punëdhënësit që të respektojnë ligjin për personat me aftësi të kufizuar.

Në këtë ministri për Gazetën Infokus kanë treguar se janë të punësuar 16 persona me aftësi të kufizuar.

Rolet apo detyrat e tyre sipas kësaj ministrie janë si në vijim:

“Zyrtar Ligjor, Eksperte e Auditimit të Brendshëm ,Asistent Administrativ, Nëpunës i Pensioneve dhe Beneficioneve, Teknik i Fizioterapisë, Menaxher i Bazës së të dhënave për Ndihma Sociale, Depoist -, Punëtor Sigurimi, Punëtor Sigurimi, Ndihmës Mjekësor, Nëpunës i, Zyrtar i Regjistrimit – Zyrtar i Arkivit, Zëvendësues/Kryesues i Divizionit të Skemave te Kategoritë e Luftës/Zyrtar i Kontrollit dhe Mbikëqyrjes, Udhëheqëse e Divizionit për Kontrollin e Brendshëm dhe të Jashtëm në DFIDL -, Nëpunës i Regjistrimit”, janë përgjigjur nga MFPT-ja për Infokus.

Ndërkaq në Ministrinë e Drejtësisë të udhëhequr nga Albulena Haxhiu, numri i personave të punësuar me aftësi të kufizuar është vetëm katër, që dukshëm as kjo ministri nuk e plotëson kuotën sipas ligjit.
Mirëpo sa për tu arsyetuar për mos respektimin e ligjit nga kjo ministri kanë thënë për Infokus se në të ardhmen do të hapin konkurse për këtë kategori.

“Numri i të punësuarave me aftësi të kufizuara në Ministrinë e Drejtësisë është katër (4), roli dhe detyrat e tyre janë: Zyrtar Ligjor me DBJN, Udhëheqës i Divizionit për Teknologji Informative dhe Shërbime Logjistike, Kryeinspektor në Inspektoratin e MD-së dhe Zyrtare e lartë për Kontabilitet. Ministria e Drejtësisë ka përgatitur planin e personelit dhe në të ardhmen do të publikoj konkurse për nëpunësit e shërbimit publik dhe ju inkurajojmë të përcillni ëeb faqen e Ministrisë se Drejtësisë për njoftimet e radhës”, janë përgjigjur nga kjo ministri për Gazetën Infokus.

E në ministrinë e Punëve të Brendshme në krye me Xhelal Sveçlën, numri i personave të punësuar me aftësi të kufizuar është 7.

“Numri i të punësuarve me aftësi të kufizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme është shtatë (7) nëpunës civil. I kemi edhe disa nëpunës që kanë statusin e invalidit të UÇK-së. Më herët kjo kategori nuk ka qenë e përfshirë, por me Ligjin nr.03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuar, neni 3 paragrafi 1.3 Kategoritë e personave me aftësi të kufizuara, si pasojë e dëmtimit – Invalidin e luftës, invalidin civil të luftës, invalidin e punës, personi i lindur me dëmtime fizike, shqisore, intelektuale ose mendore, dhe personi i cili si shkas i fatkeqësisë apo sëmundjes ka aftësi të kufizuar fizike, shqisore, intelektuale ose mendore”, janë përgjigjur nga kjo ministri për Infokus.

Ndryshe kanë bërë të ditur se në bazë të ligjit kjo ministri e ka përmbushur kuotën e punësimit për personat me aftësi të kufizuar.

“Andaj, në bazë të këtij neni, duke e përfshirë edhe këtë kategori, Ministria e Punëve të Brendshme së bashku me agjenci ka edhe +14 nëpunës, çka do të thotë se Ministria e Punëve të Brendshme e përmbush kuotën e punësimit të personave me aftësi të kufizuara (gjithsej 21), ku sipas nenit 12, paragrafi 2 i Ligjit nr.03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuar, i cili thotë: “Çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtor”, kanë bërë të ditur nga kjo ministri për Gazetën Infokus.

Ndërkohë ministria e cila mban rekordin për të punësuar të kësaj kategorie është Ministria e Mbrojtjes. Armend Mehaj, në ministrinë e tij ka 38 persona me aftësi të kufizuar të cilat kryejnë shërbime nga më të ndryshmet.

Nga kjo ministri për Gazetën Infokus kanë deklaruar se në bazë të ligjit e kanë tejkaluar shumëfish numrin e të punësuarve me aftësi të kufizuar.

Ia huq rëndë zyra e Kurtit: Nuk i’a ka idenë sa të punësuar me aftësi të kufizuar kanë në ministri

“Ministria e Mbrojtjes në baza vjetore përgatit planet e përgjithshme për rekrutimin e personelit dhe plotësimi i pozitave edhe me nëpunës të cilët i takojnë kategorisë së personave me aftësi të kufizuara do të bëhet në Pajtim me Ligjin Nr. 03/L-019 për Aftësimin, Riaftësimin Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi të Kufizuara, neni 12, paragrafi 2 i cili parasheh që çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi të kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtor. Nga sa u tha më lartë kuptohet qartë se Ministria e Mbrojtjes e ka të tejkaluar shumë fish këtë përcaktim ligjor”, kanë thënë nga kjo ministri për Infokus.

Mirëpo ka edhe të tilla ministri që kanë vetëm 1 të punësuar me aftësi të kufizuar, e kjo është ministria e Bujqësisë që udhëhiqet nga Faton Peci.

“Në ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të punësuar persona me aftësi të kufizuara është një (1) zyrtare. E njëjta është e angazhuar me punë dhe detyrë si Zyrtare për të Drejtat e Njeriut. Ndërsa sa i përket pyetjes së tretë, ju njoftojmë se Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në Ministrinë e Punëve të Brendshme me procedurë të pranimit ka publikuar edhe dy (2) pozita për personat me aftësi të kufizuara të cilat ende janë në proces”, janë përgjigjur për Infokus.

Ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e udhëhequr nga Liburn Aliu, kanë thënë se (Pjesa e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) kanë të punësuar 4 persona me aftësi të kufizuara ndërsa në pjesën e (Ministrisë së Infrastrukturës”, kanë të punësuar 1 person.

“Ne Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (Pjesa e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor) janë gjithsejtë 274 të punësuar, prej tyre 4 janë persona me aftësi të kufizuara, pozitat te cilët ata janë te angazhuar janë Zyrtar i larte Ligjore, Recepcionist, Teknik i Pyjeve dhe Rojtar i Pyjeve, d.m.th. ministria jonë është afër zbatimit të Ligjit me Nr. 03/L-019 për Aftësim dhe Riaftësim Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi te Kufizuara që sipas Nenit 12 paragrafi 2, citoj: ‘’Çdo punëdhënës është i obliguar te punësoj një person me aftësi te kufizuara ne çdo pesëdhjetë (50) punëtorë”.

“Ju informojmë se në MMPHI- pjesa e ish – Infrastrukturës është vetëm një ( 1) zyrtar me aftësi te kufizuar. Roli dhe detyrat e zyrtarit janë: Teknik për mirëmbajtjen e rrugëve”, janë përgjigjur nga kjo ministri për Infokus.
E po ashtu ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e udhëhequr nga Hajrullah Ceku kanë treguar se kanë të punësuar katër persona me aftësi të kufizuar.

“Në Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit aktualisht në stafin e saj ka të punësuar 4 (katër) nëpunës me aftësi të kufizuara. Përgjegjësitë e tyre janë detyra profesionale dhe teknike sipas përshkrimit të detyrave të punës. Ministria e Kulturës Rinise dhe Sportit ka të planifikuar punësime për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga kjo ministri.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka raportuar se ka 285 shërbyes civilë në ndërsa persona me aftësi të kufizuara janë 2 të punësuar me këtë rast edhe nuk e ka të plotësuar kuotën bazuar ne Ligjin me Nr. 03/L-019 për Aftësim dhe Riaftësim Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi te Kufizuara që sipas Nenit 12 paragrafi 2, citoj: ‘’Çdo punëdhënës është i obliguar të punësoj një person me aftësi te kufizuara në çdo pesëdhjetë (50) punëtorë”.

Ministria e Nagavcit mundohet “ta fshehë” që po thyen ligjin, nuk ka asnjë të punësuar me aftësi të kufizuar

“Në Ministrinë e Shëndetësisë numri i stafit aktual është 130, ndërsa numri i stafit me aftësi të kufizuar është 3, rrjedhimisht MSh-ja është duke e zbatuar obligimin bazuar në  dispozitat ligjore”.

Kërkojnë punësim të personave me aftësi të kufizuar por vetë nuk i punësojnë?

Sic e cekëm edhe më lartë në Qeverinë e Kosovës ka ende ministri që nuk e kanë të përmbushur kuotën për punësimin e personave me aftësi të kufizuar e cila është që në çdo 50 të punësuar së paku një prej tyre duhet të jetë me aftësi të kufizuara.

Por siç duket ka edhe ministri të tilla që nuk kanë asnjë person të punësuar me aftësi të kufizuar kështu duke e anashkaluar dhe shkelur ligjin.

Ministria e Ekonomisë e udhëhequr nga Artane Rizvanolli, kanë bërë të ditur për Infokus se në këtë ministri nuk ka asnjë të punësuar me aftësi të kufizuar.

“Aktualisht në numrin e përgjithshëm të të punësuarve të Ministrisë së Ekonomisë, nuk ka të punësuar persona me aftësi të kufizuar. Ministrisë së Ekonomisë ka kërkuar punësimin e një personi me aftësi të kufizuara për pozitë të punës në kuadër të Zyrës së Sekretares së Ministrisë. ME në koordinim me Departamentin për Menaxhimin e Zyrtarëve Publik është në proces të zhvillimit të procedurës së rekrutimit për këtë pozitë”, kanë deklaruar nga kjo ministri për Infokus.

Ndryshe edhe ministria e Arsimit e udhëhequr nga Arbërie Nagavci, nuk ka asnjë person të punësuar më aftësi të kufizuar.

“Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka raportuar se momentalisht nuk e ka asnjë person te punësuar me aftësi te kufizuar dhe rrjedhimisht e kanë të pa plotësuar kuotën sa i përket Ligjit me Nr. 03/L-019 për Aftësim dhe Riaftësim Profesional dhe Punësimin e Personave me Aftësi te Kufizuara që sipas Nenit 12 paragrafi 2, citoj: ‘’Çdo punëdhënës është i obliguar te punësoj një person me aftësi te kufizuara ne çdo pesëdhjetë (50) punëtorë”, kanë treguar nga zyra e kryeministrit për Gazetën Infokus.

Ndryshe “LIGJ PËR AFTËSIMIN, RIAFTËSIMIN PROFESIONAL DHE PUNËSIMIN E PERSONAVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA”, rregullon dhe përcakton të drejtat dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar.
“Me këtë ligj rregullohen dhe përcaktohen të drejtat, kushtet, mënyrat e aftësim, riaftësim profesional dhe punësimi i personave me aftësi të kufizuara, për integrimin e tyre në tregun e hapur të punës sipas kushteve te përgjithshme dhe të veçanta të përcaktuara në legjislacionin e aplikueshëm”.

Kujtojmë që ministria e Financave me 23 shkurt ka bërë të ditur bazuar në këtë ligj punëdhënësit obligohen që për çdo 50 të punësuar, të punësojnë së paku një person me aftësi të kufizuara./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera