Fokus

“Benzina e keqe” do të futet përsëri në Kosovë

Autori: Anita Krasniqi 18:53 | 17 June 2019

Pesë ngarkesa të kompanisë “Lab-Oil”, me afro 85 mijë litra benzinë të vërtetuar si jo cilësore do të futen përsëri në Kosovë.

Kështu ka konfirmuar vetë drejtori i kësaj kompanie Bislim Musa për Gazetën inFokus.

Gazeta inFokus ditë më parë ka raportuar se nëntë kompani të derivateve të naftës nga Kosova kanë tentuar të fusin në treg qindra mijëra litra derivate jashtë çdo standardi.

-Advertisement-

Ndërsa vetëm kompanisë “Lab-Oil” nga Prishtina i janë ndaluar afro 85 mijë litra benzinë pasi nuk i ka plotësuar kushte e cilësisë së lejuar për shitej në Kosovë.

Musa ka bërë të ditur se e njëjta benzinë do të futen përsëri në tregun e Kosovës, pasi sipas tij në analizat e reja që i kanë bërë në një laborator tjetër nga ai me të cilin i ka marrë mostrat Dogana e Kosovës, rezultatet kan treguar se gjithçka është në rregull.

“Ato janë ndalë në Doganë, i kemi marrë i kemi dërgu në superanalizë kanë dal konform, po presim procedurat për më na u liru bocat. Analizat janë bërë në laborator në Shkup. Derivatet e naftës janë të importuara nga Izraeli. Ne kemi dyshu që diçka laboratori ose nuk i bon si duhet analizat ose nuk është diçka në rregull prandaj kemi kërku me bo super analizë. Sepse nuk mundet një produkt izraelit me ta dhanë certifikatën edhe me dal ndryshe nga ata”, ka thënë Musa për gazetën inFokus.

Vendimi i doganës për kthimin mbrapa të derivateve të kësaj kompanie erdhi pas mostrave të analizuara nga Laboratori i akredituar për kontrollin e cilësisë në pikat doganore “Kosova Lab”.

Naim Mahmutaj, përgjegjës në laboratorin “Kosova Lab”, ka thënë se në këto produkte kanë dalë një parametër ose dy që nuk janë përputhur me kërkesat e Udhëzimit Admininistrativ, shkruan Gazeta inFokus.

“Pasijet tona janë të sigurta, kalibrimi i tyre në parim duhet të bëhet njëherë në vit. Kalibrimi i fundit tanimë është bërë para 10 ditëve. Kalibrimi bëhet me të ashtuquajtur parametër ku iu dihet saktësisht përmbajtja produktit dhe krahasohet rezultati që jep pajisja me qata parametra. Në qoftë se del rezultati që është i saktë me atë parametra vërtetohet që është mirë”, ka thënë Mahmutaj.

Por siç duket, analizave laboratorike të këtij laboratori, nuk do ti marrë parasysh as Dogana, edhe pse kjo e fundit e ka angazhuar si laborator të besueshëm.

Produkteve nga Kompania “Lab-Oil” në laboratorin e Shqipërisë, 85 mijë litra benzinë do të lejohen të hyjnë në Kosovë.

Kështu ka thënë për Gazetën inFokus, zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Staviceli.

“Nëse ato analizë që i kanë bërë dalin se janë mirë, s’ka dyshim”, ka thënë ai.

E Shoqata e Nafëtarëve në Kosovë thotë se ka kërkuar emrat e kompanive në vend që fusin në vend naftë të keqe.

Por që asnjëherë nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga organet kompetente.

“Unë jam njoftuar në media për këtë ndalesë. Kam kërkuar nga Dogana e RKS që të njoftohem se cilat kompani është gjetur mall jo konform, por nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje”, ka thënë Berjani.

Sipas tij, qëndrimi i Shoqatës së Naftëtarëve ka qenë  dhe mbetet që cilësia e derivateve të kontrollohet në kufi.

“Dhe duhet të rritet kontrolli i derivateve, deri më tani kontrolli i cilësisë ka arrit të bëhet 7% të importit te derivateve. Çdo derivat i cili gjendet jo konform nuk duhet te lejohet të hyj në Kosovë, duhet te kthehet mbrap” ka thënë për Gazetën inFokus, kryetari i Shoqatës, Fadil Berjani.

Përveç “Lab-Oil”,  edhe kompanive Alfa Trade, Veda petrol, IP KOS, Iliria, Labi petrol, Petrol Oti, Alba Oil dhe Euro Miti u janë ndaluar ngarkesat të cilat sipas doganës për shkak të cilësisë së dobët janë kthyer mbrapsht./Gazeta inFokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera