Sport

‘Kamishi’ kërkon hetime dhe dënime nëse stadiumi nuk licencohet deri më 10 shtator

Autori: Gazeta inFokus 14:10 | 25 August 2018

Prokuroria e Shtetit duhet ta hetojë krejt procesin e rinovimit dhe të investimit prej 9 milionë eurosh në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në rast se ky objekt nuk licencohet deri më 10 shtator nga UEFA. Viteve të fundit po shpenzohen keq miliona euro në infrastrukturë sportive, të vërtetuara me raporte të auditimit, por fajtorët nuk po ndëshkohen. Federata e Futbollit e Kosovës nuk po e mbron autoritetin e saj.

Njeriu që flet thuajse më së shumti në favor të sportit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, deputeti Bekim Haxhiu, është mjaft i zhgënjyer me shumë zhvillime që ndodhin vazhdimisht në sportin kosovar, ku po ashtu e ka kaluar një pjesë goxha të madhe të jetës së tij si nënkryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), prej nga është tërhequr vetëm pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe në FIFA.

Haxhiun e pengojnë shumë fenomene që janë të pranishme në sport prej vitesh, ndërsa kohëve të fundit ka vërejtje të shumta edhe në proceset e investimeve milionëshe që po bëhen në infrastrukturën sportive nga buxheti shtetëror. Kur jemi te ky aspekt Haxhiu ndalet te rasti i fundit me stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri”, ku nuk kanë mjaftuar as dy vjet kohë e as 9 milionë euro shpenzime që projekti i rinovimit të stadiumit të konsiderohet i mbyllur nga Ministria e Sportit.

-Advertisement-

Ky stadium është inauguruar më 13 gusht me ndeshjen e Superkupës Drita – Prishtina. Por, megjithatë stadiumi ende nuk është licencuar nga UEFA dhe ende nuk është pranuar teknikisht as nga Ministria e Sportit. Kjo ka krijuar “mjegull” të madhe. Një javë më vonë nuk u lejua zhvillimi i ndeshjes Prishtina – Gjilani, ndërsa mbetet e paqartë nëse stadiumi do të licencohet nga UEFA për ndeshjet e Kosovës në Ligën e Kombeve deri më 10 shtator ose evropianët do të kërkojnë punime shtesë në këtë stadium.

Deputeti nga fuqia e pozitës në Parlament thotë se Prokuroria duhet të ndërhyjë dhe ta hetojë krejt procesin e investimit dhe të rinovimit të stadiumit në rast se UEFA nuk e licencon për ndeshjet që i janë afruar Përfaqësueses së Kosovës. “Nëse stadiumi nuk licencohet nga FIFA dhe nga UEFA për lojërat ndërkombëtare, atëherë Prokuroria e Shtetit ex officio duhet të merret me rastin dhe përgjegjësit të ndëshkohen”, ka deklaruar Haxhiu për gazetën “Zëri”.

Haxhiu kërkon nga Ministria e Sportit, që udhëhiqet nga bashkëpartiaku i tij, ministri Kujtim Gashi, të jetë më syçelë në investimet në sport. “Unë kam reaguar rreth moslejimit të zhvillimit të ndeshjes Prishtina – Gjilani për faktin siç u tha se stadiumi nuk është i pranuar teknikisht nga Ministria. Unë e vlerësoj punën e ministrit Kujtim Gashi sepse nuk ka qenë e lehtë sigurimi i fondit prej 9 milionë eurosh për stadiumin ‘Fadil Vokrri’ vendosja në binarë të drejtë të projektit për Stadiumin Nacional dhe sigurimi i mjeteve për stadiumin ‘Adem Jashari’”, thotë ai.

“Prandaj kam kërkuar nga ministri Gashi që të kërkojë llogari nga zyrtarët përgjegjës të Ministrisë se përse është lejuar zhvillimi i lojës së Superkupës pa pranim teknik, ndërsa nuk është lejuar loja kampionale Prishtina- Gjilani?!”, shprehet Haxhiu.

Ai shpreson që të jenë të sakta deklarimet e Ministrisë së Sportit se ka marrë shenja nga UEFA se stadiumi i rinovuar në kryeqytet do të licencohet.

Milionat po shpenzohen keq dhe asnjë ndëshkim

Si deputet i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu ka pasur qasje në raportet e auditimit rreth investimeve milionëshe që po bëhen viteve të fundit në sport nga buxheti shtetëror. Sipas tij, në ato raporte ka shumë vërejtje dhe fajtorët nuk japin përgjegjësi as morale e as ligjore. “Prej pas luftës ka pasur probleme të theksuara në investimet kapitale në objektet sportive dhe kulturore që ka bërë Ministria. Ka palestra sportive të filluara qe disa vite ende të papërfunduara, kulmi i parregullsive në palestra është ajo e Besianës ku tribunat vendosen prapa tabelës së basketbollit, investime të dobëta në fushat e futbollit. Janë dhënë miliona euro, por pa përmirësim të infrastrukturës në futboll”, shprehet Haxhiu.

“Shih raportet e Auditorit, me dhjetëra vërejtje gjatë viteve të kaluara në investimet kapitale dhe asnjë masë ndëshkimore për miliona euro të shpenzuara keq”, vazhdon ai. Haxhiu siguron se krejt këto shqetësime do t’i ngrejë edhe në institucionet ku e kanë dërguar qytetarët me vota për përfaqësim. Por thotë se do të vazhdojë me mish e shpirt t’i shfrytëzojë mundësitë prej një deputeti që t’i shërbejë të mirës së sportit kosovar.

Haxhiu: FFK-ja të mos liget, por ta mbrojë autoritetin

Bekim Haxhiut nuk po i pëlqen as qasja e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) karshi rasteve si ky i fundit me stadiumin e Prishtinës “Fadil Vokrri”. Ish-nënkryetari i kësaj Federate thotë se ish-kolegët e tij duhet të flasin me zë në këso rastesh dhe ta ruajnë autoritetin e institucionit të cilin e drejtojnë. “FFK-ja duhet t’ua bëjë të qartë në Ministri se nuk mund të luhet me autoritetin dhe me imazhin e saj. Në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ një lojë lejohet të zhvillohet e tjetra jo.

Autoriteti dhe imazhi i FFK-së duhet mbajtur lart në veçanti kur kemi të bëjmë me FIFA-n dhe me UEFA-n. Imazh i cili u ngrit ndër vite falë punës se Komitetit Ekzekutiv të FFK-së në krye me kryetarin Fadil Vokrri, imazh i cili nuk guxon të cenohet nga asnjë zyrtar i Ministrisë”, potencoi Haxhiu.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera