Fokus

Ku mbeti pajisja mijëra euroshe e Radiologjisë që humbi një vit më parë?

Autori: Samire Jaha 17:49 | 03 May 2023

Ka kaluar plot një vit nga zhdukja e pajisjes mijëra euroshe të Klinikës së Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Mirëpo ende nuk dihet se çfarë ndodhi, si u zhduk një pajisje kaq e shtrenjtë e kush e mori atë?

Të pyetur nga Gazeta Infokus, organet e drejtësisë, Prokuroria dhe Policia e Kosovës po i hedhin përgjegjësinë njëra tjetrës sa i përket hetimeve e të informacioneve për këtë rast të vjedhjes.

Gazeta Infokus tentoi disa herë për të marrë përgjigje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë por edhe nga Policia e Kosovës se çfarë ka të re e deri ku kanë shkuar hetimet.

-Advertisement-

Mirëpo nga Prokuroria Themelore në Prishtinë i kanë hedhur “topin” Policisë së Kosovës. Në këtë përgjigje drejtuar Infokusit, zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka thënë se ky institucion ka autorizuar policinë e Kosovës që të bëjë grumbullimin e provave.

“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për grumbullimin e provave dhe informatave me qëllim të ndriçimit të plotë të kësaj çështjeje”, ka deklaruar zëdhënësja e kësaj prokurorie për Infokus, Laureta Ulaj.

Derisa nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se pas kryerjes së hetimeve të nevojshme rasti tashmë është përcjellë në prokurorinë e shtetit, madje kanë referuar që më shumë informacione mund të japë vetëm prokuroria.

“Rasti në fjalë është trajtuar nga drejtoria përkatëse e policisë dhe pas veprimeve hetimore i njëjti është përcjellë në prokurori. Për informata shtesë i drejtoheni Prokurorisë së Shtetit”, janë përgjigjur për Infokus nga policia.

QKUK në “terr informativ”

Përderisa Policia e Kosovës e Prokuroria Thelemore në Prishtinë, janë duke e hequr përgjegjësinë nga njëra tjetra, Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës nuk kanë asnjë informacion për hetimet në lidhje me zhdukjen e kësaj pajisje mijëra euro.

Gazeta Infokus ka kontaktuar me zyrtarët e SHSKUK-së për të kuptuar nëse ky institucion është njoftuar ndonjëherë nga Policia e Kosovës apo edhe nga prokuroria në lidhje me ndonjë të re sa i përket hetimeve apo procesit hetimor mirëpo ata kanë deklaruar se nuk kanë marrë asnjë informatë nga organet e drejtësisë kjo ani pse nga ky institucion kanë shprehur interesimin për të pasur detaje nga hetimet në lidhje me zhdukjen e kësaj pajisje të Radiologjisë.

“Jo, nuk jemi njoftuar. Jemi interesuar, por rasti është ende nën hetime”, janë përgjigjur shkurt nga SHSKUK-ja për Infokus.

Nën hetime e pa asnjë detaj të ri ky rast ende po sillet në duart e institucioneve të drejtësisë.

Zhdukja e pajisjes e njoftimi me vonesë i policisë

Ndodhitë e dyshimta e çuditë në këtë rast kanë nisur të ndodhin qysh në momentin kur u zhduk kjo pajisje, e cila pavarësisht se i përkiste Klinikës së Radiologjisë, nga QKUK u raportua se u zhduk nga Klinika e Neonatologjisë.

Përveç kësaj, Gazeta Infokus kishte raportuar edhe në tetor të vitit 2022, por edhe me 18 janar të këtij viti e ku pas një hulumtimi erdhi në përfundim se Qendra Klinike Universitare e Kosovës e kishte lajmëruar zhdukjen e kësaj pajisje me 13 ditë vonesë.

Pse u raportua rasti me vonesë?

Edhe pse në media ishte raportuar qysh me 9 prill e nuk diheshin arsyet se kur realisht ishte zhdukur kjo pajisje, ajo çfarë e bënte edhe më të çuditshme ishte fakti se QKUK-ja kishte pritur afro 13 ditë deri në raportimin zyrtar në Policinë e Kosovës.

Këtë për Gazetën Infokus e kishin konfirmuar nga vetë zyra e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së duke thënë se rasti zyrtarisht në polici ishte raportuar me 22 prill.

“Ju informojmë që njoftimi zyrtar për Policinë e Kosovës, në kohën ish- Drejtorit të ShSKUK, është bërë me 22.04.2022 me shkresë përcjellëse”, kanë deklaruar për Infokus nga drejtoria me datën 12 tetor e SHSKUK-së, duke mos treguar se pse u raportua ky rast me kaq vonesë.

Në lidhje me zhdukjen e kësaj pajisjeje kishte folur në atë kohë, tash ish drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi. Ai kishte thënë se menjëherë pasi ishte informuar ka filluar sqarimin e kësaj informate dhe se nëse kjo pajisje nuk gjendet atëherë rastin do ta procedonte në organet kompetente.

Kjo mund të jetë edhe arsyeja pse policia u njoftua e nisi të merrej me këtë rast përafërsisht 13 ditë me vonesë.

“Me të pranuar këtë informatë kam kërkuar nga shërbimet përkatëse dhe menaxherët e klinikave të sqarojnë këtë informatë. Shumë shpejt brenda javës së ardhshme unë pres raportin zyrtar lidhur me atë pajisje dhe nëse eventualisht konstatohet se ajo pajisje është shmangë apo nuk gjendet diku atëherë unë konform ligjeve unë konform ligjeve do të procedoj në organet përkatëse kompetente për të hetuar çka ka ndodhë”, kishte deklaruar Krasniqi.

Kujtojmë që kjo nuk është hera e parë që në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, zhduken pajisje.

Kjo është pajisja e dytë brenda pak muajve që ishte zhdukur në klinikat e QKUK-së.

Ndryshe Gazeta Infokus tash e një vit prej kur edhe është zhdukur kjo pajisje mijëra euroshe është duke raportuar në vazhdimësi edhe pse nga këto institucione të drejtësisë nuk po kanë informacione të sakta se çfarë ka ndodhur apo edhe ku është zhdukur kjo pajisje mijëra euroshe. /Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera