ABSURDE: Kurti numëron si sukses të qeverisjes së tij edhe sektorin e energjisë elektrike – 1 miliard euro import, rënie e blloqeve edhe pas “investimeve” milionëshe
Autori: Gazeta inFokus
15:34 | 25 November 2026
Rënie të njëpasnjëshme të blloqeve të termocentraleve, rikthim i reduktimeve të energjisë elektrike pas shumë vitesh, shtrenjtim i përsëritur i tarifave për qytetarët, mbi një miliard euro importe të energjisë elektrike, vonesa shumëvjeçare në realizimin e projekteve kapitale, protesta të bizneseve për shkak të liberalizimit të tregut të energjisë, dyshime për keqpërdorime në tenderë milionësh, arrestimi i kryeshefit të KEK-ut dhe ngritja e aktakuzave për dëme të pretenduara prej dhjetëra milionë eurosh.
Përkundër gjithë kësaj, Qeveria e Albin Kurtit e renditi energjetikën ndër të arriturat e mandatit të saj.
Në dokumentin “Të arriturat kryesore të Qeverisë Kurti 2 (2021–2026)”, ekzekutivi prezanton një sërë investimesh në sektorin e energjisë, duke u lavdëruar me vlerën financiare dhe përfitimet e tyre, por duke lënë jashtë bilancit një sërë problemesh që e kanë përcjellë këtë sektor gjatë viteve të qeverisjes së Kurtit, shkruan Gazeta Infokus.
Përballë bilancit të “sukseseve” të prezantuara nga Qeveria qëndrojnë statistikat zyrtare të importeve, vendimet për shtrenjtimin e tarifave, njoftimet për ndërprerjet e prodhimit, si dhe aktakuzat e Prokurorisë Speciale.
Mbi një miliard euro importe të energjisë elektrike që nga viti 2021
Përkundër investimeve milionëshe që Qeveria Kurti i rendit si të arritura në sektorin e energjisë, Kosova vazhdon të përballet me varësi të lartë nga importi i energjisë elektrike.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e përgjithshme e importit të energjisë elektrike nga janari i vitit 2021 deri në tetor të vitit 2026 ka arritur në rreth 1.05 miliard euro.
Shifrat e importit ndër vite janë:
- 2021 – 114 milionë euro;
- 2022 – 218 milionë euro;
- 2023 – 116 milionë euro;
- 2024 – 142 milionë euro;
- 2025 – 259 milionë euro;
- 2026 (janar–tetor) – mbi 205 milionë euro.
Vetëm gjatë vitit 2025 dhe dhjetë muajve të parë të vitit 2026, Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej mbi 464 milionë eurosh.
Madje, sipas Raportit Vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, gjatë vitit 2025 sasia e energjisë elektrike të importuar është rritur për rreth 42 për qind krahasuar me vitin paraprak, ndërsa prodhimi vendor ka shënuar rënie prej 12.6 për qind.
Shtrenjtimi i vazhdueshëm i faturave të energjisë elektrike për qytetarët
Përveç rritjes së importeve dhe problemeve të vazhdueshme në prodhimin vendor, gjatë viteve të qeverisjes së Albin Kurtit, qytetarët e Kosovës janë përballur edhe me shtrenjtimin e përsëritur të tarifave të energjisë elektrike.
Megjithatë, në faqen 14 të raportit të të arriturave, Qeveria lavdërohet edhe me subvencionimin e faturave të energjisë elektrike.
“Ndamë 120 milionë euro për të evituar rritjen e çmimit për bizneset dhe për konsumin e të gjitha familjeve deri në 800 kËh”, thuhet në raportin qeveritar.
Por, në shkurt të vitit 2022 u rikthye bllok-tarifa për konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kËh në muaj.
Në vitin 2023, Zyra e Rregullatorit për Energji miratoi shtrenjtimin e tarifave për 15.4 për qind, ndërsa në vitin 2025 tarifat u shtrenjtuan sërish, kësaj radhe për 16.1 për qind.
Vetëm nga këto dy vendime, tarifat për familjet që konsumojnë deri në 800 kËh janë rritur për rreth 34 për qind.
Kështu, përballë bilancit të të arriturave të prezantuara nga Qeveria Kurti qëndrojnë ndërprerjet e përsëritura të prodhimit, importi miliardësh i energjisë elektrike dhe tarifat dukshëm më të larta për qytetarët sesa në fillim të mandatit qeverisës.
Projektet për rivitalizimin e “Kosovës B” ishin planifikuar para ardhjes së Kurtit në pushtet
Rivitalizimi i Termocentralit “Kosova B” nuk është një nismë që ka filluar me Qeverinë Kurti.
Qysh më 2 dhjetor të vitit 2019 ishte nënshkruar kontrata ndërmjet KEK-ut dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për projektin e ndërrimit të elektrofiltrave në njësitë B1 dhe B2, në vlerë prej 76.4 milionë eurosh.
Fillimisht, punimet ishte paraparë të nisnin në qershor të vitit 2020 në njësinë B1, ndërsa më 1 mars të vitit 2021 në njësinë B2.
Mirëpo, projekti ishte shtyrë vazhdimisht, fillimisht për shkak të pandemisë, më pas për shkak të nevojës për ndërhyrje shtesë në kaldaja dhe problemeve me kontraktuesit.
Sipas raportimeve publike të shkurtit 2024, edhe projekti për rivitalizimin e turbinave dhe gjeneratorëve të “Kosovës B”, për të cilin KEK-u kishte siguruar rreth 55 milionë euro, ishte shtyrë me qëllim të koordinimit të punimeve me instalimin e elektrofiltrave.
Dokumentacioni dhe mjetet financiare për modernizimin e turbinave tashmë ishin siguruar në atë periudhë.
Pra, derisa Qeveria Kurti sot e prezanton modernizimin e turbinave ndër të arriturat më të mëdha të mandatit të saj, projektet për rivitalizimin e këtij termocentrali ishin planifikuar prej vitesh, ndërsa zbatimi i tyre ishte përcjellë me shtyrje të vazhdueshme.
E cilësojnë si “investimi më i madh në mbi 40 vjet”, por B2-shi u ndal të paktën pesë herë pas “modernizimit” milionësh
Në faqen 13 të raportit qeveritar, modernizimi i turbinave të Termocentralit “Kosova B”, në vlerë prej 57.87 milionë eurosh, cilësohet si investimi më i madh në këtë sektor në mbi katër dekada.
“57.87 mil € investimi më i madh në këtë sektor në mbi 40 vite”, thuhet në raportin e Qeverisë Kurti.
Madje, në mesin e përfitimeve nga modernizimi i turbinës së njësisë B2, Qeveria rendit rritjen e kapacitetit prodhues për 35 megavatë, zgjatjen e jetëgjatësisë së njësisë për 20 vjet dhe reduktimin e konsumit të thëngjillit për 12 për qind.

Por, ajo që nuk pasqyrohet në këtë pjesë të raportit janë ndërprerjet e përsëritura të prodhimit dhe nevoja për ndërhyrje teknike, që në muajin e parë pas modernizimit milionësh.
Gazeta Infokus ka evidentuar të paktën pesë ndalesa të njësisë B2 që nga rikthimi në prodhim pas modernizimit, më 28 shtator të vitit 2025, pa përfshirë remontin e rregullt vjetor.
Madje, më 8 tetor të vitit 2025, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishin vizituar Termocentralin “Kosova B”, ku investimi ishte prezantuar si një garanci për stabilitetin afatgjatë të furnizimit me energji elektrike.
Mirëpo, ende pa kaluar një muaj i plotë nga rikthimi në prodhim, njësia B2 ishte ndalur për herë të tretë, sipas raportimeve të atëhershme.
Gazeta Infokus kishte raportuar më 28 tetor të vitit 2025 se kjo njësi ishte jashtë funksionit prej katër ditësh.
Sipas burimeve jozyrtare, problemet lidheshin me rrjedhjet në gypat e vjetër, ndërsa KEK-u nuk kishte konfirmuar për Infokusin nëse po importohej energji elektrike për të mbuluar mungesën e prodhimit.
Më pas, vetë KEK-u kishte konfirmuar se njësia ishte ndalur më 26 tetor për shkak të rrjedhjeve në kaldajë dhe ishte rikthyer në prodhim më 29 tetor.
Problemet teknike vazhduan edhe gjatë vitit 2026.
Më 18 janar, më pak se katër muaj pas modernizimit, B2-shi ishte ndalur sërish për kontroll teknik dhe sanim të gypave të kaldajës, në të cilët ishin evidentuar rrjedhje.
Për realizimin e këtyre ndërhyrjeve ishte parashikuar një periudhë prej rreth 48 orësh.
Ndërkaq, në natën ndërmjet 23 dhe 24 tetorit të vitit 2026, njësia ishte ndalur përsëri për shkak të problemeve teknike, për t’u rikthyer në prodhim më 26 tetor.
KEK-u kishte sqaruar se problemet me rrjedhjet në kaldajë nuk kishin lidhje me modernizimin e turbinës.
Megjithatë, nevoja për ndërhyrje të përsëritura teknike, vetëm pak kohë pas një investimi që Qeveria e cilëson si më të madhin në mbi 40 vjet, ngre pikëpyetje për qëndrueshmërinë operative të njësisë prodhuese në tërësi.
Numri prej të paktën pesë ndalesash bazohet në raportimet publike dhe nuk përjashton mundësinë që gjatë kësaj periudhe të ketë pasur edhe ndërprerje të tjera që nuk janë bërë publike./Gazeta Infokus

T� tjera
-
Kina lëshon me sukses anijen kozmike me ekuipazh
Agjencia Kineze e Hapësirës me Ekuipazh njoftoi të mërkurën se lëshimi i anij...
-
Inspektorati intervenon në dy kantiere ndërtimi, ndalen punimet në Pejë dhe Gjakovë
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy kantiere ndërtimi. I...
-
“Rrëmujë”: Punonjësit e brendshëm të Metas të shqetësuar për kalimin te moderimi i përmbajtjes me inteligjencë artificiale
Disa punonjës thonë se shpejtësia e madhe me të cilën funksionojnë algoritmet...
-
Aksident në Gjakovë, vetura përplaset në shtyllë elektrike – lëndohet shoferi
Një aksident trafiku ka ndodhur në Gjakovë, ku një veturë është përplasur në ...
-
“Ku janë?”, Bajrami sfidon Qeverinë të dëshmojë investimet në 74 çerdhe
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka sfiduar Qeverinë që të publikojë list...
-
Kur zjarri godet biznesin, sigurimi bën diferencën: si u rikthyen Swiss Roleta dhe Pine Hotel në funksion me SIGAL
Zjarri mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme materiale dhe të rrezikojë va...
-
Vrasjet në Fier, Volvo e djegur dyshohet se hyri nga Kosova në Shqipëri
Një “Volvo” i denoncuar i vjedhur në Suedi në vitin 2023 i çoi hetimet për at...
-
Inspektorati i Punës ndalon punimet në dy kantiere ndërtimi në Pejë dhe Gjakovë
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy kantiere ndërtimi, një ...
-
Përfundon mbledhja e Komisionit për Buxhet, raporti i shpenzimeve të Kuvendit shqyrohet të premten
Ka përfunduar mbledhja e Komisionit për Buxhet në Kuvendin e Kosovës, ku ësht...
-
Mbrëmja festive në Prishtinë për Pavarësinë e Shqipërisë, Malaj thekson lidhjet vëllazërore
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka bërë një falënderim të veç...
-
Kuvendi mblidhet të enjten në dy seanca
Kuvendi i Kosovës do të mbajë të enjten, më 26 nëntor, dy seanca plenare. Se...
-
Mashtrim ndaj shtetit me derivate | HIB Petrol dhe zyrtari i saj të akuzuar për shmangie doganore
Dokumentet që, sipas Prokurorisë, nuk ishin nënshkruar nga Zyra Ndërlidhëse G...
































