Fokus

Zëdhënësi i qeverisë Kurti gënjeu publikisht për diçka që është publike e iniciuar nga deputetët e LVV-së dhe ka vendim të Gjykatës Kushtetuese

Autori: Gazeta inFokus 10:58 | 22 February 2023

Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, publikisht ka deklaruar se Gjykata Kushtetuese nuk e ka trajtuar marrëveshjen e vitit 2013 për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Mirëpo edhe në vitin 2013, Kushtetuesja e ka trajtuar marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri i asaj kohe, Isa Mustafa, pasi u dërgua në Gjykatë nga 12 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje. Madje për këtë ekziston edhe një aktgjykim.

“Vendimi i Kushtetueses thotë se arsyeja se pse, njëra nga shumë arsyet se pse marrëveshja e 2015 nuk është në përputhje me Kushtetutën, sepse nuk e ka trajtuar të 2013-ës, po 2015-ës… Në 2013 nuk ka shkuar në Kushtetuese. Marrëveshja e 2015 është sfiduar në Kushtetuese. Në 2015 në mesin e 23 shkeljeve, Gjykata thotë se nuk është në përputhje me nenin 3 të Kushtetutës. Ky nen element përbërës e ka multietnicitietin. Nuk mund të ketë një entitet i cili pjesë përbërëse e ka etninë në një shoqëri multietnike. Ky është vendimi i Kushtetueses dhe leximi i secilit jurist”, ka thënë Kryeziu në Këndi i Debatit në Tëvë1.

-Advertisement-

Madje ai akuzon Kushtetuesen se e vetmja arsye pse ka deklaruar që Asociacioni duhet të formohet sipas marrëveshjes së vitit 2013 është sepse nuk e ka pasur subjekt trajtimi.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e ka rrëzu marrëveshjen, pse duhet me shku në Kuvend? Kur është pyt Kushtetuesja për marrëveshjen e 2015, pa dyshim që baza e marrëveshjes së 2015 është marrëveshja e 2013. Kushtetuesja i përgjigjet vetëm pyetjes që i bëhet, nuk i përgjigjet nën pyetjeve potenciale e që derivojnë. E vetmja arsye pse Kushtetuesja në interpretimin e saj ka thënë që duhet të formohet në bazë të marrëveshjes së 2013, është se, e para nuk e ka pasë në shqyrtim dhe e dyta se nëpërmjet interpretimit të saj për marrëveshjen e 2015 nuk mundet me e zhbë marrëveshjen e 2013, sepse nuk e ka pas si subjekt. Qysh mundet burimi i marrëveshjes së 2015 i cili bie ndesh me 23 pika të Kushtetutës mos me qenë në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë Kryeziu.

Si duket zëdhënësi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka harruar se në vitin 2013, marrëveshja ndërkombëtare pjesë e secilës ishte edhe formimi i Asociacionit u dërgua në Gjykatë Kushtetuese nga vetë deputetët e partisë në pushtet dhe Kushtetuesja nxori edhe një vendim për të.

AKTGJYKIMI I VITIT 2013 I GJYKATËS KUSHTETUESE

Ndryshe nga ajo që ka deklaruar Kryeziu, Gjykata Kushtetuese vitin 2013 e ka shpallur procedurën e miratimit të ligjit për ratifikim të marrëveshjes të prillit 2013 në pajtueshmëri me kushtetutën e Kosovës.

Në fakt ajo që Gjykata ka refuzuar në atë vit ka qenë trajtimi i parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë duke e konsideruar këtë jashtë fushëveprimit dhe juridiksionit të kësaj gjykate.

Ndërsa në vitin 2015 sërish, Gjykata Kushtetuese kishte trajtuar këtë marrëveshje, pasi u dërgua nga atëherë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, duke marrë një vendim që pikat e saj nuk janë krejtësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“(Gjykata Kushtetuese) konstaton që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Statuti që implementon Parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, me nenin 3 [paragrafi 1, me Kapitullin II dhe III, duhet të plotësojnë standardet kushtetuese dhe duhet të jenë në pajtueshmëri posaçërisht me nenet 3, 7, 12, me Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], me nenet 21 dhe 44, me Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendimin e GJK-së.

Derisa në vendimin e vitit 2015 Gjykata theksoi sërish se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç ishte parashikuar në Marrëveshjen e parë të Brukselit, e nënshkruar në prill të vitit 2013 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“TE KONSTATOJË që Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe do të themelohet, siç është paraparë me Marrëveshjen e Parë, të ratifikuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe shpallur nga Presidentja e Republikës së Kosovës”, thuhej në vendimin e vitit 2015.

Në këtë mënyrë Gjykata Kushtetuese i lë dorë të lirë qeverisë së Kosovës që ta themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe në bazë të parimeve të marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera