Vdekja e Arbenit Ahmetit në KEK: Raportet zbulojnë mangësi alarmante në sigurinë në KEK, KPMM-ja kërkoi dënime për menaxhmentin
Autori: Hateme Smajli
14:12 | 27 November 2026
Puna në instalimet elektrike me tension prej 6 mijë voltësh në Korporatën Energjetike të Kosovës kryhej në një sektor ku sipas dokumentacionit të shqyrtuar nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), nuk kishin ekzistuar rregullore dhe protokolle të brendshme për sigurinë në punë.
Pikërisht gjatë një ndërhyrjeje në këto instalime, më 20 gusht 2026, humbi jetën 32-vjeçari Arbenit Ahmeti.
Madje, njëri nga dëshmitarët kishte deklaruar se nuk kishin pasur as indikatorin për verifikimin e tensionit elektrik.
Gazeta Infokus ka siguruar raportet e komisioneve profesionale të KEK-ut dhe KPMM-së, të cilat nxjerrin në pah mangësi teknike, organizative dhe menaxheriale, për të cilat institucioni mbikëqyrës kishte propozuar gjoba në vlerë të përgjithshme prej 34 mijë eurosh.


“Nuk kemi pasur indikator” – Dyshimet për mosverifikimin e tensionit elektrik para ndërhyrjes fatale
Sipas raportit të komisionit profesional të KEK-ut, të datës 28 gusht 2026, aksidenti kishte ndodhur në kutinë shpërndarëse të tensionit 6 kV, në lokacionin e shiritit transportues 5/9 në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit.
Fillimisht ishte ndërprerë tensioni për realizimin e punimeve në kabllo. Mirëpo, pas përfundimit të punimeve dhe rikthimit të tensionit, ishte evidentuar një problem me kahjen e furnizimit, për çka ishte hapur përsëri kutia shpërndarëse.
Sipas deklaratës së Enver Krasniqit, Ahmeti kishte filluar ndërhyrjen brenda kutisë, ku kishte rënë në kontakt me tensionin elektrik.
Kur komisioni profesional e kishte pyetur Krasniqin nëse ishte përdorur indikator për verifikimin e tensionit, ai ishte përgjigjur:
“Nuk kemi pasur indikator.”
Bazuar në deklaratat e administruara, komisioni kishte ngritur dyshime për mosverifikimin e mungesës së tensionit përpara ndërhyrjes.
“Në këto rrethana, dyshohet se mos verifikimi i sigurt i mungesës së tensionit para intervenimit në kutinë 6kV dhe ekspozimi ndaj paisjeve nën tension kanë dërguar në ndodhjen e aksidentit”, thuhet në faqen 22 të raportit të KEK-ut.
Komisioni nuk kishte arritur të konstatonte nëse masat e sigurisë elektrike ishin respektuar në nivelin e duhur gjatë ndërhyrjes së dytë.


KPMM-ja zbulon mungesën e rregulloreve dhe protokolleve të sigurisë – Përgjegjësia duhet të shqyrtohet edhe në nivel menaxherial
Edhe më shqetësuese janë konstatimet e komisionit profesional të KPMM-së, i cili kishte shqyrtuar dokumentacionin, deklaratat, strukturën organizative dhe evidencat për pajisjet mbrojtëse, mirëmbajtjen dhe autorizimin e punës.
Në faqen 21 të raportit, KPMM-ja evidenton se, sipas deklarimeve të KEK-ut, në sektorin përkatës nuk kishin ekzistuar rregullore dhe protokolle të brendshme për sigurinë në punë.
Komisioni vlerëson se kjo nuk përbënte vetëm çështje të mungesës së një procedure teknike për punën me tension 6 kV, por duhej shqyrtuar në raport me detyrimet ligjore për sigurinë dhe vlerësimin e rrezikut.
Gjithashtu, nuk ishte dokumentuar në mënyrë të verifikueshme disponueshmëria dhe përdorimi i pajisjeve të posaçme mbrojtëse, ndërsa nuk ishte dëshmuar plotësisht ekzistenca e një mekanizmi të dokumentuar për autorizimin, informimin, trajnimin dhe mbikëqyrjen e personelit.
Për këtë arsye, KPMM-ja vlerëson se përgjegjësia për aksidentin nuk duhet të kufizohet vetëm te veprimet e punëtorit.
“Rrjedhimisht, në rrethanat e rastit konkret, përgjegjësia nuk mund të analizohet vetëm në nivelin e veprimit individual të punëtorit, por duhet të shqyrtohet edhe në nivelin organizativ dhe menaxherial”, thuhet në faqen 22 të raportit të KPMM-së.

Një ditë trajnim për siguri në punë, i evidentuar shtatë vjet përpara aksidentit fatal
Sipas raportit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti kishte përfunduar trajnime për instalime industriale dhe teknologji elektrike gjatë vitit 2019.
Mirëpo, sa i përket sigurisë në punë, në dokument evidentohet një trajnim njëditor, i realizuar mbi shtatë vjet përpara aksidentit fatal.
“Trajnimin në Siguri në Punë e ka përfunduar më 01.07.2019, në kohëzgjatje prej një dite”, thuhet në faqen 20 të raportit.
Në dokument nuk evidentohen trajnime të tjera për sigurinë në punë gjatë kësaj periudhe.
Ndërkaq, edhe KPMM-ja konstaton se nga 17 maji i vitit 2023 deri në ditën e aksidentit nuk ishte dokumentuar ndonjë kontroll tjetër sistematik mjekësor i punëtorit, megjithëse një i tillë ishte planifikuar për vitin 2026.
KPMM-ja sqaron se kjo rrethanë, në mungesë të provave të tjera, nuk mund të konsiderohet shkak i drejtpërdrejtë i aksidentit elektrik.

KPMM-ja propozoi 34 mijë euro gjoba – Jo vetëm ndaj KEK-ut, por edhe ndaj personave përgjegjës
Për shkeljet e evidentuara, komisioni profesional i KPMM-së kishte propozuar masa kundërvajtëse ndaj korporatës dhe personave përgjegjës.
Sipas raportit, nuk ishte dëshmuar se KEK-u kishte nxjerrë dhe zbatuar një akt për vlerësimin e rrezikut dhe planifikimin e masave parandaluese.
“Po ashtu, nuk është dëshmuar se është kryer identifikimi, vlerësimi dhe kontrolli sistematik i rreziqeve që lidhen me instalimet dhe pajisjet elektrike”, thuhet në faqen 25 të raportit.
Masat kundërvajtëse të propozuara ishin:
- 15 mijë euro ndaj KEK-ut për moskryerjen e detyrimeve të përgjithshme për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve;
- 15 mijë euro ndaj KEK-ut për mungesën e dokumentit për vlerësimin dhe parandalimin e rrezikut;
- 2 mijë euro për secilin person përgjegjës për menaxhimin e sigurisë dhe shëndetit në punë, sipas përgjegjësisë së konstatuar individuale;
- 1 mijë euro ndaj drejtorit të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit;
- 1 mijë euro ndaj inxhinierit të elektrikës.
Në rastin e drejtorit të DPQ-së, komisioni kishte marrë si rrethanë lehtësuese kohën relativisht të shkurtër që nga marrja e detyrës.
Në tabelën përmbledhëse të raportit, shuma e gjobave të propozuara arrin në 34 mijë euro, ndërsa numri i personave që do të sanksionoheshin dhe shuma përkatëse duhej të përcaktoheshin individualisht.
Deri më tani, Infokusi nuk ka konfirmim nëse këto gjoba janë shqiptuar përfundimisht.

Pas vdekjes së punëtorit kërkohej sigurimi i pajisjeve mbrojtëse dhe plotësimi i stafit – Menaxhmenti ishte paralajmëruar edhe më herët
Komisioni profesional i KEK-ut kishte nxjerrë shtatë rekomandime, ndërsa ai i KPMM-së kishte hartuar 12 rekomandime për parandalimin e aksidenteve të ngjashme.
Ndër të tjera, KPMM-ja kërkonte hartimin e rregulloreve të sigurisë elektrike, përcaktimin e përgjegjësive të secilit nivel menaxherial, sigurimin e pajisjeve të posaçme mbrojtëse dhe inspektimin e plotë të instalimeve elektrike.
Ndërkaq, komisioni i KEK-ut kërkonte sigurimin e indikatorëve për verifikimin e tensionit dhe plotësimin e stafit të sigurisë.
“Të plotësohet stafi në Departamentin SI&MKZ dhe të krijohen kushtet e nevojshme për kryerjen e inspektimeve të rregullta në terren”, thuhet në rekomandimin e fundit të raportit të KEK-ut.
Mirëpo, siç ka dokumentuar Gazeta Infokus në hulumtimet paraprake, menaxhmenti ishte paralajmëruar vazhdimisht për mungesën e inspektorëve profesionalë dhe rreziqet ndaj punëtorëve, madje edhe për mundësinë e ndjekjes penale në rast të aksidenteve me fatalitet.

