Rozë

Kitaristi nga Kosova me dy çmime në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Maqedoninë e Veriut

Autori: Gazeta inFokus 21:43 | 10 November 2020

Kitaristi nëntëvjeçar nga Prishtina, Ledion Halitaj, ka shënuar suksesin e radhës brenda dy muajve. Ai e ka fituar çmimin e parë në kategorinë për të vegjlit në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës “Tremolo”, që është mbajtur në Shkup të Maqedonisë së Veriut, nga 29 tetori e deri më 7 nëntor, në versionin online.

Ky çmim është ndarë edhe me tre pjesëmarrës të tjerë në këtë kategori, me ç’rast Halitaj është renditur i dyti me pikë. Ndërkohë, ai e ka sfiduar vetën edhe në Kategorinë e Parë, e cila i dedikohet grupmoshës deri në 11 vjet, dhe aty ka fituar çmimin e dytë.

Halitaj është përgatitur për këtë festival nga profesori i tij, Erhan Mujka, në Shkollën e Muzikës, Artit dhe Baletit “Beethoven” në Prishtinë.

-Advertisement-

Në kategoritë pjesëmarrëse, ai ka luajtur dy vepra klasike dhe i është nënshtruar vlerësimit të një jurie në përbërje prej nëntë anëtarësh nga shtete të ndryshme.

Në fillim të muajit tetor, Halitaj ka fituar çmimin e parë të jurisë dhe çmimin e publikut në kategorinë “Junior”, në Festivalin Ndërkombëtar të Kitarës në Transilvani të Rumanisë. Në këtë festival kanë marrë pjesë më shumë se shtatëdhjetë kitaristë nga 13 shtete të Evropës.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera