Fokus

Vdekjet e punëtorëve në KEK – Prokuroria KONFIRMON: Pesë persona dhe KEK-u dyshohen për rrezikimin e sigurisë në vendin e punës

Autori: Gazeta inFokus 16:53 | 24 November 2026

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Gazetën Infokus se kallëzimi penal lidhur me vdekjen e punëtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Haxhi Gojnovci, është paraqitur ndaj pesë personave fizikë dhe vetë korporatës, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale që lidhet me rrezikimin e sigurisë në vendin e punës.

Në një përgjigje për Infokus, Prokuroria ka bërë të ditur se kallëzimi penal është paraqitur më 4 nëntor 2026, ndërsa lënda është pranuar në zyrën e prokurorit përkatës më 9 nëntor.

Më 10 nëntor ishte raportuar se kallëzimi penal ishte paraqitur ndaj KEK-ut si person juridik dhe pesë zyrtarëve të korporatës: Abedin Syla, Gani Thaçi, Sabri Ternava, Arsim Sogojeva dhe Arsim Krasniqi.

-Advertisement-

Në përgjigjen për Infokus, Prokuroria ka konfirmuar edhe veprën penale për të cilën është paraqitur kallëzimi penal që është ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’.

“Lidhur me këtë rast, më datë 04.11.2026 kallëzimi penal është paraqitur ndaj pesë (5) personave fizikë dhe një (1) personi juridik, përkatësisht Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’, nga neni 358 të KPRK-së”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Raportet për gjendjen teknike të ekskavatorit dhe masat mbrojtëse në duart e Prokurorisë

Prokuroria ka konfirmuar se pjesë e shkresave të lëndës janë edhe raportet e inspektimit të përpiluara nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) dhe KEK-u.

“Sa i përket shkresave të lëndës gjenden raportet e inspektimit të përpiluara nga KPMM-ja dhe KEK-u, të cilat përmbajnë të dhëna lidhur me gjendjen teknike të ekskavatorit ER-4B, si dhe me masat mbrojtëse të ndërmarra dhe të konstatuara në vendin e ngjarjes”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Po ashtu, Prokuroria ka konfirmuar se posedon edhe deklaratat e dëshmitarëve dhe të personave të dyshuar.

“Gjithashtu, pjesë e shkresave të lëndës janë edhe deklaratat e dëshmitarëve dhe të personave të dyshuar, të cilat janë pjesë e materialit provues të administruar në kuadër të procedurës penale”, thuhet tutje në përgjigje.

Megjithatë, në përgjigjen për Infokus, Prokuroria nuk ka konfirmuar emrat e personave të dyshuar dhe as nëse është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj tyre.

 

Paralajmërimet për rreziqet në punë ishin bërë shumë kohë përpara aksidenteve fatale

Haxhi Gojnovci humbi jetën më 16 gusht 2026, gjatë punës në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit në KEK.

Gazeta Infokus, përmes një serie hulumtimesh të bazuara në dokumente të brendshme të KEK-ut, ka nxjerrë në pah mangësi serioze në sigurimin e kushteve elementare të punës, mungesë të inspektorëve profesionalë, inspektime të pakryera, si dhe paralajmërime të vazhdueshme për rreziqet në punë, të adresuara te menaxhmenti shumë kohë përpara aksidenteve fatale.

Zhvillimet në procedurën penale marrin rëndësi të veçantë përballë këtyre dokumenteve, të cilat dëshmojnë se menaxhmenti ishte njoftuar paraprakisht për problemet në sigurinë e punëtorëve.

Paraqitja e kallëzimit penal nuk nënkupton vërtetimin e përgjegjësisë penale të personave të përmendur.

Gazeta Infokus vazhdon të hulumtojë rrethanat e aksidenteve me fatalitet në KEK, paralajmërimet paraprake për rreziqet dhe përgjegjësinë e mundshme të menaxhmentit të korporatës.

/Gazeta Infokus

HULUMTIM PËR VDEKJET E PUNËTORËVE NË KEK: Si i neglizhoi vazhdimisht menaxhmenti paralajmërimet për rrezikimin e jetës së tyre (DOKUMENTE)

Punëtorët e KEK-ut dy vjet e gjysmë pa këpucë e çizme pune, dokumentet zbulojnë një mal mangësish në kushtet e punës vetëm pasi tre punëtorë humbën jetën

Inspektorët e sigurisë në KEK mbesin në këmbë – pa automjete i’u duhet të kontrollojnë 800 hektarë, dokumentet zbulojnë kushtet e rënda të punëtorëve

 

 

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy