Fokus

Kritika e Aida Dërgutit: Lista e kandidatëve për deputetë nuk e përfaqëson konceptin e Vetëvendosjes

Autori: Gazeta inFokus 19:38 | 02 January 2025

Me 32 mijë e 463 vota, Aida Dërguti ishte gruaja më e votuar e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Pak kohë pas këtij rezultati historik, për shkak të shumë mospajtimeve, Dërguti kishte dhënë dorëheqje nga pozitat drejtuese të partisë.

Prej asaj kohe, e deri më sot në vitin 2025, gjërat kanë ndryshuar shumë. Dërguti thotë se ndryshim të madh ka përjetuar edhe Vetëvendosje, së cilës ajo i ishte bashkuar si një prej aktivisteve të para në vitin 2005.

-Advertisement-

Dërguti thotë se lista e kandidatëve për deputet nga LVV-ja, nuk përfaqëson konceptin e Vetëvendosjes.

 

 

“Lista në përgjithësi as konceptualisht nuk përfaqëson shumë njerëzit, ose bartësit e konceptit të Vetëvendosjes. Mund të them lirisht se në këtë listë nuk janë as 20% e njerëzve të cilët janë përfaqësues të konceptit të Vetëvendosjes. Janë dikund rreth 80% emra të tjerë të cilët në fakt as nuk janë emra të njohur për opinionin e as emra të rëndësishëm”, thotë ajo, në emisionin “Infotalks” në Gazeta Infokus.

Duke folur më tepër për 110 kandidatët e propozuar nga VV për t’u bërë pjesë e Kuvendit, Dërguti thotë se shumica nga ta ishin vetëm “makina votimi” në mandatin e fundit.

“Pra i kemi deputetët të cilët një pjesë e madhe kanë qenë edhe në mandatin e kaluar, që nuk shquhen për ndonjë performancë sepse kanë qenë deputetë të shumicës parlamentare ku zakonisht ata janë një makineri e votimit. Pra ata vetëm votojnë dhe nuk kritikojnë sepse qeveria është e tyre dhe janë shumë pasiv dhe të heshtur”, thekson Dërguti.

Ish-nënkryetarja e Kuvendit, thotë se pritet do të duhej të ishin krejt tjera për një parti që i ka 51% pushtet.

“Ka mundësi të shumta të sjellë emra të rinjë, apo së paku të sjellë emra që përfaqësojnë koncept dhe nuk është asnjëra e as tjetra. Dhe posaqërisht mendoj se defekti më i madh është që në 20-shen e parë ka shumë nga këta emra që tashmë janë intervistuar nga Prokuroria për afera korruptive… Më së paku sot këtë listë kanë arsye ta votojnë ata që janë të thuash përkrahja apo vota tradicionale e Vetëvendosjes. Do të thotë ata më së paku kanë arsye ta votojnë këtë listë, sepse nuk përfaqëson më asgjë nga ai koncept. Nuk ka përfaqësues as aktivistët politikë, janë shumë pak në numër”, ka thënë Dërguti në emisionin “Infotalks”, prodhim i Gazeta Infokus.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shkëlqim Devolli dhe Adriatik Kelmendi e presin ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier
-Advertisement-

Të tjera