Lajme

U hoq Nagip Krasniqi për ta sjellur një të njëjtë: Zëvendësuesi i Krasniqit është nën hetime për skandalin e qymyrit – ndaloi edhe punimet në bllokun A5

Autori: Gazeta inFokus 11:57 | 26 April 2023

Bordi i drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës të martën mori vendim për ta pezulluar Nagip Krasniqin nga pozita e kryeshefit të KEK-ut dhe për ta zëvendësuar me Përparim Kabashin.

Krasniqi u pezullua për shkak se gjendet në paraburgim dhe ndaj tij kanë filluar hetime, por Kabashi që do e zëvendësoi përkohësisht është po ashtu nën hetime.

Ai në vitin 2021 nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeshefit Ekzekutiv kishte nënshkruar një kontratë milionëshe të KEK-ut për shitje të qymyrit e cila pati përfunduar në Prokurori nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës.

-Advertisement-

Dyshohet se 200 mijë tonë qymyr iu shitën një kompanie private gati 50 për qind më lirë se çmimi i tregut.

Gjithashtu, për shkak të të gjeturave nga auditori i brendshëm për këtë rast ishin dhënë edhe tetë rekomandime për inicimin e procedurave disiplinore për zyrtarë të caktuar, për të cilët ka pasur të gjetura dhe dyshime të bazuara se nuk kanë vepruar sipas rregulloreve dhe procedurave në fuqi.

Në këtë kontratë të nënshkruar nga Kabashi, Korporata Energjetike e Kosovës dyshohet se e kishte favorizuar një kompani private me emrin “Enertech”, duke ia shitur 200 mijë tonë qymyr me një çmim gati 50 për qind më lirë sesa ai i tregut.

Në kontratën prej 1.6 milionë eurove, KEK-u ia kishte shitur 200 mijë tonë qymyr kësaj kompanie me një çmim prej tetë euro për ton, përderisa çmimi i tregut në atë kohë shkonte afër 15 euro për ton.

Madje edhe vetë KEK-u ndërmarrjes “Kosova Thëngjill”, ia shiste qymyrin 15 euro për ton.

Në dokumentacionin e tenderit, që ishte mbajtur fshehur, nuk jepej asnjë shpjegim lidhur me çmimin dhe arsyeshmërinë financiare të kontratës, përveç asaj se KEK-u e kishte përcaktuar çmimin prej tetë eurove për ton qysh në dosje të tenderit.

Dallimi kaq i madh në çmim ishte potencuar si mjaft i dyshimtë në një raport të brendshëm të Auditorit të KEK-ut.

Raporti i Auditorit rekomandonte hetim të mëtutjeshëm lidhur me këtë kontratë. Si bazë merrte dallimin e madh mes çmimit që aplikohej ndaj ‘Kosova Thëngjillit’ dhe çmimit që ishte aplikuar në kontratën me “Enertech”.

Por, ky nuk është problemi i vetëm i Kabashit.

Ai ishte përgjegjësi kryesor pse ishte anuluar projekti për Riparimin Kapital të kaldajës së bllokut A5, që sot e kësaj dite është jashtë funksionit.

Albanian Post ka siguruar edhe një e-mail kur drejtori teknik i Termocentralit Kosova A njoftonte për nevojën e menjëhershme të remontit. Në e-mail ishte i përfshirë edhe Kabashi.

Ju rikujtoj se blloku A5 ka arritur orët e punës dhe ka arritur nevojën për remont, nëse nuk procedohet ju informoj se siguria e bllokut në operim është me problem dhe arritja e energjetik do të ketë problem”, thuhet në e-mail.

Blloqet janë të vjetra dhe kanë nevojë për riparimet – remontet, në mënyrë që të kemi siguri në punën e blloqeve”, thoshte e-maila e dërguar me 29 korrik të vitit 2021.

Aty kuptohej se ishte pikërisht Kabashi që kishte ndalur projektin e riparimit të kaldajës në bllokun A5, përkundër paralajmërimeve për prishje.

Tek pjesa e subjektit thuhet: “Arsyet e anulimit të projektit Riparimi Kapital i kalldajës së bllokut AP është… kërkesë e këshilltarit dhe njëkohësisht drejtorit menaxahues (Përparim Kabashi). Siç e dini, blloku i ka arritur orët e punës dhe çdo vonesë në të ardhmen do na shkaktojë probleme”.

Problemet, siç ishte paraparë, ndodhën.

Blloku A5 po bëhet një vit që është jashtë përdorimi, për shkak se nuk u dërgua në remont me kohë dhe u de-funksionalizua më pas.

Mesatarisht ky bllok prodhon energji elektrike mjaftueshëm për të mbuluar mbi 10 për qind të nevojave të Kosovës.

Për të mbuluar mungesat e mosprodhimit të Bllokut A5, Kosova ka paguar rreth 1 milion euro import ditor.

Po të mos ndalohej projekti dhe A5 të ishte funksional, Kosova nuk do të kishte nevojë të importonte, rrjedhimisht nuk do të kishte nevojë të ngritje çmimi i energjisë elektrike.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkolla Finlandeze lanson programin IMPACT: Tani edhe në gjuhën shqipe, me çmim të përballueshëm

Të tjera