Një person u ndalua ditën e aksidentit – Tre muaj më vonë, asnjë aktakuzë e konfirmuar publikisht, Prokuroria nuk përgjigjet
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte nisur veprimet hetimore menjëherë pas aksidentit, ndërsa po atë ditë kishte njoftuar për ndalimin për 48 orë të një personi me inicialet A.K., nën dyshimin për rrezikimin e sigurisë në vendin e punës.
Mirëpo, mbi tre muaj pas vdekjes së Ahmetit, nuk është konfirmuar publikisht ngritja e ndonjë aktakuze.
Gazeta Infokus i është drejtuar Prokurorisë me pyetje për ecurinë e hetimeve lidhur me rastet e vdekjeve të punëtorëve në KEK.
Pavarësisht se kërkesa kishte përfshirë të gjitha rastet, Prokuroria ka kthyer përgjigje vetëm për vdekjen e Haxhi Gojnovcit, duke lënë pa përgjigje pyetjet për rastet e tjera, përfshirë atë të Arbenit Ahmetit.
Kështu, përkundër mangësive të dokumentuara nga dy komisionet profesionale, mbetet e pasqaruar se në cilën fazë ndodhen hetimet, kush do të mbajë përgjegjësi dhe nëse janë eliminuar rreziqet ndaj punëtorëve që vazhdojnë të punojnë në këto instalime.
Katër punëtorë të vdekur brenda vitit – Sindikata kërkonte veprime përpara tragjedisë së radhës
Arbenit Ahmeti ishte punëtori i katërt i KEK-ut që humbi jetën gjatë vitit 2026, sipas Sindikatës së Re të KEK-ut, dhe i dyti brenda vetëm katër ditësh.
Sindikata kishte kritikuar menaxhmentin, Bordin dhe institucionet përgjegjëse, duke kërkuar masa konkrete për parandalimin e humbjes së jetës së punëtorëve.
“Nuk duam më reagime pas tragjedive. Duam veprime para se të humbet jeta e radhës”, kishte deklaruar sindikata.
Edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte kërkuar hetim urgjent administrativ, llogaridhënie dhe rivlerësim të masave të sigurisë./Gazeta Infokus

T� tjera
-
Procesi i Brdo-Brijuni, Shiroka-Pula takon homologen sllovene: Procesi i integrimit në BE të bazohet në merita
Orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i palëkundur dhe vendi është plotësis...
-
Kurti arsyetohet për humbjen e fondeve të BE’së: Zgjedhjet e përsëritura e ngadalësuan ritmin e reformave
Kosova ka humbur disa miliona euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian. ...
-
16 kushtet që Specialja ia vendosi Jakup Krasniqit për ta vizituar gruan e sëmurë
Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, i kishte kërk...
-
Haradinaj uron FSK-në: Vajzat dhe djemtë tanë, ndër më të mirët e atdheut
Me rastin e Ditës së Forcës, deputeti Ramush Haradinaj ka uruar ushtarët e FS...
-
Kurti nga Tirana: Kosova e ka fituar me meritë statusin e kandidatit për BE, tani është urgjente
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova e meriton statusin...
-
“Djalin e kam pasur ushtar, sot mbesën në FSK”, nëna e dëshmorit emocionohet në Ditën e Forcës
E moshuara Bahtije Kastrati, nëna e dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosov...
-
Çitaku rikujton: Thaçi ishte komandant suprem kur FSK-ja mori mandatin e ushtrisë
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vl...
-
SKANDALOZE: Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë detyrohet të jap dorëheqje, nuk u pajtua me urdhërin e Prebrezës për ndeshkimin e drejtorit të gjimnazit
Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Sabri Xhigoli, ka dhënë dorëheqje nga kjo...
-
Eksporti në Angli, Prince Caffe në tryezat e britanikëve (VIDEO)
Prince Caffe ka nisur përsëri zgjerimim e rrjetit të eksportit. Këtë radhë, s...
-
Haxhiu: Ata që shërbyen me devotshmëri në UÇK, sot s’mund ta shohin sa e fortë është ushtria jonë
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, sot në Ditën e Forcës, ka shprehur kre...
-
Pamje nga vendi ku policia në Ferizaj u gjuajt me ar*më zja*rri, arrestohen tre persona
Një incident i rëndë ka ndodhur të premten në fshatin Gërlicë të Ferizajt, ku...
-
Kos-Kurtit për fondet e Planit të Rritjes: Do vij në dhjetor në Kosovë meqë tashmë keni institucione
Kosova, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina mbeten pa fonde nga Plani i Rritjes, ...































