Opinione

Dilemat e balotazhit në Republikën e Turqisë

Autori: Gazeta inFokus 14:34 | 22 May 2023

Shkruan: Afrim Kasolli 

Nuk mund të mohohet fakti se zgjedhjet aktuale në Turqi kane shkaktuar një sensacion ndërkombëtar më shumë se çdo palë zgjedhje të mbajtura deri deri më tani.

Mbase ky interesim u kushtëzua, siç pohuan shumë media, si për shkak te “pozitës strategjike qe e ka Turqia, si lidhje midis Evropës dhe Azisë”, pozitë kjo tejet relevante sot për shkak të situatës gjeopolitike, apo edhe rezultatit te ngushtë elektoral ndërmjet kryetarit aktual R.T.Erdogan dhe kandidatit të opozitës Kilicdaroglu.

-Advertisement-

Kështu, një pjesë e opinionit publik ndërkombëtar vazhdon të jetë i fokusuar tek balotazhi që do të mbahet me 28 maj.  Shumëkush i ka parë këto zgjedhje si një mundësi për të hapur shtegun e ndryshimeve politike dhe ekonomike në shtetin e Turqisë, duke i dhenë fund pushtetit mbi dy dekada të Erdoganit.

Personalisht, edhe para raundit të parë te zgjedhjeve, pata prognozuar se gjasat me të mëdha për fitore i ka kryetari aktual, në raport me liderin e opozitës së bashkuar. Sidoqoftë, çdo gjë do te kuptohet natën e 28 majit, se a do ta ndryshojë Turqia kursin e saj të qeverisjes, apo do ta vazhdojë të njëjtin?

Ndërkohë, konkurrencën dhe rivalitetin politik ndërmjet R.T.Eroganit dhe oponentit të tij shumëkush e ka parë si antagaonizëm ndermjet karakterit jo demokratik te qeverisjes se shtetit nga Erogani dhe shanseve për restaurim të demokracisë nga lideri i opozitës, nese i fiton zgjedhjet.

Mirëpo, një perceptim i tillë i situatës politike ne Turqi është tejet i simplifikuar. Sepse, kushdo qe e perkufizon modelin qeverisës të Eroganit, si model vetëm në kundërshtim me demokracinë shpërfaq një mungesë konceptuale për këtë sistem politik.

Për më tepër vet pushteti i tij ishte shprehje e aspiratave demokratike kolektive në shoqërinë turke, që për nje kohë te gjatë kishin qenë te kontrolluara nga elitat shekullare e vendit. Kurse, vet fakti se partia e  Erdoganit e fitoi edhe shumicën e vendeve në Parlament, dëshmon për mbështetjen demokratike qe ende e gëzon ai dhe partia e tij në shoqërinë turke.

Mirëpo, kjo fitore e tij mund të mos jetë në pajtim me diçka tjeter,  me afirmimin e vlerave liberale. Sepse ekziston nje dallim i madh ndermjet demokracisë dhe liberalizimit. Ngase e para synon vetem homogjenizimin e vullnetit kolektiv të shoqërisë, kurse e dyta pluralizmin, lirinë e shprehjes dhe të drejtat individuale. Bie fjala, Anglia e shekullit 19 ishte një vend liberal, por nuk ishte shtet demokratik në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Madje, shumë vende perendimore fillimisht e inaguruan liberalizimin para demokracisë, në dallim nga pjesa tjetër e botës qe kaluan në demokraci para kultivimit të vlerave liberale.

E, këtë tension ndermjet demokracisë dhe liberalizimit, i pari e kishte pikasur studiuesi i njohur i shkencave politike Fareed Zakaria. Në  artikullin e tij “Ngritja e Demokracive Iliberale” (The Rise of Illiberal Democracy), ky autor dëshmon për kundërthëniet që mund të ekzistojnë ndërmjet këtyre dy principeve politike.

Sipas tij përvoja politike në botën perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore ka bërë që t’i kundrojmë liberalizmin dhe demokracinë si të pandashme ndërmjet vete. Megjithatë, Zakaria konstaton se ato jo domosdoshmërisht janë të ndërlidhura njëra me tjetrën.  Kombinimi i tyre është më shumë rezultat i disa koincidencave socio-politike, sesa produkt i një domosdoshmërie të brendshme logjike dhe historike. Ato mund të operojnë së bashku në kuadër të një rendi institucional dhe politik. Por, asgjë nuk i pengon që të funksionojnë edhe të ndara e të karakterizohen nga antagonizma përçarës në mes tyre. Madje sipas tij, bota ka kohe është duke përjetuar lulëzimin e demokracive iliberale.

Ndërkohë, analizimin e këtyre antagonizmave kohë me parë e ka shtjelluar edhe profesori i njohur i shkencave politike në Universitetin e Harvardit, Yascha Mounk, në librin e tij (People versus Democracy – Why Our Freedom is in Danger and How to Save it). Sipas ketij teoricieni të dalluar të mendimit politik, përçarjet në kuadër të këtij sistemi mund të definohen si konflikt në mes “vullnetit popullor” në njërën anë, dhe “vlerave liberale” në anën tjetër, apo siç e quan ndryshe Mounk këtë tension, si model ndërmjet “demokracisë pa të drejta” dhe “të drejtave pa demokraci”.

Prandaj, nëse ka diçka që e ka veçuar historine politike të Turqisë, që kur u themelua si shtet modern, ka qene pikërisht ky konflikt. Duke dominuar me shumë herë njëri model, e herë tjetri. Problemi kryesor i sistemit politik në shtetin e Turqisë ka qenë mungesa e ekulibrit ndërmjet të drejtave pa demokraci dhe demokracisë pa te drejta. Dilema është se a do ta gjejë rrugën Turqia që t’i harmonizojë brenda saj standardet si të demokracisë ashtu edhe të liberalizmit, diçka që i ka munguar deri më tani.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker

Të tjera