Vdekja e Haxhi Gojnovcit në KEK – Raportet zbulojnë mangësitë në pajisje dhe kushte pune: “Ekskavator i stërvjetruar, shkallë të pasigurta, mungesë e stafit dhe parmakëve mbrojtës”
Autori: Hateme Smajli
15:08 | 26 November 2026
Ekskavator në shkallë të lartë të amortizimit, mungesë e parmakëve mbrojtës dhe litarit të sigurisë, shkallë të improvizuara që nuk plotësonin kushtet e nevojshme për lëvizjen e punëtorëve, staf i pakompletuar dhe mungesë e procedurave të qarta për organizimin dhe sigurinë në punë.
Këto janë disa nga mangësitë e konstatuara në ekskavatorin ER-4B, ku më 16 gusht të vitit 2026 humbi jetën punëtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Haxhi Gojnovci.
Gazeta Infokus ka siguruar raportin e komisionit profesional të KEK-ut, të datës 21 gusht 2026, si dhe raportin e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), të datës 8 shtator 2026, të cilat nxjerrin në pah një sërë mangësish teknike dhe organizative.
Për shkeljet e konstatuara, komisioni profesional i KPMM-së kishte propozuar edhe shqiptimin e dy gjobave ndaj KEK-ut, në vlerë të përgjithshme prej 30 mijë eurosh.
Ekskavatori ku humbi jetën punëtori ishte në shkallë të lartë të amortizimit, mungonin parmakët mbrojtës dhe litari i sigurisë
Vetëm një ditë pas aksidentit fatal, më 17 gusht 2026, inspektorët e KPMM-së kishin dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa një ditë më vonë inspektimin e kishte kryer edhe komisioni profesional i formuar nga Divizioni i Prodhimit të Qymyrit në KEK.
Në raportin e komisionit të KEK-ut, me numër protokolli 833, të datës 21 gusht 2026, konstatohet se ekskavatori ishte në shkallë të lartë të amortizimit për shkak të vjetërsisë së tij.
“Komisioni Profesional konstaton se ekskavatori E4.B është në shkallë të lartë të amortizimit, si pasojë e vjetërsisë së tij”, thuhet në raport.
Përveç amortizimit, komisioni kishte evidentuar edhe mungesën e elementeve mbrojtëse në hapësirat nëpër të cilat lëviznin punëtorët.
“Gjithashtu në disa pjesë të vogla është vërejtur mungesë e parmakëve mbrojtës të sigurisë, ndërsa në mekanizmin e lëvizjes rrethore është konstatuar mungesa e litarit të mesëm siç është ilustruar edhe në fotografitë përkatëse”, thuhet në faqen 12 të raportit të komisionit profesional të KEK-ut.
Këto mangësi janë dokumentuar edhe përmes fotografive të realizuara gjatë inspektimit të ekskavatorit dhe janë evidentuar gjithashtu në raportin e KPMM-së.


Shkallë të improvizuara që nuk plotësonin kushtet e sigurisë për punëtorët
Një tjetër gjetje e rëndësishme e raportit të KPMM-së lidhet me përdorimin e shkallëve të improvizuara në ekskavatorin ER-4B.
Inspektorët kishin konstatuar se në pjesën rrethore të ekskavatorit ishin vendosur dhe përdorur shkallë të improvizuara, të cilat nuk plotësonin kushtet e nevojshme të sigurisë.
Në këtë pjesë ekzistonte një rrugë më e shkurtër për lëvizjen nga kabina numër dy drejt kabinës së pushimit, krahasuar me rrugën e paraparë për lëvizje të sigurt.
“Pikërisht në këtë pjesë të ekskavatorit janë konstatuar mungesa të elementeve mbrojtëse, përkatësisht mungesë e parmakëve mbrojtës dhe e litarit të mesëm të sigurisë. Për shkak të këtyre mangësive, kalimi nëpër këtë pjesë paraqet rrezik të shtuar të rrëzimit nga lartësia”, thuhet në faqen 6 të raportit të KPMM-së.
Komisioni e vlerëson këtë gjendje si një faktor të rëndësishëm potencial kontribuues në ndodhjen e aksidentit, megjithëse nuk është vërtetuar përfundimisht nëse Gojnovci kishte përdorur pikërisht këtë rrugë.

Ekskavatori ishte në funksion, por mungonin tre punëtorë/ekspertë!
Përveç mangësive teknike, të dyja raportet evidentojnë edhe mangësi në organizimin e procesit të punës.
Në ndërrimin gjatë të cilit humbi jetën Haxhi Gojnovci, ekskavatori ishte në funksion, ndonëse stafi nuk ishte i kompletuar.
“Është konstatuar se gjatë operimit të Ekskavatorit Er-4B stafi nuk ka qenë i kompletuar, pasi kanë munguar Prijësi i Xehetarisë, Agjustatori dhe Elektricisti”, thuhet në faqen 9 të raportit të KPMM-së.
Sipas komisionit, mungesa e stafit të nevojshëm paraqiste mangësi në organizimin e procesit të punës, mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen e sigurisë së pajisjes.
Madje, inspektorët kishin konstatuar se në vendpunishte nuk kishte as rregullore të qartë, të shkruar dhe të formalizuar për organizimin e punës dhe sigurinë në punë.
Sipas KPMM-së, mungesa e procedurave të dokumentuara krijonte paqartësi lidhur me mënyrën e sigurt të kryerjes së punës, rrugët e lejuara të lëvizjes, përgjegjësitë dhe mbikëqyrjen e punëtorëve.
Çfarë zbulojnë raportet për rrethanat si humbi jetën Haxhi Gojnovci?
Haxhi Gojnovci, teknik i xehetarisë me mbi 39 vjet përvojë pune, ishte i sistemuar në pozitën e manipuluesit të kabinës numër dy në ekskavatorin ER-4B.
Më 16 gusht 2026, ai ishte në orar të rregullt të punës, në ndërrimin e dytë në Departamentin e Prodhimit të Qymyrit.
Nga dokumentacioni i shqyrtuar dhe deklaratat e dëshmitarëve, komisionet kanë ngritur dyshimin se Gojnovci mund të ketë rënë nga një lartësi prej rreth 4.2 metrash gjatë lëvizjes nga kabina numër dy në drejtim të kabinës së pushimit.
Punëtori ishte gjetur pa shenja jete në hapësirën ndërmjet vemzave të ekskavatorit.
Në raportin e KPMM-së ngrihet edhe dyshimi për mundësinë e lëvizjes së ekskavatorit pas rënies së punëtorit, bazuar në fotografitë dhe pozicionin në të cilin ishte gjetur ai.
Megjithatë, në mungesë të kamerave në ekskavator dhe të një dëshmitari të drejtpërdrejtë të momentit të aksidentit, këto rrethana mbeten hipoteza dhe mekanizmi i saktë i aksidentit nuk është përcaktuar përfundimisht.
Ndërkaq, raportet konstatojnë se Gojnovci kishte qenë i pajisur me uniformë dhe këpucë pune, mirëpo në momentin kritik nuk e kishte të vendosur helmetën mbrojtëse.
KPMM-ja thekson se lidhja e kësaj rrethane me pasojën fatale duhet të vlerësohet në raport me mekanizmin konkret të aksidentit dhe gjetjet mjekoligjore.
KPMM-ja: Përgjegjësia nuk duhet të vlerësohet vetëm në raport me veprimin individual të punëtorit
Një nga vlerësimet më të rëndësishme të raportit të KPMM-së lidhet me mënyrën se si duhet të shqyrtohet përgjegjësia për aksidentin fatal.
“Në këtë aspekt, përgjegjësia nuk duhet të vlerësohet vetëm në raport me veprimin individual të punëmarrësit, por edhe në raport me gjendjen e pajisjes, masat e mbrojtjes kolektive, mirëmbajtjen, organizimin e stafit, mbikëqyrjen dhe zbatimin e sistemit të menaxhimit të sigurisë në punë”, thuhet në faqen 5 të raportit të KPMM-së.
Megjithëse nuk kishte prova të mjaftueshme për përcaktimin me siguri të shkakut të drejtpërdrejtë të rënies së punëtorit, komisioni vlerëson se mangësitë teknike, organizative dhe të sigurisë përbënin faktorë rreziku që mund të kenë kontribuar në ndodhjen e aksidentit fatal.


