Lajme

Hovenier: Ukraina po lufton për të mbijetuar si shtet i pavarur

Autori: Gazeta inFokus 11:29 | 24 August 2022

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se Ukraina është duke luftuar jo vetëm për të mbrojtur demokracinë e saj, por edhe mbijetesën si shtet i pavarur.

Hovenier, përmes një opinioni të publikuar, ka thënë se populli ukrainas është më i bashkuar se kurrë në luftën që e ka përfshirë vendin.

“Ukraina po lufton për të mbrojtur jo veç demokracinë e saj, por edhe mbijetesën si shtet i pavarur… Përderisa sanksionet vazhdojnë të zvogëlojnë aftësitë luftuese të Putinit, forcat ukrainase me sukses po e mbrojnë vendin e tyre dhe populli ukrainas është më i bashkuar se kurrë më parë”, ka shkruar Hovenier.

-Advertisement-

Ambasadori tha se Kosova ka reaguar shpejt duke dënuar pushimin rus të Ukrainës, duke shprehur solidaritet të plotë me popullin ukrainas.

“Kosova u rreshtua menjëherë me sanksionet e ShBA-ve dhe BE-së në mbështetje të Ukrainës. Kosova tregoi zemërgjerësinë dhe përkushtimin e saj ndaj demokracisë duke ua hapur dyert ukrainasve që kishin nevojë për strehim, përfshirë edhe gazetarëve, që ata të mund të vazhdonin të përmbushnin rolin e tyre jetik për të mbajtur shtypin e Ukrainës të lirë dhe të pavarur”, ka shtuar ai.

Reagimi mbarëbotëror ndaj luftës kundër Ukrainës, sipas Hovenier, ka qenë aq i thellë dhe i ka prekur aq shumë njerëz sepse në vazhdën e kësaj lufte, “pothuajse çdo ditë kemi parë dëshmi të dhunës, shkatërrimit, rrënimit dhe vdekjes”.

“Të gjithë i kemi parë pamjet e pasojave të bombave ruse duke i goditur civilët e strehuar në shkolla, teatro dhe spitale. Në qytetet si Bucha dhe Irpin, media ndërkombëtare dhe organizatat humanitare kanë dokumentuar ekzekutime, torturimin e personelit në uniformë dhe civilëve, kurse në qytete të tëra si Mariupoli kanë parë shkëputjen e shërbimeve elementare përderisa po përballeshin me pushtim shkatërrues dhe brutal”, ka theksuar ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vetëm edhe 4 ditë nga Bootcamp me Alan Greenberg, ish-Drejtorin për Edukim në Apple, Apliko Tani

Të tjera