Fokus

Sociologu Sumiçi për rastet alarmante të dhunës seksuale: Shoqëria ende fajëson viktimën dhe krijon një kulturë të heshtjes

Autori: Samire Jaha 10:36 | 25 November 2026

Nisja e fushatës “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore” e gjen Kosovën përballë shifrave alarmante të dhunës seksuale, me 1,628 raste të raportuara gjatë periudhës 2019–2026.

Përtej këtyre shifrave shqetësues mbetet edhe mentaliteti shoqëror që nxit stigmatizimin e viktimave dhe i shtyn ato drejt heshtjes, skhkruan Gazeta Infokus.

Kjo sipas sociologut Jahir Sumiçi, i cili në një prononcim për Gazetën Infokus, ka vlerësuar se dhuna seksuale nuk duhet të trajtohet vetëm si një problem individual, por si një fenomen kompleks shoqëror, i lidhur ngushtë me pabarazinë gjinore, kulturën patriarkale dhe marrëdhëniet e pushtetit.

-Advertisement-

Sipas tij, viktimat e dhunës seksuale shpesh përballen jo vetëm me pasojat e traumës së përjetuar, por edhe me paragjykimet, stigmatizimin dhe frikën nga gjykimi shoqëror, faktorë që mund t’i pengojnë ato të raportojnë rastet.

“Statistikat e prezantuara janë thellësisht shqetësuese, sepse pas secilit prej këtyre 1,628 rasteve qëndron një përvojë njerëzore, një cenim i dinjitetit, i integritetit trupor dhe i sigurisë personale të individit. Nga perspektiva sociologjike, dhuna seksuale nuk mund të trajtohet thjesht si një fenomen individual apo si rezultat i sjelljes devijante të një personi. Ajo duhet të analizohet si një problem kompleks shoqëror, që lidhet me marrëdhëniet e pushtetit, pabarazinë gjinore, kulturën patriarkale, socializimin dhe mënyrën se si shoqëria i ndërton raportet ndërmjet individëve.”, ka deklaruar Sumiçi.

Sociologu thotë se një nga problemet kryesore në shoqërinë kosovare mbetet ekzistenca e mentalitetit që relativizon dhunën seksuale, fajëson viktimën dhe krijon një kulturë të heshtjes.

“Një nga problemet thelbësore është se në shoqërinë tonë ende ekzistojnë norma dhe mentalitete që, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, relativizojnë dhunën seksuale, fajësojnë viktimën dhe në raste të caktuara krijojnë një kulturë heshtjeje. Kjo ndodh përmes paragjykimeve, stigmatizimit dhe frikës nga gjykimi shoqëror. Si rrjedhojë, viktimat shpesh përballen jo vetëm me traumën e përjetuar, por edhe me presionin e mjedisit shoqëror”, ka theksuar sociologu.

Sumiçi ka ngritur shqetësime edhe për rastet që mund të kenë mbetur të paraportuara, duke përmendur frikën, stigmatizimin, mungesën e besimit në institucione dhe varësinë ekonomike e sociale nga kryerësi i veprës.

“Duhet theksuar se statistikat policore paraqesin rastet e raportuara dhe jo domosdoshmërisht përmasat e plota të fenomenit. Për këtë arsye, është e arsyeshme të shqyrtohet edhe mundësia e një numri të konsiderueshëm rastesh që nuk raportohen, veçanërisht për shkak të frikës, turpit, mungesës së besimit në institucione apo varësisë ekonomike dhe sociale nga kryerësi”, ka thënë ai për Infokus.

Sipas sociologut, luftimi i dhunës seksuale kërkon angazhim përtej reagimit policor dhe ndëshkimit penal, duke filluar nga edukimi në familje dhe institucionet arsimore, deri te garantimi i mbështetjes psikologjike dhe juridike për viktimat.

Ai ka përfunduar duke theksuar se dhuna seksuale nuk është çështje private, por një problem publik që kërkon përgjegjësi kolektive.

“Një shoqëri nuk matet vetëm me numrin e ligjeve që miraton, por edhe me aftësinë për t’i mbrojtur qytetarët e saj dhe për të mos toleruar asnjë formë të dhunës. Dhuna seksuale nuk është çështje private, por problem publik dhe përgjegjësi kolektive”, ka përfunduar sociologu Jahir Sumiçi.

/Gazeta Infokus/

ALARMANTE: 610 raste të dhu*nimit dhe mbi 1,000 raste të ngacmimit e sulmit sek*sual në Kosovë

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy