Fokus

Policia u njoftua disa ditë me vonesë – Çfarë ndodhi me pajisjen mijëra euro të radiologjisë që u zhduk nga QKUK-ja?

Autori: Samire Jaha 16:26 | 19 October 2022

Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të zbulojë se çfarë ndodhi me pajisjen mijëra euroshe të Radiologjisë e cila për arsye që ende nuk dihen në momentin që u zhduk gjendej në objektin e Klinikës së Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Kjo pajisje u zhduk në prill të vitit 2022, derisa policia ende është duke hetuar rastin. Kështu të paktën kanë deklaruar për Gazetën Infokus duke thënë se nuk mund të japin informata për shkak se ky rast është ende në proces të hetimeve.

Edhe pas 6 muajsh ende nuk është zbardhur asnjë detaj se si u zhduk kjo pajisje kaq e shtrenjtë nga një klinikë publike në QKUK.

-Advertisement-

“Për shkak se rasti ende është në hetim, në këtë fazë nuk mundë të japim më shumë informata”, kanë thënë shkurt për Infokus nga Policia e Kosovës, e kjo pasi disa herë Gazeta Infokus ka kërkuar të dijë se deri ku kanë shkuar hetimet në lidhje me këtë rast.

Kujtojmë se bëhet fjalë për një pajisje që mundëson dixhitalizimin e rëntgenit analog, e cila bën të mundur leximin e radiografisë në CD. Kjo pajisje e cila ka kosto prej mijëra euro në momentin e zhdukjes ka qenë e vendosur në Klinikën e Neonatologjisë ku trajtohen foshnjat e porsalindura.

Mirëpo kjo pajisje i takon Klinikës së Radiologjisë dhe me të njëjtën punojnë teknikët e kësaj klinike.

Gazeta Infokus disa herë është munduar që të marrë një deklaratë se çfarë ka ndodhur edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, mirëpo të njëjtin kanë deklaruar se me rastin janë duke u marrë organet kompetente.

QKUK-ja raportoi afro 13 ditë me vonesë policinë për zhdukjen e pajisjes mijëra euro

Ani pse në media për këtë rast u raportua qysh me 9 prill e nuk dihet se kur realisht është zhdukur kjo pajisje, ajo çfarë e bën këtë ngjarje edhe më të çuditshme është se QKUK-ja ka pritur afro 13 ditë deri në raportimin zyrtarisht të rastit në polici për një pajisje me vlerë të lartë monetare.

Këtë për Gazetën Infokus e kanë konfirmuar nga vetë zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së duke thënë se rasti zyrtarisht në polici është raportuar me 22 prill.

“Ju informojmë që njoftimi zyrtar për Policinë e Kosovës, në kohën ish- Drejtorit të ShSKUK, është bërë me 22.04.2022 me shkresë përcjellëse”, kanë deklaruar për Infokus nga drejtoria me datën 12 tetor  e SHSKUK-së, duke mos treguar se pse u raportua ky rast me kaq vonesë.

Gazeta Infokus është munduar që të marrë detaje edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në lidhje me zhdukjen e kësaj pajisjeje por që të njëjtit deri në publikimin e këtij lajmi nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Pse nuk u njoftua menjëherë policia për rastin?

Në lidhje me zhdukjen e kësaj pajisjeje kishte folur në atë kohë, tash ish drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi. Ai kishte thënë se menjëherë pasi ishte informuar ka filluar sqarimin e kësaj informate dhe se nëse kjo pajisje nuk gjendet atëherë rastin do ta procedonte në organet kompetente.

Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse policia u njoftua e nisi të merrej me këtë rast përafërsisht 13 ditë me vonesë.

“Me të pranuar këtë informatë kam kërkuar nga shërbimet përkatëse dhe menaxherët e klinikave të sqarojnë këtë informatë. Shumë shpejt brenda javës së ardhshme unë pres raportin zyrtar lidhur me atë pajisje dhe nëse eventualisht konstatohet se ajo pajisje është shmangë apo nuk gjendet diku atëherë unë konform ligjeve unë konform ligjeve do të procedoj në organet përkatëse kompetente për të hetuar çka ka ndodhë”, kishte deklaruar Krasniqi.

Mirëpo kjo nuk është hera e parë që në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, zhduken pajisje.

Kjo është pajisja e dytë brenda pak muajve që është zhdukur në klinikat e QKUK-së.

Në korrik të vitit të kaluar ishte zhdukur një USB e cila po ashtu ishte pjesë integrale e një rëntgeni me kosto prej rreth 6 mijë euro. Rasti ishte raportuar edhe në Policinë e Kosovës, por ende nuk dihet se si ka ndodhur apo se ku ka mbetur ajo pajisje. Të paktën publikisht nuk është dhënë asnjë sqarim në lidhje me zhdukjen e USB-së të pajisjes./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Blerando i Big Brother Vip Kosova – fytyra e re e Prince Espresso

Të tjera