Lajme

Në Kosovë, nuk ka asnjë arsye për t’u ngritur çmimi i energjisë elektrike

Autori: Mehmet GJATA 16:06 | 18 March 2024

Në Kosovë nuk duhet të ketë në këtë vit në asnjë mënyrë çmime të ngritura të energjisë elektrike. Përkundrazi, duhet të ketë ulje çmimi të rrymës, sikundër vjet dhe sivjet po ndodhë në të gjitha shtetet normale të botës mbarë. Në Kosovë në dy vjetët e fundit kanë ndodhur tre ngritje çmimesh enorme, dhe këto çmime enorme të rrymës kanë prekur realisht mirëqenien e popullatës shumicë të këtij vendi dhe kanë ndikuar ndjeshëm në ç’ekuilibrimin e mirëqenies së tyre dhe rritjes së numrit të të varfërve në Kosovë.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) vazhdon të jetë e mbyllur, thuaja “hermetike” në kominikimin me publikun, të jetë e paqartë në prononcimet e veta rreth ecurive të tarifave të reja të energjisë elektrike, të deklarohet me tekste dykuptimshe, dhe, së paku, shumë herë deri më tash të merr vendimet të ndikuara nga palët e treta dhe në dëm absolut të qytetarëve kosovarë.

Edhe në njoftimin e fundit, nëpërmjet të cilit ZRRE ka njoftuar se “në fund të muajit mars ose në fillim të muajit prill pritet që të hyjnë në fuqi tarifat e reja për energjinë elektrike”, dominon paqartësia evidente dhe mungesa e sqarimit të saktë dhe të kuptueshëm për kërkesat e bëra që në fillim të këtij viti nga KESCO/KEDS për të ngritur sërish çmimin e energjisë elektrike.

-Advertisement-

ZRrE, siç raportojnë sot mediet e shumta të vendit, tha se aktualisht është në fazën e analizimit dhe shqyrtimit të komenteve të dërguara nga palët e interesuara dhe siç thonë pas shqyrtimit dhe analizimit merret vendimi për të hyrat e lejuara maksimale.

“Sa i përket pritshmërisë se sa do të jenë të hyrat e lejuara maksimale, deri në këtë fazë ZRRE ka vetëm vlerësimet fillestare të cilat janë të publikuara, ndërsa vlerësimet përfundimtare për të Hyrat e Lejuara Maksimale janë në proces të shqyrtimit dhe pas këtij vlerësimi Raportet përfundimtare do të publikohen”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së. Të njëjtin prononcim, me përmbajtje thuaja tërësisht identike ZRRE e ka bërë edhe në fillim të këtij viti, kur në adresë të tij kishin arritur kërkesat e reja të KESCO/KEDS për ngritje çmimesh të rrymës, kërkesa këto, që praktikisht nuk janë ndalur asnjëherë që nga shpërfaqja e krizës energjtike në botë dhe në vend.

Nuk ka më pse të “filozofojë” ZRRE rreth tarfifave të reja (lexo: çmimeve të reja). Në Kosovë nuk duhet të ketë në këtë vit në asnjë mënyrë çmime të ngritura të energjisë elektrike. Përkundrazi, duhet të ketë ulje çmimi të rrymës, sikundër vjet dhe sivjet po ndodhë në të gjitha shtetet normale të botës mbarë. Në Kosovë në dy vjetët e fundit kanë ndodhur ngritje çmimesh enorme, dhe niveli i çmimit enorm të rrymës ka prekur realisht miqëqenien e popullatës shumicë të këtij vendi dhe ka ndikuar ndjeshëm në ç’ekuilibrimin e mirëqenies së tyre dhe rritjes së numrit të të varfërve në Kosovë, pavarësisht zërave që vijnë nga zyrtarët e ZRRE-së dhe nga distributori dhe furnizuesi turk të konsumit të vendit me rrymë KEDS/KESCO “se në Kosovë çmimi i energjisë elektrike është ndër më të ultit në rajon”.

Me fjla të tjera, çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është i lartë, madje shumë i lartë dhe për shumë qytetarë tashmë është bërë vështirë i përballueshëm, ose edhe i papërballueshëm fare. Dhe këtë fakt ZRRE e di dhe e ka të njohur. Prandaj nuk ka pse të zgjasë kaq shumë procesi i shqyrtimit dhe as publikimi përfundimtar i “vlerësimeve përfundimtare për të hyrat e lejuara maksimale”, ose të tarifave të reja. Duhet, më në fund, një herë e mirë t’i thotë KESCO/KEDS-it se në sektorin energjetik të Kosovës nuk ka asnjë arsye të vetme për ngritje çmimesh. Dhe me këtë kundërshtim të kërkesave që nuk po prajnë kurrë të furnizuesit dhe të shpërndarësit të energjisë elektrike, të sfidohen më në fund shantazhet banale të KESCO/KEDS për të ngritur sërish dhe sërish çmimin e rrymës.

Po e ripërsërisim, pas ngritjes enorme tre herë të çmimit të rrymës brenda periudhës kohore prej 1,5 vjetësh, (së pari më 2021 shumë mbi 100 për qind dhe një herë në shkurt të 2022-tës (rreth 30 për qind) dhe në prill të 2023-tës (diku përtej 15 përqindshit), nuk ka asnjë arsye të vetme, as bazë ligjore, por as logjikë ekonomike që të ketë çmime të reja të ngritura të rrymës te ne.

Së pari, për shkak të çmimit të energjisë elektrike në botë, pas ngritjes së vrullshme të madhe, që ndodhi pas pandemisë COVID19 dhe sidomos pas fillimit të luftës ruso-ukrainase në nivel global, në vitin e kaluar, por edhe sivjet, kanë zënë të ulën ndjeshëm, madje, tani në periudha të ndryshme të vitit, çmimet e rrymës elektrike janë edhe 5-6 herë më të ulëta, se sa kur arritën kulmin, në kohën e krizës globale energjetike.

Te ne, megjithatë nuk ka pasur ulje çmimesh në asnjë rast. Por, edhe në raste të urgjencave, kur për shkaqe të ndonjë defekti teknik të paparashikuar në ndonjërin nga blloqet e termocentraleve të Kosovës, kishte mungesë evidente të rrymës dhe Kosova ishte e detyruar të importojë një sasi të rrymës, ky import ka kushtuar tepër shumë më lirë se sa në kohrat e krizës energjtike, madje edhe pesë e gjashtë fish më lirë.

Në bursën hungareze, ku zakonisht Kosova blen rrymë në rast të mungesës së prodhimit vetanak, një megavat-orë edhe ditëve të acarta, në të shumtën nuk ka tejkaluar çmimin 100 euro, madje edhe në orët e pikut, ndërsa dihet në dimrin e dy tre vjetëve më parë Kosova ka importuar rrymë edhe me çmimin mbi 500 euro për një megavat. Gjatë ditëve më të ngrohta, gjatë tërë vitit 2023, çmimi i rrymës në tregun hungarez ka qenë mesatarisht rreth 60-70 euro megavati, dhe në raste edhe nën 40-50 euro megavati.

Një argument shumë pikant pse Kosova nuk ka arsye të ngritë çmimin e rrymës, është rikthimi i bllok-tarifave më 2021, që ishte praktikisht një ngritje shumë e madhe e çmimit e fshehtë, e padeklaruar dhe ‘perfide’ nga ana e ZRRE-së. Me bllok tarifa u goditën direkt numri dërrmues i konsumatorëve kosovarë, për shkakun se shumica e tyre janë harxhues të mbi 800 kilovat-orë, dhe për të cilët konsumatorë, siç dihet, një kilovat-orë vazhdon ta ketë çmimin rreth 15 centë. Dhe ky çmim enorm i lartë dhe thuaja në stratosferë, që ka ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e familjeve të varfëra kosovare dhe në mirëqenien e tyre vazhdon të jetë në fuqi, sado që është rifuqizuar padrejtësisht dhe jashtligjshëm.

Një arsye tjetër, pse nuk duhet më të ngritet çmimi i energjisë elektrike dhe që fare nuk e përfillin as ZRRE-ja dhe as KESCO, pa diskutim është se Kosova, sot e kësaj, dite e paguan çmimin e energjisë elektrike me koston shumë të lartë, si pasojë e rrezikimit të shëndetit të një numri të konsiderueshëm qytetarësh, të sëmurë, të paaftësuar përjetësisht, por edhe viktima të shumta të ndotjes së madhe të ambientit nga gazrat dhe hiri që lënë pas termocentralet e “mplakura” të Kosovës. Pasojat shëndetësore i vuajnë sidomos banorët që jetojnë rreth e përçark ambienteve të prodhimit të rrymës dhe minierave sipërfaqësore të qymyrit.

Të gjitha studimet e bëra deri më tash (të dhëna konkrete nga to të botuara në shumë raste te Buletini Ekonomik) kanë dëshmuar se vdekjet numerikisht të shumta në fshatrat përrreth kompleksit energjetik të KEK-ut dhe sëmundjet e shumta kronike ndër këta banorë, janë kryekëput pasojë e ndotjes enorme të ajrit, ujit dhe tokës në këtë rajon. Dhe krejt në fund, edhe të dhënat rreth raportit të shitblerjes KEK-KESCO/KEDS të energjisë, respektivisht për marrëveshjen me të cilën KEK-u obligohet t’ia shes KESCO-s energjinë elektrike të prodhuar nga termocentralet dhe thëngjilli i vendit me 29 euro megavat-orën, të cilën pastaj KESCO ua faturon konsumatorëve kosovarë për shumë herë më shtrenjtë, flet shumë kundër kërkesave për të ngritur çmimet sërish të rrymës. Ky çmim, i tregtimit të rrymës KEK-KESCO është nënçmues dhe përbuzës për të gjithë punonjësit e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe vë në vështirësi të mëdha KEK-un për shkak të tregtimit me çmim kaq të ulët, duke ia bërë të pamundshme KEK-ut investimet e synuara kapitale dhe të mirëmbajtjes më efektive të stabilimenteve prodhuese.

Në anën tjetër, e favorizon, pafundësisht furnizuesin e rrymës, i cili për shumëfish më shumë ua shet këtë rrymë kosovarëve, të cilën e blenë me çmim qesharak të ulët po nga kosovarët. Prandaj, nuk ka arsye dhe nuk duhet në asnjë mënyrë të lejohet ngritja e sërishme e rrymës, në asnjë mënyrë, as nga ZRRE-ja, dhe as nga kompania turke për furnizimin me rrymë të Kosovës, KESCO. Nuk duhet marrë nga ZRRE-ja seriozisht edhe shantazhet jo të pakta nga kompania turke për ngritje çmimesh dhe ca sinjale, të cilat tërthorazi i lëshon në publik si “Kosova ka çmimin më të ulët në rajon te rrymës”, “KESCO po shpenzon miliona euro për të importuar rrymën që mungon” etj,.

ZRRE, në fund të fundit, ligjërisht është institucion fare i pavarur për të vendosur edhe për ecuritë e çmimeve të rrymës në Kosovë, pavarësisht shantazheve që vijnë nga palët e involvuara në furnizimin e konsumit të Kosovës me energji elektrike dhe pavarësisht tendencave eventuale për ndikime politike edhe në ecuritë e çmimeve të rrymës. Të vendos, pra si institucion i pavarur, të jetë i saktë dhe komunikativ me publikun dhe, gjithsesi, të veprojë si një institucion i pavarur i shtetit të Kosovës. /Buletini Ekonomik

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
KosovaMed përmbyll vitin me sukses – dhuron donacione për QKMF-në e Junikut

Të tjera