Lajme

Kush është biznesmeni që “vozitej” me veturë zyrtare nga drejtori i KEK-ut

Autori: Gazeta inFokus 13:47 | 12 January 2023

Kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi e kishte marrë me veturë zyrtare në një udhëtim pune në Kroaci një tregtar të energjisë elektrike. Një raport i Policisë së Kosovës ka dëshmuar se Krasniqi dhe biznesmeni Zek Alija e kishin kaluar bashkë kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut në mars të vitit të kaluar. Policia dyshon se ata janë takuar në Kroaci me Ambasadorin e Kosovës, Martin Berishaj.

Në mars të vitit të kaluar, Nagip Krasniqi kishte realizuar një vizitë në Kroaci, ku prej gjashtë muajsh Martin Berishaj po shërbente si Ambasador i ri i Kosovës. Hetuesit e Policisë së Kosovë dyshojnë se Kryeshefi i KEK- ut ishte takuar atje me diplomatin kosovar, të përfshirë në një aferë financiare.

Një raport i hetuesisë së Policisë së Kosovës ka gjetur se Nagip Krasniqi, në shoqërinë e Zek Aliajt, një tregtari të energjisë elektrike, kishin qëndruar në një vizitë në Zagreb në muajin mars të vitit 2022.

-Advertisement-

Sipas raportit të policisë, bazuar në të dhënat e Departamentit të Kufirit, kryeshefi i KEK-ut dhe biznesmeni Zek Alija kishin kaluar kufirin Maqedoni e Veriut – Kosovë me veturën zyrtare të KEK-ut më 20 mars 2022.

“Gjatë analizimit të të dhënave të pranuara kemi vërtetuar se të njëjtit kanë kaluar kufirin me datë 20.03.2022 me veturën zyrtare të KEK-ut me targa 01-583-NG”, thuhet në raport.

Lidhur me këtë çështje, Krasniqi është intervistuar nga hetuesit policorë në shtator të vitit 2022, ka zbuluar Paparaci.

Para hetuesve policorë, Krasniqi ka mohuar të jetë takuar me Ambasadorin Martin Berishaj gjatë vizitës së tij në Kroaci. Ka thënë se atje kishte udhëtuar në një vizitë zyrtare. Ka thënë se ka realizuar një vizitë në kompaninë HEP në Kroaci. Në këtë kompani, ai ka thënë se punon Zek Alija, biznesmeni me të cilin kishte udhëtuar për në Zagreb.

Kush është Zek Alija?

Zek Alija, i pari në fotografi nga ana e majtë

Zek Aliaj është një tregtar i energjisë elektrike dhe konsulent me lidhje të fuqishme në Kroaci.

Bazuar në të dhënat publike, Alija është drejtor i “Inspekt RGH Kosovo”, një kompanie të regjistruar në Prishtinë që merret me aktivitetet e këshillimit dhe testimeve laboratorike.

Po ashtu, ai është përfaqësues i “Hrvatska elektroprivreda” (HEP Group), ndërmarrjes energjetike në pronësi shtetërore në Kroaci.

Sipas të dhënave publike në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), Alija është drejtor i “HEP Energjia Sh.P.K”, përfaqësisë së HEP Group në Kosovë.

Emri i tij figuron si përfaqësues i HEP-it kroat në Kosovë edhe në regjistrin e licencave të lëshuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). “HEP Energjia Sh.P.K” ka poseduar licencë për shit-blerje të energjisë elektrike në Kosovë që nga viti 2016.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI

Të tjera