Lajme

Zëdhënësi i BE-së: Draft-statuti për Asociacionin nuk dihet a përputhet me Marrëveshjet 2013-2015

Autori: Gazeta inFokus 14:54 | 17 May 2024

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka komentuar draft-statutin e Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

“Përmbajtja e draft-statutit të paralajmëruar se do të hartohet nga Qeveria e Kosovës nuk dihet dhe nuk është diskutuar me Serbinë dhe lehtësuesin e BE-së (Miroslav Lajçak). Prandaj, është e pamundur të vlerësohet përputhshmëria e tij me Marrëveshjet e 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Stano për gazetën online Reporteri.

Stano tha se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE) janë procese të veçanta, megjithatë, si BE-ja ashtu edhe KiE-ja janë organizata të bazuara në respektimin e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të njerëzve që u përkasin pakicave kombëtare.

-Advertisement-

“Është e rëndësishme të kujtojmë se themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe është obligim i paplotësuar i Kosovës që rrjedh nga Marrëveshja e Dialogut e vitit 2013 – e vetmja Marrëveshje e Dialogut e ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me 2/3 e shumicës parlamentare. Prandaj është një obligim i qartë ligjor për Kosovën sipas së drejtës ndërkombëtare dhe rrjedhimisht një çështje e sundimit të ligjit e rëndësishme për të dyja organizatat”, tha Stano.

Stano tha se B-ja mirëpret gatishmërinë e Kosovës për t’u angazhuar përfundimisht tani pasi që nga viti 2013, siç u shpreh ai, për fat të keq, Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë hap drejt themelimit të Asociacionit, dhe rrjedhimisht drejt mbrojtjes së shtuar të të drejtave të njerëzve që u përkasin pakicave, pavarësisht mundësive të shumta për ta bërë këtë.

“Në të njëjtën kohë, sipas Marrëveshjeve përkatëse të dialogut, Statuti për themelimin e Asociacionit duhet të paraqitet dhe diskutohet në dialog. Në tetor të vitit 2023, BE-ja – e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj – prezantoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit, bazuar në modelet dhe praktikat më të mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës”, tha Stano.

Shtoi se , në konkluzionet e veta të dhjetorit të vitit 2023, “Këshilli Evropian përshëndeti “gatishmërinë e Serbisë dhe Kosovës për të pranuar draft-statutin e paraqitur palëve nga lehtësuesi i BE-së”. Kjo është një njohje formale e dokumentit nga 27 Shtetet anëtare të BE-së”.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, tha më 16 maj se e ka njoftuar Këshillin e Evropës përmes një letre, se Kosova po e përgatit draft-statutin, për ta dërguar në Gjykatë Kushtetuese deri në fund të majit.

“Ne e kemi shprehur me shumë seriozitet vullnetin tonë për të kontribuuar në mënyrë konstruktive. Ky hap nuk ishte i lehtë për Qeverinë e Kosovës. Ne e kemi shprehur vullnetin tonë dhe presim se cili do të jetë reagimi”, tha Gërvalla më 16 maj.

Më pas, nisën reagime.

Ambasada gjermane në Prishtinë, duke u thirrur edhe në vendet e tjera të QUINT-it- SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Italinë – tha se kërkesë e tyre ishte dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

“Kosova tani duhet ta bëjë punën e vështirë. Kjo nuk ka ndodhur ende”, tha ambasada gjermane në Kosovë në një përgjigje për Reporteri.net.

Për themelimin e tij, Kosova dhe Serbia ranë dakord qysh në vitin 2013.

Muajin e kaluar, BE-ja e kushtëzoi zyrtarisht integrimin e Serbisë në këtë bllok me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa ndaj Kosovës mban në fuqi masa ndëshkuese, të cilat u ndërmorën qysh vitin e kaluar, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri.

Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.

Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UFC EKSKLUZIVISHT NË ARTMOTION!

Të tjera