Lajme

Sami Kurteshi thotë se interpretimi shkencor e nxjerr të pafajshëm për sulm

Autori: Gazeta inFokus 15:57 | 17 May 2024

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Sami Kurteshi, në fjalën përfundimtare ka deklaruar para gjykatës se ndjehet plotësisht i pafajshëm dhe se as me interpretim shkencor nuk është vërtetuar se ka kryer veprën penale. Kurse, prokurorja Elza Bajrami tha se u vëretua se ai ka kryer veprën.

Kurteshi po akuzohet për sulm ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha në selinë e KQZ-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Asnjë fjalë më shumë as më pak, e ndjej veten plotësisht të pafajshëm, nuk ka asnjë element as në seanca as në dokumente. Nuk është vërtetu asnjë gjysmë elementi i vetëm i veprës penale, sipas interpretimit shkencor nga profesorët tonë, por edhe ndërkombëtarë. Kërkoj me u hedh aktakuza”, ka thënë i akuzuari Kurteshi.

-Advertisement-

Paraprakisht, prokurorja Bajrami dhe i akuzuari Kurteshi fjalën e tyre përfundimtare e kanë dorëzuar me shkrim.

Prokurorja Bajrami tha se qëndron pranë aktakuzës sepse gjatë administrimit të provave është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë.

Kurse, Kurteshi tha se mbetet tërësisht pranë fjalës përfundimtare, duke theksuar se ndjehet i pafajshëm.

Ndryshe, aktakuza e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila e ngarkon të akuzuarin Sami Kurteshi me veprën penale “Sulmi”, rezulton të jetë përpiluar më 21 dhjetor 2021.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Kurteshi po akuzohet se më 25 gusht 2021 në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Prishtinë, me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarit Adnon Berisha.

Aktakuza thotë se derisa i dëmtuari Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i pandehuri i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i dëmtuari nuk përgjigjet, atëherë i pandehuri Kurteshi e kapë për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.

Me këtë, Kurteshi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Sulm” nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Ndryshe, më 25 gusht 2021 ishte raportuar se Policia e Kosovës (PK) ka nisur hetimet ndaj Sami Kurteshit, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), si i dyshuar se ka sulmuar një person. /BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine

Të tjera