Komisioni i KPMM-së propozoi 30 mijë euro gjoba ndaj KEK-ut
Për shkeljet e konstatuara gjatë hetimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit, komisioni profesional i KPMM-së kishte propozuar dy masa kundërvajtëse ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës:
- 15 mijë euro për moskryerjen e detyrimeve të përgjithshme të ndërmarrjes për sigurimin e mbrojtjes së sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve;
- 15 mijë euro për mungesën e dokumentit për vlerësimin dhe parandalimin e rrezikut në vendin e punës.
Sipas komisionit, nga dokumentacioni i administruar nuk ishte dëshmuar se ndërmarrja kishte nxjerrë dhe zbatuar një akt për vlerësimin e rrezikut dhe planifikimin e masave për parandalimin e rreziqeve në vendin e punës.
Vlera e përgjithshme e masave kundërvajtëse të propozuara arrinte në 30 mijë euro.
Megjithatë, nga dokumentacioni i shqyrtuar nuk është konfirmuar nëse këto gjoba janë shqiptuar përfundimisht.

16 rekomandime për KEK-un vetëm pas vdekjes së punëtorit
Pas aksidentit fatal, komisioni profesional i KPMM-së kishte nxjerrë gjithsej 16 rekomandime për KEK-un, ndër të cilat kërkohej kompletimi i stafit, vendosja e kamerave në pajisjet kryesore xehetare, largimi i shkallëve të improvizuara, plotësimi dhe mirëmbajtja e parmakëve dhe litarëve të sigurisë, si dhe hartimi i procedurave të shkruara për organizimin dhe sigurinë në punë.
Gjithashtu, kërkohej përcaktimi i përgjegjësisë së secilit nivel hierarkik dhe menaxherial për sigurinë në punë, inspektimi i plotë i ekskavatorit ER-4B dhe përcaktimi i masave korrigjuese, personave përgjegjës dhe afateve për zbatimin e tyre.
Komisioni kishte rekomanduar edhe verifikimin e pavarur të efektivitetit të masave të ndërmarra, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së rasteve të ngjashme.

KPMM-ja shmang përgjigjet konkrete, nuk përgjigjet fare në kërkesën e dytë të Infokusit
Gazeta Infokus i është drejtuar Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale me pyetje konkrete lidhur me gjendjen teknike të ekskavatorit ER-4B, mangësitë e konstatuara gjatë inspektimeve, masat e ndërmarra ndaj KEK-ut dhe zbatimin e rekomandimeve të inspektoratit.
Mirëpo, në përgjigjen e kthyer, KPMM-ja është mjaftuar me sqarime të përgjithësuara, duke lënë pa përgjigje shumicën e pyetjeve konkrete të adresuara nga Infokusi.
Madje, ky institucion ka sqaruar se organizimi i brendshëm i ndërmarrjes nuk është në kompetencën e tij, ndonëse pyetjet e Infokusit kishin të bënin me ushtrimin e kompetencave inspektuese dhe mbikëqyrëse të KPMM-së dhe jo me organizimin e brendshëm të KEK-ut.
Sa u përket masave të ndërmarra, institucioni është mjaftuar me një fjali:
“Masat e parapara për ndërmarrjen janë argumentuar në raportet profesionale të inspektoratit”, thuhet në përgjigjen e KPMM-së për Gazetën Infokus.
Pas këtyre përgjigjeve, Infokusi i është drejtuar për herë të dytë këtij institucioni, duke kërkuar sqarime konkrete për gjetjet e inspektimeve, masat e ndërmarra, gjobat, zbatimin e rekomandimeve dhe verifikimin e eliminimit të mangësive, duke iu referuar edhe kompetencave ligjore të Inspektoratit të Minierave.
Mirëpo, deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, KPMM-ja nuk ka kthyer përgjigje ndaj kërkesës së dytë të Gazetës Infokus.
Kështu, mbetet e pasqaruar nëse institucioni mbikëqyrës ka verifikuar eliminimin e mangësive të konstatuara pas aksidentit fatal, nëse janë zbatuar rekomandimet e inspektoratit dhe nëse janë shqiptuar gjobat e propozuara.
Pesë persona dhe vetë KEK-u dyshohen për rrezikimin e sigurisë në vendin e punës
Lidhur me vdekjen e Haxhi Gojnovcit, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Gazetën Infokus se më 4 nëntor 2026 është paraqitur kallëzim penal ndaj pesë personave fizikë dhe vetë Korporatës Energjetike të Kosovës.
Kallëzimi penal është paraqitur nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 358 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria ka konfirmuar se pjesë e materialit provues janë pikërisht raportet e inspektimit të përpiluara nga KPMM-ja dhe KEK-u, si dhe deklaratat e dëshmitarëve dhe të personave të dyshuar.
Derisa përgjegjësia penale mbetet për t’u përcaktuar nga organet kompetente, raportet ngrenë pikëpyetje serioze se si ishte lejuar operimi i një ekskavatori në shkallë të lartë të amortizimit, me mungesë të elementeve mbrojtëse dhe me staf të pakompletuar.
Kush ishte përgjegjës për kontrollin e gjendjes teknike të ekskavatorit përpara aksidentit, kur ishin evidentuar për herë të parë këto mangësi dhe, mbi të gjitha, a janë eliminuar ato pas vdekjes së Haxhi Gojnovcit?
Gazeta Infokus, përmes një hulumtimi të gjerë të bazuar në dokumentacionin e brendshëm të KEK-ut dhe raportet e institucioneve kompetente, ka evidentuar një sërë mangësish në sigurinë e punëtorëve, mungesën e personelit profesional dhe paralajmërimet e vazhdueshme për rreziqet, të adresuara te menaxhmenti shumë përpara aksidenteve fatale./Gazeta Infokus

T� tjera
-
Qeveria mban mbledhjen e 14-të elektronike, miraton ndryshime në programin legjislativ
Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e 14-të elektroni...
-
Studentët mund të përfitojnë deri në 70 euro në muaj për transport, hapet thirrja për aplikim
Ministria e Arsimit ka hapur thirrjen për bursën e mobilitetit, përmes së cil...
-
Reshjet e dendura turbullojnë ujin, KRU Gjakova: Uji në Gërçinë dhe Damjan nuk rekomandohet për pije
Uji i ujësjellësit në zonat e furnizimit në Gërçinë dhe Damjan nuk rekomandoh...
-
Shiroka Pula në Bondsteel për Ditën së Falënderimeve: Mirënjohje e përhershme për SHBA-në, Kosova do ta ruajë këtë miqësi
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, së bashku me të ngarkuarën me pu...
-
Nesër përfundon afati për apelimin e dënimit ndaj drejtuesve të UÇK-së
Nesër (e premte) përfundon afati që mbrojtja e drejtuesve të UÇK-së, Hashimit...
-
“Oja t’prera”, performancë artistike feministe kundër dhunës ndaj grave
Në kuadër të fushatës “16 Ditë Aktivizëm kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, perf...
-
Festa e 28 Nëntorit, e hëna ditë pushimi për administratën publike
Për nder të festës së 28 Nëntorit, e hëna, më 30 nëntor 2026, do të jetë ditë...
-
15 organizata reagojnë ndaj Ministrisë së Drejtësisë: Po ua bartni viktimave barrën e përgjegjësisë për dhunën
Gjithsej 15 organizata të shoqërisë civile kanë reaguar ndaj Ministrisë së Dr...
-
Vdekja e vajzës në Leshan të Suharekës, Prokuroria zbulon për Infokus dyshimet e para: Kishte pësuar djegie në dorë
Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje të reja për Infokus lidhur me...
-
Zbardhen detaje të reja për zjarrin në Obiliq: Mbi një milion euro vlera e transformatorit të përfshirë nga flakët
Transformatori i KOSTT-it që u përfshi nga zjarri në orët e hershme të mëngje...
-
BLACK FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
Përzgjedhje e gjërë në shumë artikuj kryesor me çmime të mahnitshme ZBRITJE...
-
Moment prekës në seancën në Apel, babai kërkon ta përqafojë të birin që tentoi ta vriste
Një moment emocionues ka ndodhur sot në seancën e Apelit. Në këtë Gjykatë po...



































