Lajme

Gërvalla: Pas mbledhjes së sotme në KiE oferta e Kosovës e humbi relevancën

Autori: Gazeta inFokus 15:21 | 17 May 2024

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se oferta e djeshme e Kosovës mbi Asociacionin e dërguar në Asamblenë e Këshillit të Evropës e ka humbur relevancën pas mbledhjes të Komitetit të Ministrave.

Në mbledhjen e sotme pranimi i Kosovës nuk ishte në agjendë.

“Ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në Opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë. Duke qenë se vendit i ishte vendosur një parakusht i vonshëm, joformal e arbitrar, Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, ka shkruar ajo në Facebook.

-Advertisement-

Në këtë shkrim, Gërvalla ka shtuar Kosova nuk ka lënë gurë pa lëvizuar, gjithnjë përbrenda kushtetutshmërisë e ligjshmërisë.

“Megjithatë, në vend të Opinionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe një propozimi të arsyeshëm e serioz nga Qeveria e Kosovës, disa vende anëtare zgjodhën t’i dalin në krah padrejtësive dhe t’i japin mbështetje fushatës lobuese të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, duke privuar kështu qytetarët e Republikës së Kosovës nga të drejtat dhe mundësitë që ofrojnë mekanizmat e kësaj organizate, veçanërisht për komunitetet e pakicës etnike dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara”, ka shkruar ajo në Facebook.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera