SHBA-ja do të dërgojë raketa të avancuara në Ukrainë
Autori: Gazeta inFokus 11:35 | 01 June 2022
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, tha se do t’i dërgojë Ukrainës një numër të vogël të sistemeve të raketave të teknologjisë së lartë me rreze të mesme veprimi, armë kritike që liderët ukrainas kanë kërkuar që t’u dërgohen, teksa po hasin në vështirësi që të pengojnë përparimin e Rusisë në rajonin e Donbasit.
Sistemet e raketave janë pjesë e pakos së re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 700 milionë dollarësh që SHBA-ja ka ndarë për Ukrainën. Në këtë pako do të përfshihen edhe helikopterë, sisteme kundërtanke Javelin, makina taktike, pjesë rezervë për armë të tjera, thanë zyrtarët amerikanë, të cilët shtuan se zyrtarisht kjo pako e ndihmës do të bëhet publike të mërkurën.
Vendimi i SHBA-së për të dërguar këto sisteme të raketave ka për qëllim që të krijojë një balancë midis dëshirës për të ndihmuar Ukrainën që të luftojë sulmet me artileri të Rusisë, teksa sigurohet që të mos i dërgojë armë Kievit që mund të godasin objektiva thellë brenda territorit të Rusisë, pasi një gjë e tillë besohet se do të përbënte një përshkallëzim të luftës.
Në një shkrim të publikuar në The New York Times, presidenti Biden konfirmoi se ai ka vendosur që t’i “ofroj ukrainasve sisteme më të avancuara të raketave dhe municioneve që do t’iu mundësojnë atyre të kryejnë sulme më precize ndaj caqeve kyçe në fushëbetejën në Ukrainë”.
Në fillim të javës, presidenti Biden tha se SHBA-ja nuk do të dërgojë në Ukrainë “sisteme të raketave që mund të godasin brenda Rusisë”. Çdo sistem i armëve mund të godasë caqet në Rusi, nëse të njëjtat janë pranë kufirit. Në pakon e re të ndihmës amerikane, Uashingtoni pritet të përfshijë raketa me rreze gjysmë veprimi, që në përgjithësi mund të fluturojnë rreth 70 kilometra.
Ukrainasit e kanë siguruar SHBA-në se ata nuk do të hedhin raketa brenda territorit të Rusisë, thanë disa zyrtarë të lartë të administratës amerikane, raporton Associated Press. Një zyrtar theksoi se sistemet e avancuara të raketave do t’iu mundësojnë forcave ukrainase që të kryejnë sulme më precize ndaj objektivave ruse brenda Ukrainës.
Ukraina mund të përdorë raketat në rajonin lindor të Donbasit, edhe për të penguar sulmet me artileri të Rusisë apo për të larguar forcat e Moskës nga pozicione ku ka luftime të ashpra, sikurse është qyteti Severodonjeck.
LEXONI EDHE KËTË:
Zelensky pret “lajme të mira” për dërgesa të reja me armë
Ukraina pranon dërgesë të re armësh nga SHBA-ja dhe Danimarka
Severodnjecku është i rëndësishëm në përpjekjet e Rusisë për të marrë Donbasin para se të arrijnë armët perëndimore që do të forconin mbrojtjen ukrainase. Ky qytetit gjendet 140 kilometra në jug të kufirit rus dhe është qyteti më i madh nën kontrollin ukrainas në rajonin Luhansk.
Biden tha në shkrimin e tij për New York Times se “ne nuk po e inkurajojmë apo lejojmë Ukrainën që të godasë përtej kufijve të saj. Ne nuk duam ta zgjasim luftën vetëm për t’i shkaktuar dhimbje Rusisë”.
Kjo është pakoja e njëmbëdhjetë e ndihmës e miratuar deri më tani në SHBA dhe është ndihma e parë nga pakoja prej 40 miliardë dollarësh që Kongresi ka ndarë për ndihmë ekonomike dhe të sigurisë për Ukrainën.
Armët do të merren nga inventari i ushtrisë amerikane dhe ushtarët ukrainas duhet të trajnohen të paktën një ose dy javë për të përdorur këto sisteme të reja raketash.
Zyrtarët amerikanë thanë se plani është që të dërgojnë në Ukrainë Sistemin e armëve të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë apo HIMARS, i cili mund të vendoset në një kamion dhe mund të mbajë deri në gjashtë raketa. Ky sistem mund të godasë me raketa me rreze të mesme veprimi, por është i aftë edhe të operojë me raketa me rreze të gjatë veprimi, por modeli për sulme në distanca më të largëta nuk është pjesë e planit të SHBA-së.
Qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë ndihmuar Ukrainën me armë për të luftuar forcat ruse.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, së fundmi ka shtuar thirrjet që Perëndimi të dërgojë në shtetin e tij sisteme raketash, në mënyrë që forcat e Kievin të ndalin ofensivën ruse në Donbas./REL
Të tjera
-
Vdes në vendin e punës nënoficeri i FSK-së, Muhamet Beqiri
Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se ka vdekur në vendin e punës nënofi...
-
Hoti: Kurti po bën propagandë të marrë, sikur të komunistëve
Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se “p...
-
Serwer: Ka kaluar shumë kohë që BE-ja është dashtë t’i largojë masat ndaj Kosovës
Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve p...
-
Rohde kujton gazetarët gjerman që u vranë gjatë luftës në Kosovë
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka kujtuar në 25-vjetorin e vrasjes ...
-
“Këtë mrekulli duhet ta shohë bota” – William Walker i mahnitur me Devolli Corporation
Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker, ishte mysafir special te ...
-
Makinat elektrike – forcë me rëndësi në eksport
Në pesë muajt e parë të vitit, BYD eksportoi 176 mijë makina me energji të re...
-
Zakharova: NATO po furnizon Kosovën me armë dhe po ndërton ushtri kundër Rezolutës 1244
Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi ...
-
Presidentja Osmani në Samitin e SEECP në Shkup, Serbinë e përfaqëson Ministri i Jashtëm Marko Gjuriq
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka marrë pjesë në samitin SEECP të m...
-
Limaj: Haradinajn e lanë mbrapa se s’mund ta kenë përballë e t’i shesin heroizëm
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, në një intervistë për FRONTAL të T7 ka folur pë...
-
Policia aksion në Zubin-Potok: Arrestohet një person dhe konfiskohen a*më
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se Policia e Kosovës ka...
-
Gjykata e Prishtinës shqipton 38 vjet burgim ndaj tre të akuzuarve dhe të miturit për vra*je të rëndë
Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur për çështjen penale ndaj të akuzua...
-
Mbledhja e sotme e Qeverisë, këto janë vendimet e marra
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt në të cilën...