Fokus

“Dillerat në aksion”, 5 raste vetëm për një ditë në Kosovë, ja sa kg drogë u konfiskua

Autori: Gazeta inFokus 10:19 | 07 April 2023

Për 24 orë, Policia e Kosovës ka ndaluar 7 persona për posedim dhe blerje të substancave narkotike, shkruan Gazeta Infokus.

Rasti i parë, ka ndodhur në Gjakovë ku në një automjet, në të cilin gjendeshin 2 burra nga Shqipëria, janë gjetur dhe janë konfiskuar 5 kg marihuanë.

Ata janë arrestuar në fshatin Brekoc, të enjten rreth orës 20:30, derisa rasti është cilësuar si blerje dhe posedim i substancave narkotike.

-Advertisement-

“Gjatë kontrollit në automjetin ku gjendeshin dy të dyshuar meshkuj shtetas të Shqipërisë, u është gjetur dhe konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit Marihuanë në peshë rreth 5 kg. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa 3 raste të tjera me sasi më të vogla janë zënë në kryeqytet.

Në rastin e parë i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt ndërsa në rastin e dytë njëri nga të dyshuarit ka rezultuar i kërkuar ga policia dhe është dërguar në vuajtje të dënimit.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit iu është gjetur dhe sekuestruar një qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë, me peshë 1.3 gram. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet në procedurë të rregullt”

“Policia ka ndaluar dy meshkuj kosovarë dhe gjatë kontrollit tek i dyshuari i parë është gjetur dhe sekuestruar një sasi substancë e dyshuar narkotike në peshë 0.4 gram dhe një thikë ndërsa personi tjetër gjatë verifikimit ka rezultuar person i kërkuar në bazë të urdhëresave lëshuar nga gjykata i cili është dërguar në  vuajtje dënimi”.

Ndërsa një person është ndaluar në aeroportin e Prishtinës dhe i është gjetur kanabis.

“ANP Adem Jashari, 06.04.2023 – 09:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që iu është gjetur dhe sekuestruar një paketim i vogël me 6 gram substancë të dyshuar narkotike të llojit kanabis. I dyshuari po ashtu ka pranuar se në banesën e tij ka edhe 1 gram  substancë të dyshuar narkotike të llojit kanabis, substanca është sekuestruar. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit i cili ka rekomanduar që pas intervistimit i dyshuari të lirohet dhe rasti të procedohet në procedurë të rregullt”.

Edhe në Podujevë një burrë është intervistuar pasi u zu me 0.87 gram substancë narkotike, shkruan Gazeta Infokus.

“Njësiti policor gjatë kontrollit tek i dyshuari mashkull kosovar, ka gjetur dhe konfiskuar substancë të dyshuar narkotike me peshe 0.87 gram. I dyshuari është intervistuar. Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”. Thuhet në njoftimin e policisë.

Raste të tilla të posedimit dhe të blerjes së narkotikëve në raportin 24 orësh të policisë janë goxha të shpeshta./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI

Të tjera